“Më mirë për Tetovën”: Kemi siguruar dy këshilltarë, na votuan ata që duan ndryshim Kryesuesi i listës së këshilltarëve nga iniciativa “Më mirë për Tetovën”, Hamdi Sulemani, sot në konferencë për shtyp është shprehur i kënaqur me rezultatin e arritur në zgjedhjet lokale.
Ai tha se ka ardhur koha që qyteti i Tetovës të merr kahje të re dhe të përmirësohen kushtet e jetesës për qytetarët, njofton Nistori.
“Tetova është e lodhur nga rrugët e papastra e me gropa, nga grumbujt e mbeturinave, nga qentë endacak, nga pasiguria në spital dhe kushtet mizore, nga kaosi urbanistik dhe ai në trafik, nga shkatërrimi dhe uzurpimi i hapësirave të gjelbra, kontrabandimi misterioz i planeve urbanistike si ai i Shik Jellakut për Daka Davidoviqin, honoraret për parazitët që marrin rroga pa bë punë dhe vonesat 3-4 mujore të punës me djersë të puntorëve të NPK-së”, thonë nga nisma.
Fitoi besimi ynë se Tetova duhet të bëhet një qytet ku mund të jetojmë dhe jo të mbijetojmë.
“Me 2840 (plus) vota ia dolëm. Është fillimi i mbarë që Tetova të merr kahje të re. Fitoi angazhimi i sinqertë për t’i zgjidhur hallet e qytetarëve. Neve na kanë votuar ata që duan ndryshim. Kryetarin e ri e pret shumë punë për katër vitet e ardhshme”, tha mes tjerash Sulemani.
I pyetur se sa këshilltarë kanë fituar, kryesuesi i listës Hamdi Sulemani tha se kanë siguruar dy, ndërsa janë në garë për të tretin. Ndërsa në lidhje me raundin e dytë, ai tha se nuk do të bëjnë thirrje që të votohet ndonjë kandidat i caktuar, duke shtuar se qytetarët do të vendosin vet. /Nistori/