Një grup qytetarësh janë mbledhur sot në sheshin “Skënderbeu” në Shkup, në shenjë proteste kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave, pas rastit të rëndë në Prishtinë, ku tre ditë më parë, pesë persona përdhunuan një vajzë 11-vjeçare.
Organizatorët e protestës thanë se sot po protestojnë kundër dhunës që po ndodh ndaj grave dhe u thanë institucioneve që të marrin masa për të parandaluar akte të ngjashme në të ardhmen. Ata thanë se “secili prej nesh është viktimë e mundshme dhe prandaj duhet të ketë solidaritet, edukim dhe mbështetje”, përcjell Nistori.
Protestuesit, kryesisht gra, mbanin pankarta: “Asnjë vajzë ‘nuk e kërkon’”, “Dhuna nuk justifikohet”, “Solidaritet me Prishtinën”, “Për të mos i mbrojtur vajzat tuaja, edukoni djemtë tuaj”.
“Edukoni djemtë e nënës që të sillen me vajzat. Edukoni djemtë, sepse morali nuk është vetëm me motrat e tyre, ndërsa të gjitha gratë e tjera mund të jenë vetëm një numër për t’u përdorur”, tha një pjesëmarrëse në protestë.
Ndryshe, para se të fillonte protesta e sotme në Shkup, persona të panjohur kanë sulmuar disa aktivistë civil, deri tani për arsye të panjohura. Raportohet se policia është angazhuar për të qartësuar rrethanat e sulmit ndaj tyre.
Theksojmë që në lidhje me rastin në Prishtinë, i cili tronditi opinionin, janë arrestuar pesë të dyshuar, tre prej të cilëve të mitur.
Mijëra njerëz janë mbledhur sot në kryeqytetin e Kosovës në një protestë të organizuar nga organizata joqeveritare. Një tubim i ngjashëm u organizua edhe në Tiranë./Nistori/