Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot pasdite është mbajtur pritje solemne me rastin e 8 shtatorit – Ditës së Pavarësisë.
Në ceremoni morën pjesë kryetari i shtetit Stevo Pendarovski, kryeministri Dimitar Kovaçevski, ministra në Qeveri, përfaqësues të trupit diplomatik, përfaqësues të bashkësive fetare, ish-kryetarët e Kuvendit Trajko Veljanovski dhe Tito Petkovski, Avokati i Popullit, Naser Ziberi dhe figura të tjera të jetës publike.
Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, në fjalimin e tij para të pranishmëve tha se “beson se tek të gjithë ne ka forcë, vullnet, vendosmëri dhe vizion se ku duam ta shohim Republikën e Maqedonisë së Veriut”.
“Ne kemi një shtet të përbashkët si trashëgimi dhe të gjithë jemi përgjegjës për të. Vetëm kështu do të vazhdojë ëndrra e të parëve tanë. Procesi i integrimeve evropiane nuk ka alternativë apo zëvendësim dhe ne kemi ende hapin e fundit – sepse nuk ka kthim prapa”, theksoi Xhaferi.
Ai tha se në legjislaturën tridhjetë e një vjet më parë, kolegët tanë deputetë e hodhën në letër dhe në jetë vullnetin e qytetarëve për shtet të pavarur, sovran me subjekt juridik të njohur ndërkombëtarisht dhe anëtar të barabartë të bashkësisë së kombeve.