Dy Dibrat një kohë të gjatë pa projekte të përbashkëta

    Tanimë një kohë të gjatë ka një ngecje të bashkëpunimit mes shoqatave qytetare të dy Dibrave. Shoqatat që veprojnë në Dibër dhe në Peshkopi të Shqipërisë thonë se mungojnë projekte ndërkufitare por jo vetëm ata. Bëhet fjalë për mungesë të aktiviteteve meqë nga viti në vit është ulur dukshëm interesi i bashkëpunimit kryesisht nga mungesa e projekteve. Vite më parë sidomos në vitet të 90-ta dhe të 2000-ta bashkëpunimi mes shoqatave në të dy anët e kufirit ishte shumë i madh edhe atë në shumë sfera. Sot nuk është ashtu, bashkëpunimi mungon. Qëndrimet të shoqatave për këtë bashkëpunim janë të ndryshme.

    Në bisedën që patëm me përfaqësues të shoqatave qytetare që veprojnë Dibër u informuam se me uljen të interesit të organizatave ndërkombëtare për të financuar projekte lokale apo rajonale të shoqatave qytetare në vendin tonë, është zbehur dukshëm edhe bashkëpunimi meqë pa para nuk mund të realizohen projekte. Por, siç thonë përfaqësuesit të shoqatave sidomos mungon bashkëpunimi në realizimin të projekteve ndërkufitare mes dy Dibrave i cili ka qenë prezent deri vonë. Janë projekte të cilat kërkojnë aktivitete serioz meqë edhe përkrahja e projekteve ndërkufitare mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë realizohet nëse projektet janë të qëndrueshme dhe të përgatitura në mënyrë shumë profesionale. Dritan Lleshi nga shoqatat “1 dollar për Dibrën”, thotë se për përgatitjen të projekteve ndërkufitare patjetër duhet edhe kuadro.

    “Problemi kryesor qëndron tek bashkëpunimi i dobët mes pushteteve vendore të Dibrës dhe Peshkopisë. Pa një bashkëpunim të fuqishëm është normale që nuk mund të ketë një bashkëpunim adekuat edhe mes shoqatave qytetare. Ne jemi shoqata në nivel lokal dhe nuk kemi kuadro të mjaftueshme për përgatitjen e projekteve. Kuadro adekuate të trajnuar ka komuna Dibër. Por, në asnjë moment nuk kemi marr ndonjë ofertë për bashkëpunim të cilin duhet ta potencoj pushteti vendor në Dibër. Dëshira e jonë është e madhe për të realizuar projekte të përbashkëta me vëllezërit tonë nga ana tjetër e kufirit”, thotë për gazetën KOHA aktivisti dibran nga shoqata “1 dollar për Dibrën”, Dritan Lleshi.

    Sipas tij është mëkat që të mos shfrytëzohen projektet ndërkufitare sidomos mes dy Dibrave. Peshkopia realizon shumë projekte me komunën Mavrovë Rostushë por jo edhe me Dibrën. Atje ku ka bashkëpunim ka edhe projekte, shton ai.

    Biseduam edhe me përfaqësues të shoqatave qytetare që veprojnë në Shqipëri por që janë themeluar në Peshkopi. Sipas përfaqësuesve të shoqatave në fjalë nga Peshkopia dëshira për të realizuar projekte të përbashkëta me shoqatat e Dibrës së Madhe duhet një bashkëpunim i ndërsjellë. Sipas tyre ky bashkëpunim mungon. Lindita Manga një nga koordinatoret kryesore që realizon projektin ndërkufitar mes Peshkopisë dhe komunës Mavrovë Rostushë në sferën e turizmit na deklaroi se ku ka bashkëpunim ka edhe efekte.  

    “Ne si shoqatë nga Peshkopia jemi duke realizuar disa projekte ndërkufitare me komunën Mavrovë – Rostushë. Projekte janë shumë efikase dhe bashkëpunim mes shoqatave në të dy anët e kufirit është në nivel të lartë. Normalisht në këtë drejtim një domethënie të madhe ka edhe bashkëpunimi i komunave në të dy anët e kufirit”, thotë Manga.

    Poashtu për gazetën KOHA  ajo sqaron se të dy Dibrat nëpërmjet projekteve ndërkufitare kanë mundësi të gjëra që të përfitojnë projekte nga fondet të Unionit Evropian por kjo nuk ndodh. Ajo potencon se të gjithë kuadrot në nivel lokal kanë përgjegjësi për mos përfitimin të fondeve për projekte ndërkufitare.

    Lajmi Paraprak

    Ndihma përmes shkurtimit të pagave!

    Lajmi i rradhës

    Shpërngulja e të rinjve nga RMV, paraqet një problem të madh

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë