Kasami para zgjedhjeve premtoi 7 parkingje me konstruksion çeliku, një vit më pas nuk realizoi asnjë (Video)

    Bilall Kasami – kryetar i Komunës së Tetovës / Fotografia: Nistori

    Kasami në vitin 2021 premtoi 7 parkingje me konstruksion çeliku, por projekti vazhdon të mbetet i parealizuar

    Kaosi urbanistik në Tetovë vazhdon të mbetet një problem i qytetit. Tollovi, vetura të parkuara vend e pa vend, duke penguar lëvizjen e njerëzve në trafik, kjo si shkak edhe i mungesës së parkingjeve. Edhe pse zgjidhja e këtij problemi ka qenë premtim para elektoral i Bilall Kasamit në vitin 2021, kështu duke premtuar garazha në kate dhe 7 parkingje me konstruksion çeliku, por një premtim i tillë ende vazhdon të mos përmbushet.

    Çfarë tha Bilall Kasami në vitin 2021 për 7 parkingjet me konstruksion çeliku para se të bëhet kryetar i Komunës së Tetovës?

    Një ndër problemet esenciale të Tetovës për të cilën ne kemi përpiluar plan dhe kemi zgjidhje, pra në Tetovë kemi paraparë dikund shtatë parkingje me konstruksion çeliku, të cilat mund të ndërtohen për një periudhë shumë të shkurtër, jo më shumë se gjashtë muaj. Me çka do të dyfishohet, në disa raste do të trefishohet kapaciteti i parkingjeve aktuale…Zgjidhja njëherë e përgjithmonë e çështjes së parkimit të veturave, nuk do t’i kushtojë më shumë se 1 milion euro në ndërtimin e 7 parkingjeve, të cilat garantoj qytetarët e Tetovës se do të ndërtohen jo më gjatë se gjashtë muaj dhe njëherë e përgjithmonë, veturat do të largohen nga rrugët, do të hapen rrugët dhe që qytetarët e Tetovës do të mund të lëvizin dhe të frymojnë lirshëm. (14.10.2021 / 31:44 – 32:39)

    Një vit më vonë (2022) pasi komuna e Tetovës udhëhiqet nga kryetari i ri, gjegjësisht Bilall Kasami, 7 parkingjet me konstruksion çeliku, ashtu siç premtoi, nuk u ndërtuan as në 6-mujorin e parë e as në 6-mujorin e dytë të menaxhimit me Komunën e Tetovës.

    I pyetur nga Nistori pse nuk është bërë asgjë në lidhje me 7 parkingjet e premtuara në 6-mujorin e parë të fillimit të mandatit, gjë që do ta zbuste kaosin urbanistik, Kasami tha se lokacionet e parapara për parkingjet kanë konteste pronësore dhe nuk janë pronë e komunës.

    “Ne, atëhërë nuk kemi qenë pjesë e komunës dhe as që e kemi pasur idenë për gjendjen në të cilën e kanë katandisur komunën menaxhmenti paraprak. Ne si qytetarë kemi pasur informata se, Tetova ka disa parkingje të mbyllura, të cilat kemi besuar se janë pronë e Komunës së Tetovës. Me ardhjen tonë në krye të Komunës së Tetovës, e kuptuam dhe u bindëm se ato parkingje nuk janë pronë e Komunës së Tetovës, por janë hapësira të përbashkëta të ndërtesave, blloqeve banesore të cilat janë aty. Dhe një parking të tillë e gjetëm në projekt realizim e sipër dhe si reagim i banorëve të lagjes që ka të bëjë me parkingun pas Tivolit, ai projekt u ndërpre, sepse komuna nuk ka fletpronësi dhe nuk menaxhon me ato hapësira.”

    Komuna aktualisht është në kërkim të hapësirave me të cilat menaxhon komuna dhe në të ardhmen do të ndërtohen parkingje në kate.

    “Për momentin janë identifikuara katër lokacione të tilla. Dy janë afër Tregut të qytetit, një është në kryqëzimin e rrugës industriale – stacioni i autobusëve dhe i katërti është te stadiumi i qytetit. Këto janë lokacione në pronësi të komunës për të cilat ka plan urbanistik për ndërtim të parkingjeve në kate” – theksoi Kasami.

    Fatkeqësisht, sipas Kasamit, edhe këto katër lokacione kanë vërejtje në fletpronësi dhe janë në procedurë për rregullimin e tyre, ku pas kësaj vendimi do të kalojë në Këshill dhe nëse do të shkohet me partneritet privato-publik apo do të shiten privat për të ndërtuar parkingje.

    A janë të mjaftueshme vend parkingjet në Tetovë?

    Ndryshe, Kasami më 11 janar të këtij viti, prezanto planin për vitin 2022 për zgjerimin e parkingjeve zonale dhe shtimin e vendparkingjeve në territorin e qytetit të Tetovës, plan i cili parasheh 5 faza.

    Faza 1: Janar-Mars (në këtë fazë do të ketë 195 parkingje shtesë zonale, ndërsa të mbyllura 230, pra gjithsej do të ketë parkingje shtesë prej 425 vende parkimi). Faza 2: Prill-Qershor (në këtë fazë, përfshihen parkingjet e reja të mbyllura ku do të ketë 415 vendparkime të reja). Faza 3: Korrik-Shtator (Kjo fazë përfshin dy bulevarde, atë të Bllagoja Toskës me 150 vendparkime si dhe një pjesë të bulevardit të Ilindenit me 80 vendparkime, domethënë gjithsej kjo fazë përfshin 230 vendparkime). Faza 4: Tetor-Dhjetor (kjo fazë përfshinë parkingjet kryesisht të mbyllura, ashtu si në fazën e dytë, me gjithsej 130 vendparkime të reja). Faza 5: Janar-Dhjetor (Kjo fazë përfshinë parkingjet në kate duke përfshirë lokacionet: dy parkingje përball tregut të gjelbërt. njëri me 350 vendparkime dhe tjetri me 280 vendparkime. Njëri te lokacioni afër Gjyqit, si dhe parkingu në Kodrën e Diellit me gjithsej 924 vendparkime.

    Sipas Kasamit, atëherë potencoi se vend parkime zonale do të ketë 425, të mbyllura 775 dhe në kate 1890 vendparkime, ndërsa gjithsej do të ketë 3.090 vendparkime shtesë.

    Sipas SPB Tetovë aktualisht Tetova ka mbi 44 mijë vetura të regjistruara për 200 mijë banorë. Plani për vitin 2022 i vendparkingjeve nuk dihet nëse do ta zbus problemin shumëvjeçar, përveç nëse do të ndërtohen më shume vendparkingje në kate, pasi nuk mjaftojnë vetëm këta zonal. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    “E Majta” dorëzon deri te Talat Xhaferi versionin e korrigjuar të nismës për referendum

    Lajmi i rradhës

    Punonte në Kroaci, por njëkohësisht kishte kontratë pune në Komunën e Prilepit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë