Kasami shpalosi planin për parkingje të reja në Tetovë | “Revizion për projektin e ujësjellësit, ndërsa shkeljet me shtegun e biçikletave do t’i dorëzojmë në prokurori”

    Fotografia: Nistori

    Gazetar | Emir Hamzi

    Kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami sot nëpërmjet një konference për media ka prezantuar planin për vitin 2022 për zgjerimin e parkingjeve zonale dhe shtimin e vendparkingjeve në territorin e qytetit të Tetovës, plan i cili parasheh 5 faza, shkruan Nistori.

    Faza 1: Janar-Mars (në këtë fazë do të ketë 195 parkingje shtesë zonale, ndërsa të mbyllura 230, pra gjithsej do të ketë parkingje shtesë prej 425 vende parkimi). Faza 2: Prill-Qershor (në këtë fazë, përfshihen parkingjet e reja të mbyllura ku do të ketë 415 vendparkime të reja). Faza 3: Korrik-Shtator (Kjo fazë përfshin dy bulevarde, atë të Bllagoja Toskës me 150 vendparkime si dhe një pjesë të bulevardit të Ilindenit me 80 vendparkime, domethënë gjithsej kjo fazë përfshin 230 vendparkime). Faza 4: Tetor-Dhjetor (kjo fazë përfshinë parkingjet kryesisht të mbyllura, ashtu si në fazën e dytë, me gjithsej 130 vendparkime të reja). Faza 5: Janar-Dhjetor (Kjo fazë përfshinë parkingjet në kate duke përfshirë lokacionet: dy parkingje përball tregut të gjelbërt. njëri me 350 vendparkime dhe tjetri me 280 vendparkime. Njëri te lokacioni afër Gjyqit, si dhe parkingu në Kodrën e Diellit me gjithsej 924 vendparkime.

    Sipas Kasamit, vend parkime zonale do të ketë 425, të mbyllura 775 dhe në kate 1890 vendparkime, ndërsa gjithsej do të ketë 3.090 vendparkime shtesë.

    Sipas SPB Tetovë aktualisht Tetova ka mbi 44 mijë vetura të regjistruara për 200 mijë banorë. Plani për vitin 2022 i vendparkingjeve nuk dihet nëse do ta zbus problemin shumëvjeçar, përveç nëse do të ndërtohen më shume vendparkingje në kate, pasi nuk mjaftojnë vetëm këta zonal.

    A janë të mjaftueshme vend parkingjet në Tetovë?

    Kasami: Tetova ka 25 mijë familje, ne vlerësojmë se jo çdo familje ka veturë dhe ne kemi obligim në bazë të standardeve diku 20% të sigurojmë parking në parkingjet zonale dhe të mbyllura, sepse ne kemi familje nëpër fshatra që kanë oborre ku gjithashtu edhe zonat periferike të qytetit kanë oborre dhe parkingje private. Kështu që, në bazë të standardeve ne me këtë plan, planifikojmë të mbulojmë pjesën që ka të bëjë me përgjegjësinë. Ne si qytet të sigurojmë parkingje për veturat të cilat lëvizin nëpër qytet, nuk kemi pobligim të sigurojmë parkingje për shtëpitë apo banesat sepse me ligj çdo banesë, çdo shtëpi duhet të ketë parking të siguruar.

    Çka me vendin e parkingut (afër Gjyqit) që është dhënë me koncesion nga qeverisja e kaluar lokale?

    Kasami: Kemi nis me procedura, një komision ka dal në terren, ka përgatitur elaborat dhe jemi në procedurë të regjistrimit, pra si pronë e lirë që me plan urbanistik të përcaktojmë parking në kate dhe pastaj me procedura tjera të nisë ndërtimi i të njëjtit.

    Sa do të kushtojë ky projekt dhe në bazë të ligjit nuk parashihet që në bulevarde të ketë vendparking?

    Kasami: Sa u përket parkingjeve zonale dhe të mbyllura ndërmarrja do të sigurojë mjete sigurisht kur do të ketë nevojë edhe komuna do të subvencionojë që të kemi parkingje të nevojshme, kurse parkingjet në kate jemi në shqyrtim të mundësisë së ndërtimit me partneritet privato-publik. Kasami premtoi parking pa pagesë, premtim i i realizuar vetëm dy javë. Përveç që u rikthye parkingu me pagesë, në seancën e katërt këshilli i komunës së Tetovës, votoi me 18 vota Për çmimoren e re për parkingjet në Tetovë.

    Kasami: Jo rastësisht është me afate, është me muaj dhe me kuartale dhe nëse në tremujorin e parë nëse nuk i përmbahemi planit do të keni mundësi që të vlerësoni dhe të jepni verdiktin e publikut. Sa i përket premtimit për parking pa pagesë, ishte një vendim i tillë. Opinioni është i informuar, se parkingu në Tetovë diku dy muaj ishte pa pagesë, por ajo krijoi shqetësime shtesë për qytetarët dhe e rriti kaosin në komunikacion nga shkaku që ne nuk kishim mundësi institucionale që të bëjmë rregullimin e komunikacionit. Pra, për të rregulluar çështjen e parkimit në Tetovë dhe të komunikacionit, detyrimisht NP të Tetovës duhet të operojë. Ne kemi të punësuar dhe ata të punësuar për momentin, pra janë dikund dy apo tre muaj me paga të vonouara…detyrimisht u konstatua që parkimi duhet të jetë me pagesë, ndërkohë që të gjejmë zgjidhje.

    Çka me shtëpitë që pengojnë zgjerimin e bulevardit “Bllagoja Toska”?

    Janë tri shtëpi që ndodhen në trasenë e paraparë për bulevard dhe për të cilat ka vendime për shpronësim, pronarët nuk janë të kënaqur me vlerësimin që është bërë nga komisioni komunal dhe shpresoj se do të gjejmë gjuhë të përbashket që të vazhdojë ndërtimi i bulevardit. Unë shpresoj se deri në pranverë të zgjidhet, akoma nuk jam ulur personalisht me pronarët të shohim nëse mund të gjejmë zgjidhje të përbashkët. Sektori i urbanizmit është angazhuar dhe pres të dorëzojnë raport dhe do ta zgjidhim këtë shpejtë. Do të ulem unë personalisht me pronarët dhe shpresoj se do të gjejmë gjuhë të përbashkët. Projekti i cili për momentin duhet të realizohet është segmenti nga spitali deri tel shkolla e mesme e tekstilit.

    Kasami foli edhe për mungesën e ujit në Tetovë. Ai tha se së shpejti qytetarët do të kenë ujë të pijshëm. Nga ana e komunës është ngritur një ekip i posaçëm që do të inspektojë projektin e ujësjellësit, gjegjësisht lëshimet në realizim.

    Kasami: Të gjitha informatat që i kisha derisa nuk erdha në këtë vend, ishin se Tetova ka humbje uji në rrjetin e brendshëm, as që e mendoja se në projekt ku janë harxhuar miliona, nuk mund të jetë funksional. Tash bindem me problemet aktuale se ky ujësjellës nuk mund të jetë në funksion. Andaj që mbrëmë dhashë urdhër të formohet komision që do të bëj revizion të gjithë projektit. Për informatë të opinionit, ky projekt edhe nuk është i pranuar pra nuk ka pranim teknik. Tashmë i është dhënë urdhër revizorit të bëj hetim të projektit dhe pastaj të dalim me informatë sesa do i kushtoj komunës vënia e tij në funksion dhe a ka levërdi ta vemi në funksion apo të gjejmë zgjidhje tjetër.

    Shkeljet me parkingjet dhe shtegun e biçikletave. A është marrë raporti i revizorit nga ana e komunës?

    Kasami: Raporti i revizorit është marrë, avokati të cilin e kemi angazhuar është në përpilim të padisë. Deri në fund të javës, sipas informatave, padia do jetë e dorëzuar në prokurorinë publike. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Me cilën palë të PD-së do bashkëpunojë Rama?

    Lajmi i rradhës

    “Besa Trans” nesër i hiqet licenca për aktivitet turistik

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë