Një botëror madhështor!

    REDI SHEHU

    Kupa e Botës Katar 2022 mbaroi. Pati edhe një fitues si Argjentina, e cila e nisi mbrapsht për ta përfunduar atë për së mbari. Pati edhe skuadra si Gjermania e cila u mundua ta niste për “së mbari” duke iu imponuar kulturalisht dhe politikisht mikpritësve, për ta përfunduar atë në formën më të mbrapshtë të mundshme. Me mbarimin e kupës, do të mbarojë edhe një cunami shpifjesh dhe trillimesh, të cilat shoqëruan këtë kupë që në fillimet e saj.

    Me mbarimin e kupës, do të mbarojë edhe entuziazmi futbollistik, i cili ngop turmat me eufori të përkohshme për t’u shpëtuar streseve të përhershme. Me mbarimin e kupës, fillon edhe përjetësimi i idhujve të rinj të gatshëm për t’u adhuruar nga miliona “skllevër”, të cilët i vetofrohen këtij procesi anestezie, që mpin trurin dhe paralizon gjymtyrët. Katar 2022 do të ngelet në historinë jo vetëm të futbollit, por edhe të manualit kulturor, me të cilin bota gjithmonë është përpjekur për ta udhëzuar veten drejt zgjidhjesh sa herë ka rënë në kolapsin e përballjes me të ndryshmen ndaj saj. Katar 2022 nuk qe thjesht një kupë bote siç rëndom ndodh. Kësaj radhe, fatkeqësisht, një seri shtetesh dhe mediash, me të cilat ata përfaqësohen, tentuan ta transformojnë eventin më të rëndësishëm botëror të futbollit në skenën më të madhe të konfliktit kulturor, një rast i mrekullueshëm për të ringjallur nga koma përplasjen e qytetërimeve aq shumë të lakmuar nga disa “elita”.

    Midis fjalëve të Morgan Freeman-it: “Ne mblidhemi këtu si një fis i madh, ndërsa toka është tenda nën të cilën të gjithë ne gjallojmë” dhe bojkotit të një seri shtetesh dhe televizionesh perëndimore, qëndronte Ghanim al Muftah, një djalosh katarez me gjysmë trupi, si metafora e gjallë e asaj se si bota ka ndërtuar marrëdhëniet e gjymtuara brenda saj. Karshi bojkotit të pakuptimtë të disa mediave të mëdha perëndimore, përfshirë edhe BBCnë, qëndronte një ceremoni hapjeje madhështore, jo vetëm për nga teknologjia dhe organizimi i paparë ndonjëherë, por edhe për nga dimensioni human të cilin ajo e përshkonte. Katari deshi ta fillonte Kupën e Botës me një leksion ndërkombëtar kundra keqvendosjes së roleve, përkundrejt natyrshmërisë që secili komb ka në këtë konstelacion njerëzor.

    Jam munduar te gjej arsyet e kësaj kokëfortësie kryesisht evropiane, dhe të vetmin shpjegim që gjej është racizmi kulturor. Për disa vende apo edhe disa “elita”, është i padurueshëm fakti se si eventi më i madh futbollistik i botës të mbahet në një vend të Lindjes se Mesme. Në fakt, nuk kanë faj, janë mësuar t’i konsiderojnë si koloni, por ja që gjerat kanë ndryshuar. Kanë kaluar 150 vite nga kolonizimi si mendësi dhe praktikë dhe sot Katari është një ndër pesë vendet me të ardhurat vjetore më të larta në botë, me mbi 145.000 dollarë për frymë.

    Zhvillimi ekonomik dhe teknologjik është shumë më lart sesa vendet e BE-së. Shumë prej pretendimeve të ngritura nga rojtaret e racizmit kulturor, kanë filluar me procesin e përzgjedhjes së Katarit si vend organizator duke e akuzuar atë se ka blerë FIFA-n. Por, nuk thonë se ata që orientuan procesin e përzgjedhjes, nuk ka qenë Katari (sepse nuk mund ta bënte), por Sarkozi dhe Platini, të cilët ndërhynë në proces në favor të Katarit sepse kishin hallin të mbyllnin një kontratë miliardëshe shitjeje avionësh ndaj këtij të fundit.

    Vërtet ka pasur një histeri dezinformuese lidhur me të drejtat e njeriut në Katar, bazuar edhe në një të shkuar pak problematike për sa i përket ligjit Kafala të punësimit, por asnjë nga mediat ndërkombëtare nuk përmendën që ky ligj ka rënë shumë vite me parë. Organizata Ndërkombëtare e Punësimit të Kombeve të Bashkuara, qartazi ka lavdëruar Katarin për reformat në këto të drejta përfshirë edhe heqjen e regjimit të vizave për punonjësit, vendosjen e një page jo diskriminuese dhe lehtësimin në maksimum e të drejtave të punësimit.

    Të njëjtin inkurajim për Katarin kanë dhënë edhe shumë unione ndërkombëtare të tregtisë duke e profilizuar si vendin me ligjet më të mira të të drejtave të punësimit në të gjithë rajonin. E gjithë kjo histori e superioritetit moral të nënkuptuar të evropianëve lidhur me të drejtat e punëtorëve apo atë të njeriut, bie erë kur mendon se si u shfrytëzuan koloni të tëra për të ndërtuar Evropën dhe se si pasardhësit e këtyre kolonive mbahen nëpër getot evropiane të cilat janë një turp i multikulturalizmit dhe barazisë në të drejta dhe shërbime.

    Shumë prej nesh e ka dëgjuar shifrën prej 6.500 viktimave në ndërtimin e stadiumeve të Katar 2020, shifër kjo e katapultuar së pari nga “The Guardian” dhe me vonë në formën e një pandemie dizinformuese u shpërnda jo pak, por 400 mijë herë në të gjitha mediat botërore. Në fakt, del se kjo shifër nuk ka lidhje me realitetin e kupës se botës. Sipas “Middle East Monitor”, numri i vdekjeve që lidhen direkt me ndërtimin e stadiumeve të Katarit në periudhën 2011-2020 është 37 veta.

    Ajo që gazeta angleze përmend, janë vdekjet në total të ndodhura gjatë një dekade në Katar nga të gjitha shkaqet e mundshme përfshirë edhe periudhën me vdekshmëri të lartë të pandemisë. Lëre pastaj kur kundërshtia arrin majën fokusuar te LGBTQ, duke anashkaluar traditën dhe konstruktin ligjor e moral të një vendi bazuar në normat e veta fetaro-juridike. Kjo kryeneçësia për t’i imponuar çdo civilizimi kushte të caktuara me metoda aspak demokratike nën emër të demokracisë, është impresionuese. Nëse çështja e LGTBQ-ve mbart aq vlera sa thuhet, do të ishin vetë kombet që do ta përqafonin atë pa pasur nevojë për presione e lobingje.

    Aq më tepër, një çështje e cila nuk ka kaluar as provimin bazë të demokracisë siç është edhe referendumi popullor. Janë zhvilluar plot kampionate botërore, por në asnjë prej tyre nuk kemi parë një histeri të tillë edhe kur bëhej fjalë për vende si Rusia, Meksika, Afrika e Jugut apo Brazili, standardet e të cilave është e kotë t’i komentojmë. Nuk pamë nga mediat ndërkombëtare të bojkotonin apo të fillonin një fushatë ndaj Rusisë, ku demokracia dhe të drejtat e njeriut janë në nivelet më alarmante të mundshme. Nuk u fol për kushte pune, as për homoseksualë, në një vend i cili i ka përndjekur vazhdimisht ata. As për korrupsionin akut dhe kriminalitetin e Meksikës, Afrikës së Jugut apo Brazilit nuk pati një fushatë të tillë. Një hipokrizi e kësaj natyre nuk meriton të vishet as me mantelin e fisnikërisë dhe ndershmërisë. Ky kampionat ishte i standardeve më të larta për sa i përket infrastrukturës, teknologjisë, stadiumeve, akomodimit dhe mbi të gjitha humanizmit të shfaqur në çdo detaj.

    Dialogu më madhështor i gjithë këtij eventi, ishte ai i bërë gjatë ceremonisë së hapjes së Kupës së Botës ne Katar. Ishte thirrja më bujare që popujt të njohin njëri-tjetrin duke i dhënë fund kështu çdo forme paragjykimi e për pasojë çdo forme konflikti. Një premisë e tillë nuk ishte parë e dëgjuar në ngjarje te tilla. Sikur vetëm kjo të ndodhë dhe asgjë tjetër, ia vlen i gjithë organizimi dhe i gjithë Botërori. Diplomacia kulturore me këtë dialog mbresëlënës arriti majat, bash në kohën më të duhur të mundshme, kur sirenat eurocentriste buçisnin shurdhueshëm pak ditë para fillimit të kampionatit. Në fakt, ky doli të ishte kampionati më i suksesshëm dhe më i paarrirë në historinë e kampionateve botërore të futbollit si për të vërtetuar se bota nuk është më ajo e klisheve dhe e stereotipave dhe për t’u treguar atyre që akoma nuk e besojnë se koha e kolonizimeve ka marrë fund. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    RRITJA E PAGËS MINIMALE | 2023-ta, mes dëshirave dhe realitetit

    Lajmi i rradhës

    Tetova vazhdon të ngufatet, zgjidhja te planifikimi urban

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë