“Masakra e Reçakut” | Partitë politike shqiptare në RMV: Ky martirizim do të dëshmojë kauzën e drejtë të lirisë së Kosovës

    Partitë politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut në vigjilje të 24 vjetorit të masakrës së Reçakut kanë rikujtuar këtë gjenocid, duke theksuar faktin se kjo ngjarje do të trokasë në ndërgjegjen e botës mbarë për të dëshmuar atdhedashurinë, kauzën e drejtë të lirisë së Kosovës. Masakër e cila ishte pikë kthese në qasjen ndërkombëtare ndaj Kosovësn, përcjell Nistori.

    Lëvizja Besa

    15 janari 1999 shënon një nga ditët më të errëta në historinë tonë shqiptare – Masakrën e Reçakut. Në këtë ditë 45 civil shqiptarë, fëmijë, gra dhe të moshuar u masakruan barbarisht nga forcat paramilitare serbe.Krimet e bëra në atë kohë duhet dënuar me ashpërsinë më të madhe, si një nga ngjarjet më tronditëse të 30 viteve të fundit. Në atë kohë, Ambasadori Wallker e quajti “krim kundër njerëzimit”.Andaj, ne sot kujtojmë të rënët dhe familjarët, sakrifica e tyre për Kosovën do të shkruhet me gërma të arta në historinë tonë të lavdishme!

    Aleanca për Shqiptarët

    15 janarin e vitit 1999 e kujtojmë me emocione. Atë ditë, bota u zgjua me lajme për masakrimin e 45 shqiptarëve në fshatin Reçak nga forcat policore, ushtarake dhe paramilitare serbe.

    Ambasadori amerikan i OSBE-së William Walker në Reçak faktoi gjenocidin e Serbisë në Kosovë dhe i tha botës se politika e Millosheviçit nuk guxon të tolerohet më tej, gjë që ndërroi kahjen e zhvillimeve në Kosovë dhe solli Konferencën e Rambujesë dhe më pas fushatën e bombardimeve të NATO-s mbi Serbinë, duke i hapur rrugën pavarësisë së Kosovës.

    Serbia, sot e kësaj dite, asnjëherë nuk i ka pranuar gjenocidet e kryera në hapësirën e ish-Jugosllavisë dhe nuk është distancuar nga politikat millosheviçiane. Përkundrazi, atje gjenocidarët dhe kriminelet e luftës, të atëhershëm dhe të sotëm, vazhdojnë të glorifikohen, ndërsa shteti serb sponsorizon veprime destabilizuese dhe luftënxitëse në rajon.

    Arbën Xhaferi thoshte se “faktori ndërkombëtar me vonesë do ta kuptojë gabimin, kur lejoi që luftërat në hapësirat jugosllave të përfundojnë pa emërimin e fajtorit”. Andaj faktori politik shqiptar duhet të jetë i bashkuar dhe unik për të përballur çdo ditë Serbinë me të kaluarën e saj gjenocidale.

    Bashkimi Demokratik për Integrim

    24 vjet më parë bota do të zgjohej e tmerruar nga jehona e një krimi të tmerrshëm, në Reçak u masakruan mbi 45 civilë të pafajshëm. Ky martirizim do të trokasë në ndërgjegjen e botës mbarë për të dëshmuar atdhedashurinë, kauzën e drejtë të lirisë së Kosovës.

    Qëndresa heroike e mbarë popullit për të mos lëshuar asnjë pëllëmbë nga tokat e tyre do të zgjojë reagimin e duhur të SHBA-ve dhe Europës për të dënuar dhe ndalur përgjithmonë agresionin dhe gjenocidin e Serbisë në Kosovë.

    Lavdi e përjetshme martirëve të Reçakut dhe të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës!

    Alternativa – AAA

    Dyzetepesë shqiptarë të paarmatosur u vranë dhe u masakruan mizorisht nga policia dhe ushtria barbare serbe si sot 24 vjet më parë në Reçak. Dyzetepesë jetë u shuan për të jetuar përgjithmonë në kujtesën tonë dhe të botës, si dëshmi për krimet e Serbisë kundër njerëzimit.

    Sot në Reçak kujtuam me dhimbje këtë ditë dhe u lutëm për shpirtin e 45 bashkëkombasve, martirë për liri. Krimet serbe në Kosovë nuk do të harrohen dhe për to duhet të ketë përgjegjësi e drejtësi!

    Lavdi të rënëve!

    Lajmi Paraprak

    Konfiskohet drogë me vlerë prej 300 mijë euro nga dogana e RMV-së

    Lajmi i rradhës

    Gashi: Takimet me Albin Kurtin, të frytshëm për kombin dhe dy vendet tona

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë