Përgjegjësia personale dhe peshku i qelbur nga koka

    GENC POLLO

    Në shtator 2005, një per son u arrestua nga Policia se kishte nxjerrë e shitur tezën e provimit për pranimin e maturantëve në një fakultet të njohur. Provat e dëshmitë, ku përfshiheshin edhe raporte miqësore mes të dyshuarit dhe disa nëpunësve të fakultetit, ishin rënduese e bindëse. Megjithatë, Prokuroria pas një viti e arkivoi çështjen pa ngritur akuzë. Mbasi plasi skandali, unë, asokohe ministër i Arsimit, kërkova që universiteti e fakulteti të bënin një hetim administrativ të brendshëm, për të sqaruar rrethanat e përcaktuar masat e pasojat jashtë përgjegjësisë penale. Reagimi ishte që “ne nuk kemi pse të bëjmë gjë se e ka marrë në dorë Prokuroria”; shto këtu edhe një kujtesë për “autonominë universitare”. Që atëherë e kam kujtuar gjithmonë këtë rast si shembull tronditës të papërgjegjshmërisë. Por, për të shikuar pozitiven te problemi, mund të them se ky rast gjithashtu u bë një shtysë më shumë për të shpejtuar në vitin në vijim me provimin kombëtar të standardizuar (Matura Shtetërore), mbi bazën e të cilit menaxhohej pranimi i maturantëve në universitete (sistemi Meritë/Preferencë).

    17 vjet më vonë, evitimi i përgjegjësisë personale e institucionale ndër ofiqarët publike është ngjitur në maja ku është trashur nga koka te vithet.

    Kryeministri Rama për aferën e inceneratorëve ka deklaruar se ky projekt ka pastruar Shqipërinë nga plehrat dhe se edhe sot e kësaj dite do ta bënte njëlloj siç e bëri. Ndërkohë, KM Rama nuk jep shpjegim për shkeljet ligjore, për faktin se inceneratorët nuk djegin ende plehrat, pra, nuk mund të luajnë rol në pastrimin e ambientit; për qindra mijë euro taksa-pará që paguhen çdo muaj personave në kërkim nga drejtësia. Rama thotë se nëse ndonjë zyrtar ka ndyrë dorën pas shpinës së tij, atëherë është krejt faji i atij zyrtari dhe i askujt tjetër. Por zbulimin e fajit (të dukshëm) e kanë të tjerë jashtë qeverisë. Gjithsesi, Rama ka folur duke shpjeguar qëndrimin e tij dhe gjithkush mund të gjykojë për rastin; e shumëkush mund të konkludojë se qeveria i shmanget përgjegjësisë individuale e institucionale, në mos po rreket të mbulojë zullumin me shoshë.

    Kush ka menduar se papërgjegjshmëria e rastit më lart është e patejkalueshme në fillim të këtij viti do të ketë konstatuar se për rilindistët nuk ka gjë të pamundur. Në 11 janar u arrestua sekretari i përgjithshëm dhe një drejtor në Ministrinë e Financave; akuza ishte se një personi privat që për një pretendim pronësie ishte dëmshpërblyer njëherë nga shteti me 2500 euro në vitin 2015, këta i akorduan sërish në 14 shtator 2022 një dëmshpërblim të dytë 480 herë më të madh. Ky rast spikat jo vetëm nga banaliteti i artificit abuziv, por edhe se në këtë nivel është rasti i dytë i arrestimit të ofiqarit në detyrë (rasti i parë ishte i deputetit të inceneratorëve për firmosje, vini re, si sekretar i përgjithshëm ministrie). Por çfarë e bën këtë skandal vërtet pa precedentë, është që deri sot kur po shkruaj këto radhë, katër ditë mbas arrestimit, ministri i Financave, znj. Delina Ibrahimi, nuk ka folur as edhe një gjysmë fjale për ngjarjen në ministrinë që drejton. As për të thënë që po i pezullojmë dy zyrtarët e arrestuar e po bashkëpunojmë me Prokurorinë dhe as për të thënë se i konsideron të pafajshëm vartësit e viktimizuar nga intriga. Vetëm heshtje sikur të kishte ndodhur në një ministri në anën tjetër të rruzullit. Gjë që nuk ndodh as në Zullulandin e Faik Konicës. Jo se ministrit i erdhi arrestimi si surprizë: në 28 dhjetor, e pyetur nga gazetarët për këtë hetim, ministri deklaroi se “sigurisht që jam në dijeni dhe Prokuroria do të bëjë punën e vet”. Për të vazhduar me shpjegimin shvejkian se “Ministria e Financave dhe e Ekonomisë kryen pagesa, në funksionin e saj primar ka kryerjen e pagesave përmes Thesarit, për llogari të qeverisë”.

    Në periudhën hetimore tetor-dhjetor, kur ministri ishte në dijeni të hetimit mund fare kollaj përmes auditit të ministrisë ose një grup kontrolli të posaçëm të analizonte urdhërpagesën e 14 shtatorit dhe nëse e gjente të kundërligjshëm e anulonte atë dhe pezullonte e lironte nga detyra zyrtarët përgjegjës. Pa interferuar fare me hetimin penal. Ose ministri e quan normale që shteti të paguajë dy herë e kripur për të njëjtën gjë e në këtë rast duhet të rreshtohet përkrah të arrestuarve. Këtë ne nuk e dimë dhe nuk lipset të telepatisim Ibrahimin.

    Por ajo që mund të themi me plot gojën është se heshtja e gjatë e ministrit për skandalin e shtëpisë ministrore është skandali më ekstrem. Edhe në Zululand nuk do të mbetej zulu pa protestuar në rrugë deri në dorëheqjen e ministrit. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Kovaçevski: Do të ketë drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve

    Lajmi i rradhës

    Gjashtë tentimet e të riut nga Kukësi për të hyrë në Britani: Kam frikë se do ta provoj prapë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë