ZVARRITJA E LËNDËVE GJYQËSORE | Lloga: Ambasadorja amerikane e ka thënë atë që tashmë opinioni e ka thënë më herët

    “Maqedonia po kalon pjesën më të rëndësishme të historisë së saj dhe ka sfidën më të madhe politike, që janë ndryshimet kushtetuese. Po ashtu sfida tjera janë në gjyqësi dhe prokurori, ku duhet të ketë reforma, në mënyrë që këto institucione të jenë më transparente dhe më llogaridhënëse, si dhe të jenë në shërbim të qytetarëve”.

    Këtë mes tjerash e tha ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, në një intervistë ekskluzive për Telegrafi Maqedoni. Ai deklaroi se është i vetëdijshëm se është udhëheqës i ministrisë më të vështirë në vend, por u shpreh optimist se shumë punë do të zgjidhen për të mirë.

    Në lidhje me ndryshimet kushtetuese, ai tha se Grupi i punës përfshinë 10 ekspertë të Kushtetutës dhe janë njerëz që janë marrë me këto zhvillime edhe më herët. Ai beson se komplet ky grup së bashku me përfaqësuesit e partive politike do ta kryejnë punën e tyre për një periudhë të shpejtë kohore.

    “Po punojmë që të arrijmë numrin e nevojshëm për ndryshimet kushtetuese. Pasi është zgjidhja e vetme për të ecur drejt BE-së, pasi e dimë se mund të na përsëritet rasti i Bukureshtit ku e humbëm mundësinë që së bashku me Kroacinë të ecim drejt BE-së”, tha Lloga.

    I pyetur për heqjen e “20%” nga Kushtetuta, ministri Lloga i ftoi të gjitha partitë shqiptare që të jenë pjesë e procesit të ndryshimeve kushtetuese.

    “Nga prononcimet publike partitë shqiptare janë dakord që të heqim 20 përqindëshin nga Kushtetuta. Por më vjen keq që partitë opozitare shqiptare, Lëvizja Besa dhe Alternativa nuk e panë të arsyeshme të jenë pjesë e Grupit të punës për ndryshimet kushtetuese. I ftoj edhe partitë shqiptare edhe VMRO-DPMNE-në që të jenë pjesë e këtij momenti historik të vendit”, tha Lloga.

    Ndërsa sa i përket letrës së ambasadores amerikane Angela Aggeler, e cila shprehu shqetësimin për zvarritjen e lëndëve gjyqësore, në të cilat të akuzuar janë funksionarë dhe ish-funksionarë shtetërorë, Lloga tha se ambasadorja amerikane e ka thënë atë që tashmë opinioni e ka thënë më herët.

    “Letra e ambasadores amerikane shpreh shqetësimet që janë thënë edhe nga ministria edhe nga opinioni. Për momentin po përgatisim strategjinë 2023-2027 në të cilën ka ndryshime ligjore, me të cilat besojmë që lëndët gjyqësore të profilit të lartë të marrin epilog gjyqësor”, tha Lloga.

    I pyetur për rastet e montuara gjyqësore në RMV, Lloga tha se këto lëndë duhet të zgjidhen ose nga një mision i BE-së ose nga institucionet vendore.

    “Ajo që mbetet shqetësim i këtyre dy dekadave është se njerëz të pafajshëm qëndrojnë në burgje. Gjithë këto pretendime jemi munduar që të marrin zgjidhjen adekuate, kam kërkuar që është një mision vlerësues nga BE, i cili këto lëndë që ne i cilësojmë si raste të montuara të merret me to. Kjo është njëra rrugë, tjetra është nëpërmjet institucioneve tona, pra pres të ketë rigjykim për këto lëndë që ne mendojmë se janë të montuara, ose lëndëve të korrupsionit të lartë”, tha Lloga. Ai shtoi se në muajin maj pritet të mbahet seancë gjyqësore në Gjykatën Supreme për rastin “Monstra” dhe “Alfa”.

    Ndërsa sa i përket futjes së Aleancës për Shqiptarët në Qeveri, parti në të cilën Lloga është sekretar, ai tha se ka qenë vendim i vështirë, por që është marrë në momentin e duhur.

    “Futja në Qeveri është vendim strategjik që ASH e ka marrë në momentin e duhur. Pas atyre zhvillimeve në Kuvend, ku Qeveria ishte marrë peng nga deputetët për interesat e veta dhe pas intervenimit ushtarak rus në Ukrainë, vendosëm të reshtohemi krah aleatëve tanë politikë. Përveç reshtimit strategjik i japim mbështetje edhe ndryshimeve kushtetuese, që është moment mjaft i rëndësishëm për vendin. Para se të futemi në Qeveri kemi bërë referendum, në të cilin shumica kanë qenë pro hyrjes në Qeveri. Pas 100 ditëve do të bëjmë bilanc rreth asaj se çfarë kemi bërë dhe çfarë duhet të bëjmë”, deklaroi Lloga. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Maqedonia e Veriut telashe nga mosvaksinimi i fëmijëve

    Lajmi i rradhës

    Në shtëpinë e 20 arinjve dhe një luani

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë