Enver Gjerqeku
Lidhen rrënjët tona për një shkëmb lashtësie
Edhe bulza çelin nëpër dej të motit
Ato i rrit gurra bashkë me zjarr të lotit
Dhe qëndrojnë si pisha përballë çdo stuhie…
Dhe në çdo qëndresë u rrit kënga jonë
Fjala u strehua n’parzma të plagosur
Fjalë e lindur n’logje nuk ka kurrë të sosur
Ajo lind me gazin dhe n’shteg është jehonë
Nëpër vatra t’lëshuara që s’u shuan prore…
Idhujt e s’kaluarës mbetën përmendore
Dhe u ndrit si dielli plaga n’lule t’ballit
Porsi gojë e djegur shkrum në prush të mallit
Për një fjalë të dhënë n’shtrëngim të një dore
E kështu ruajtë e kemi atë fill të Ilirit
Nëpër gryka t’ngushta n’logje të ngadhënjimit
Nëpër prita t’egra n’fusha të dështimit…
Me shumë zemra vatrat mbrojt’ i kem’ te praku
Sa herë dorë e huaj shtriu thonjt’ e vet
Prandaj emri ynë gur ndër megje mbetet
Nëse rrashtat ngelen peng të një stuhie…
Dhëmb i kohës sonë prapë diku do t’mbie
Jo në nofull t’ujkut as n’gojë t’ndonj’ shejtnie
Po në buzë të foshnjes që shumë i ka hije
Sikur dritë e agut me gaz kur të bie…
Por një mësim të shtrenjtë gjyshat e paguan
Nëse ruan emrin dhe fytyrën n’mote
Ruaj zjarrin n’vatër Tjetër s’ke çka ruan…
Ja një xixë prej xixash n’kokën e Abdylit
Ndriti n’valë t’Bistricës rrëzës së Kalasë…
Edhe morri dhenë..N’parzmat e vegjëlisë
U bë strall i gjallë në mugtirë të motit
U shndërrua n’Besë-n’kala të vëllazërisë…
E për shkëmb do t’ngjizet dëshmi për brezni
Rrënjët tona t’hershme do t’i mbajë të gjalla
Mos ta shtyjmë më jetën veç me disa përralla
T’mos jemi mysafirë kurrë më n’shtëpi
Të mos jem argatë nëpër arat tona
Të mos jem monedha për kusure t’huaja
Të mos jem bedelë në ushtri të huaja
Të mos jem të shurdhët kur bie pranë kumbona
Të mos jemi t’verbër para ndonj’ mashtrimi
Të mos jemi memecë fjala kur na duhet
T’mos na mirren mendët para ndonj’ ndriçimi
Le të flasë mendja – goja le të ruhet…
E më Dhjetë Qershor kur gjak merr qershia
Disa koka t’vendit mbledhur janë n’Prizren
Jo për darka dasmash po për një Kuvend…
Zëri ynë prej gjakut do t’strehohet n’yll
Kur del nga një zemër të Ymer Prizrenit
Edhe ndrit si pisha në çdo skutë të vendit…
Vetlla ‘Sylejmanit – re mbi fron t’Turqisë…
Fjal ‘e Pashko kVasës që rrjedh nëpër gurra..
Mendja e Samiut hyn në çdo kuvend..
Thua paskem pasur më pak fat se mend
Po edhe Haxhi Zeka – Ali Pashë Gucia
Ja Hoxha Tahsini – Toska edhe Gega
U ngjall emri ynë si syth nëpër dega
U përtrinë damarët – mori frymë trim’ria
Dora këto troje do t’i kthejë në yll…
E n’lumenj të blertë do ta kthejë një pyll
Koka e një pop’lli që s’u ngi blerim
Që ia shtru’n livadhet përherë me pikllim
Dhe ia mbushën veshët me barut dhe dyll
Por ai si feniksi lindte n’hi të vet
Shkundte herë pas here blozën e robërisë
Vente nga një germë n’faqe t’historisë
Dhe krijonte këngën që as top s’e vret
Edhe brez pas brezi ruhej kënga n’gji…
Prandaj ngritëm flatrat zemrat i bëmë togje
Kur u amshtën ujrat e mendja ishte mpirë…
E njerkë historia Zemërgurë bimbashi
Që na shkuli lulet n’rrasë na la të shtrirë
Ne u rritëm n’baltë pa diell e pa hënë
Na vriglluan plisin ca stuhi t’pandara
Shputat pa opinga dhe në gjak të lara
Nëpër plangje t’huaja nata i ka zënë
E kështu t’braktisur n’emër t’Padishahut
Trojet tona t’lashta i lamë me pa hir
Morëm veç do lecka varur n’cip të krahut
Dhe për shtretër t’huaj eshtrat i bëmë fir…
Por shqim nuk na shkuli atë trohë dashuri
Që e mbajtëm n’bebza sikur çerdhen zogu
Prandaj linde ditën që na mbush me shpresë…
Ti o Lidhja jonë – më e shtrenjta besë
Vatra jonë e ndezur për mik dhe njeri
Dita jonë e madhe sa një histori
Ag i lindur n’parzma mbushur plot me shpresë
Ti i bashkon kombet në një shokë t’vëllezërisë
Ti je kokë pjellore me grurë të mendimit
Ti je hallkë e lidhur n’mote të ngadhnjimit
Magj’ me miell e mbushur për bark të vegjëlisë
Ti je më e vështira më e rënda shkollë…
Ti je kokë e burrit – e farkë për liri
Aty ku t’ra fara n’dritë t’një porosie
Lidhen rrënjët tona në një shkëmb lashtësie.
Enver Gjerqeku (1928-2008), Rrënjë lashtësie (Lidhja e Prizrenit), Poezi të zgjedhura, f.237, ASHAK, Prishtinë, 2001