Më 9 nëntor 1993, “Stari Most”, ura ikonike e Bosnjë e Hercegovinës, u shemb pasi u vu në shënjestër gjatë rrethimit të Mostarit. Tridhjetë vjet më vonë, ura e restauruar qëndron si një nga shembujt më të mirë në botë të rindërtimit të pasluftës, shkruan REL.
Ura e Mostarit u përfundua më 1566 me urdhër të sulltanit osman, Sulejmani I, arkitekti i të cilit përdori blloqe guri gëlqeror të prerë nga një gurore lokale.
Ura nuk ishte më e madhja e llojit të saj në kohën e ndërtimit, por dizajni i saj i hollë dhe harku i gjatë u bënë një ikonë e arkitekturës osmane. Një udhëtar i shekullit XVII shkroi: “Nuk kam parë kurrë një urë kaq të lartë. Ajo hidhet nga shkëmbi në shkëmb aq lart sa qielli”.
Ura i mbijetoi fazës së parë të Luftës së Bosnjës 1992-1995, ndërsa serbët e Bosnjës luftuan kundër boshnjakëve dhe kroatëve për kontrollin e Mostarit. Por, kur boshnjakët dhe kroatët u kthyen kundër njëri-tjetrit, ura u bë një objektiv strategjik dhe simbolik për kroatët që e shihnin urën si një simbol të pushtimit.
Më 8 nëntor 1993 Ura e Mostarit u godit me rreth 50 predha nga një tank, ndërsa ushtarët kroatë brohorisnin për shkatërrimin e saj nga një pozicion në majë të kodrës.
Në orën 10:16 të mëngjesit të 9 nëntorit, Eldin Palata, një 17-vjeçar banor i Mostarit po regjistronte video teksa ura u godit nga një predhë që bëri që struktura të rrëzohej në lumin Neretva.
Palata më vonë kujtoi se kishte filmuar momentin surreal të shembjes së urës. “Kur shikon nga këndi i kamerës, gjithçka është bardh e zi”, i tha ai një gazetari. “Të duket si një ëndërr dhe ju mendoni, ‘Nëse e largoj syrin nga kamera, ura do të qëndrojë ende atje'”.
Në vitet e pasluftës, në vend të urës së vjetër të shkatërruar u ngritën ura të ndryshme këmbësore që shqetësonin nervat.
Thirrjet për rindërtimin e urës ikonike prej guri duke përdorur të njëjtat materiale si origjinali, u drejtuan nga arkitekti i Mostarit Amir Pashiq. Në vitin 1993, Pashiq, i cili në atë kohë jetonte jashtë vendit, filloi të shpërndante “ftesa” për rihapjen e urës më 2004 — 11 vjet në të ardhmen. Ai më vonë kujtoi se njerëzit “po qeshnin” me qëllimin e largët dhe ambicioz pasi lufta në Bosnje ishte ende në vazhdim.
Në vitin 1998, projekti për restaurimin e urës dhe mjedisit rreth saj filloi zyrtarisht me financim nga Kroacia, Franca, Italia, Holanda dhe Turqia.
UNESCO siguroi mbikëqyrjen teknike të projektit të rindërtimit, dhe u përdorën gurë nga e njëjta gurore lokale që ndërtuesit osmanë zgjodhën më shumë se 400 vjet më parë. Guri gëlqeror është i bardhë kur pritet rishtas, por zbehet në gri me kalimin e kohës.
Në korrik të vitit 2004 — viti që Amir Pashiq e kishte planifikuar 11 vjet më parë — ura u rihap zyrtarisht. Projekti i rindërtimit kushtoi rreth 15.5 milionë dollarë.
Pas vitesh lobimi për rindërtimin e urës, Pashiq tha se ndihej “shumë i emocionuar dhe shumë i lodhur” gjatë rihapjes më 2004.
“Në mes të ceremonisë, kur gjithçka po shkonte mirë, munda të pushoja. Në atë moment isha i lirë”, tha ai.