“Armiku i popullit” sonte përballë publikut tetovar në Teatrin e Tetovës

    Sonte (15.10.2022) në ora 20:00 në Teatrin e Tetovës do të jepet premiera e shfaqes “Armiku i popullit” me autor Henrik Ibsen dhe me regji të Arben Kumbaros, shkruan Nistori.

    Kasti i aktorëve

    Arsim Fazlija, Blerim Ismani, Petrit Neziri, Elmedina Ahmeti, Sheqire Ilazi, Muzafer Etemi, Argjend Hasani, Berat Saliu, Sami Mustafa, Ali Qerimi, Shpëtim Beadini, Hasim Memishi- Sopi, Ermal Çanga, Bekim Jahiu, Arlind Selimi, Jetmir Arifi dhe Altrim Mamuti.

    Asistent regjisor i shfaqes është Elmir Sejfullai, skenografia nga Bilgaip Koçishte – Bige, kostumografia nga Medina Hoxha, kompozimi muzikor nga Blerim Qamili, performanca muzikore nga Blerim Osmani dhe Leart Misimi, ndërsa plakatin e ka përgatitur Nagip Ismaili – Nagi.

    Fjala e regjisorit Arben Kumbaro

    𝑨𝒓𝒎𝒊𝒌𝒖 𝒊 𝒑𝒐𝒑𝒖𝒍𝒍𝒊𝒕 në Tetovë, një qytet, ku të gjitha rrugët të çojnë tek Teatri, Teatri nuk është një gjë e rëndësishme për jetën e qytetit. Si për të kundërthënë këtë të vërtetë të anashkaluar e të trishtë, “Armiku i Popullit” në Teatrin e Tetovës do përpiqet të flasë për gjëra me rëndësi në jetën e Tetovarëve.

    Vepra “Armiku i Popullit” e Ibsenit është mirëfilli një manifest politik në historinë e Teatrit Botëror. Fan Noli, ky gur themeli dhe udhërrëfyes i kulturës Shqiptare, që na bëri dhuratë përkthimin e kësaj kryevepre të letërsisë botërore, e ka quajtur Ibsenin, “kryerevolucionari intelektual” i shekullit të tij. “I madh si norvegjian, është ca më i madh si europian” – thotë ai.

    Heroi ynë në vepër, Doktor Stokman, ky tenor “par excellence” i lirisë njerëzore, kundërshtar i pakompromis i despotizmit, korrupsionit dhe amoralitetit politik është një “Maratonomak” i përmbysjeve epokale që ndodhën në Europë, në shekullin e njëzetë, një shekull ky i inspirimeve të skajshme utopike dhe skenave apokaliptike që ridimesionuan mbarë njerëzimin.

    Të vësh në pikëpyetje moralin tënd, të kesh kurajon të prishësh heshtjen dhe hipokrizinë sociale, të jesh i zoti të ndryshosh realitetin tënd, të jesh kritiku “armik” me çdo çmim ndaj padrejtësive, në çdo hapësirë të shoqërisë ku ti frymon, është një akt sublim, patriotik dhe emancipues për vendin dhe popullin tënd. Vënja e kësaj vepre në skenë, në Teatrin e Tetovës ka vetëm një qëllim. Të zgjojë!

    Hyrja është me bileta dhe mund t’i rezervoni çdo ditë pune nga ora 10:00-16:00 në numrat e telefonit: 044/351-231 dhe 070/880-711.

    Bileta për premiereën e sontme kushton 300 denarë, ndërsa për datën 21 tetor kushton 200 denarë. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    BE: Shqipëria të ulë borxhin, të paguhen detyrimet, kujdes me energjinë elektrike

    Lajmi i rradhës

    “Vlerë e jashtëzakonshme në demokracitë moderne është përfshirja e grave në mbrojtje”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë