Ata

    Kujtim Shabani / Fotografia: Halim Luta

    SHËNIME NGA TETOVA

    Kujtim Shabani

    Ata i sheh çdo mëngjes në një udhëkryq të Tetovës. Në grupe prej dy-tre vetash. Në behar e në acar të veshur me xhemperë me grykë dhe pallto. Sepse në behar kanë të ftohtë e në acar s’kanë ç’të veshin për më ngrohtë. Hanë fara kungulli dhe i ndjekin me sy veturat që ngadalësojnë shpejtësinë aty pari. Presin ndonjë zotëri t’i marrë në shtëpi të vete për ndonjë punë që s’e bën vet ose ndonjë brigadier t’i marrë për në kantier.

    Ata pas ndonjë ore s’i gjen më aty. Në udhëkryqin ku qëndronin, kanë ngelur vetëm lëvozhgat e farave të kungullit. Ata që u rekrutuan duhet ta provojnë se janë të fortë, të zellshëm dhe të vyer. Tetovarët mund të jenë edhe mizorë. Tetovarët janë shumë kërkues. Edhe vetë tetovarët që rekrutoheshin nga pronarë tetovarë biznesesh në bregdet ose në thellësi të Sllovenisë, të Kroacisë, të Bosnjës e të Serbisë ankoheshin për regjimin e punës së zotërinjve.

    Ata s’i sheh nëpër qytet duke shëtitur, ku dyndet e gjithë Tetova, me gjithë mërgimtarët e saj të shumtë, të cilët me njëri-tjetrin flasin gjermanisht. Ata s’i sheh nëpër ekspozita, ato të paktat që organizohen, sepse këto vende nuk i vizitojnë as qytetarët e Tetovës. Ata s’i sheh nëpër promovime librash, edhe pse shqipen, për fatin e tyre, e flasin më bukur se ndonjë nga autorët e librave që promovohen nëpër qarqet e kënduara të Tetovës.

    Ata s’kanë njeri t’u duket në darkë në banesë për vizitë. Ata s’i viziton njeri as për Bajram, sepse ata mbase nuk agjërojnë. Po mbase edhe agjërojnë tërë kohës për faj të asaj se mërgimtarët vetmitarë si ata, sikur edhe këta tanët dikur diku, ku kanë e ku s’kanë për të ngrënë e për të pirë. Ata mbase janë edhe “kaurë” e në Tetovë “kaurët” s’i qasin edhe me aq ngrohtësi. Ata s’kanë kujt t’i trokasin për një filxhan kafe, a sheqer…, a për një bar për dhimbje koke.

    Ata nuk sëmuren kurrë. Ata nuk kanë hesap të sëmuren. Ata nuk kanë as sigurim për spital, as lejeqëndrim në vend nga shteti. Ata nuk kanë këtu asnjeri t’u përkulet te kryet e t’u qëndrojë te këmbët. Kur pllakosi pandemia e madhe, për dy-tri vite, ata u zhdukën nga udhëkryqi i tyre. Nga Tetova fare. Ata e braktisën paranë dhe iu kthyen pasurisë: nënës e babës, gruas e fëmijëve… 

    Ata janë të varfër, por të dashur për njerëzit e tyre. Kur pas 50 vjetësh izolim, në 90-tën u dyndën nëpër ambasada për t’u arratisur, nënat e tyre i qanin me kaq trishtim tekangjellat. Andej nga vjen ndonjëri prej tyre, njerëzit e fisit paguajnë poetë popullorë për t’i vajtuar kur nisen për në mërgimin e fundit, për në dhe. Vajtimi i tyre të ngre flokët në këmbë. Një rit të tillë morti do ta dëshironin edhe zotërinjtë më të mëdhenj të Europës e të botës.

    Ata nuk i gostit asnjeri për ditëlindje. As të tyren, as të veten. Tetova një stinë të tërë tundet nga dasmat. Ata nuk i fton kush në festë. As brigadier, as pronar, a fqi, asnjeri. Ata mbase do të duan të ngrenë një dolli në dasmë… Po ata nuk shkojnë në dasmë me xhemperët me grykë dhe palltot e vjetra… Ata nuk protestojnë. Ata nuk qahen. As ua qan hallin kush. Se janë pak. Se nuk kanë të drejtë vote. 

    Ata nuk janë në radhë të parë punëtorë. Ata janë në radhë të parë njerëz. (Kështu e ironizon shkrimtari zviceran Max Frisch dyshimin e opinionit ksenofob të këtij vendi me mirëqenie kur emigrantët nisën t’i sjellin në Zvicër familjet e tyre: “Ne kërkuam punëtorë, na erdhën njerëz”.

    Po ata për të cilët flasim këtu nuk janë vetëm njerëz. Ata janë vëllezërit tanë!

    *Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    Humbja kërkon gjykime, jo inate politike

    Lajmi i rradhës

    Shkupi pret takim me Sofjen në Hagë

    Lajme tjera

    ‘E kanë vra’

    Merita Bërdica E kanë vra…Në qytetin rranjë gurësh,thuhet se,“Grueja ka lindëprej brinj’s burrit!”Sa herë nanen e pyestebuza b’za…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë