Sundimi i ligjit (why the hell not)!?

    Zufer Bajrami
    Shkenca politike – Marrëdhënie ndërkombëtare

    Edhe para vitit 2001, ligjet dhe Kushtetuta e Maqedonisë, përveçse injoronin pothuajse tërësisht ekzistencë dhe rolin e shqiptarëve si një e katërta e popullsisë së shtetit, në aspektin e të drejtave dhe lirive të njeriut si kategori horizontale, nukpërmbanin dispozita të hapura diskriminuese që targetonindrejtpërdrejt shqiptarët.

    Megjithatë, në praktikë, shqiptarëtpërjetonin një margjinalizim të thellë dhe sistematik nga tëgjitha nivelet e pushtetit shtetëror.

    Marrëveshja e Ohrit e vitit 2001 përbën një kthesë historike. Përherë të parë, shqiptarët u njohën si element  shtetformues, me të drejta kolektive dhe mekanizma për të parandaluar dominimin e shumicës. Konceptit të barazisë horizontale iu shtua edhe një dimension vertikal. Njohja e shqiptarëve si entitet politik me të drejtën për të ndërtuar politika që korrigjojnë padrejtësitë e së kaluarës dhe parandalojnë përsëritjen e tyre në të ardhmen.

    Një nga shtyllat kryesore të marrëveshjes ishte parimi i “përfaqësimit të drejtë dhe adekuat” në administratën shtetërore. Ky koncept u bë spiranca kryesore e diskursit të politikës shqiptare mbi zbatimin e marrëveshjes. Mantra e “përfaqësimit” u bë aq e zëshme, saqë gati e reduktoi gjithë Marrëveshjen e Ohrit në një “marrëveshje për përfaqësim”.

    Diskursi i elitave të atëhershme politike shqiptare ishte se ky mekanizëm do të shërbente për të zgjidhur dy probleme: përmirësimin e përfaqësimit si ndreqje e një padrejtësie historike që garantonte mbrojtje nga padrejtësia dhe diskriminimi në të ardhmen. Dhe zbutjen e varfërisë dhe papunësisë së shqiptarëve (si efekt direkt nga punësimet), por edhe duke hapur shtetin dhe resurset shtetërore për të nxitur dhe mobilizuar aktivitetin ekonomik të shqiptarëve në zonat me shumicë shqiptare.

    Nuk mund të thuhet se gjendja është njësoj si para vitit 2001, por pas më shumë se dy dekadash, as nuk mund të thuhet se kjo strategji ishte një sukses. Përkundrazi, me lehtësi mund të thuhet se politika shqiptare ka dështuar në të dyja drejtimet.

    Edhe pse numerikisht shqiptarët janë më të përfaqësuar në institucione, ndikimi i tyre në transformimin real të këtyre institucioneve është thuajse i papërfillshëm. Kultura dhe mentaliteti i vjetër institucional, që dikur i përjashtonte dhe diskriminonte shqiptarët, mbetet i pandryshuar. Ironikisht, shqiptarët e “përfaqësimit të drejtë dhe adekuat”, të cilët supozohej se do të ishin pararojë e barazisë dhe ndryshimit, shpesh përballen vetë me diskriminim nga i njëjti sistem që duhej ta ndryshonin.

    Politika e përfaqësimit do të kishte mundur të japë rezultate më të qëndrueshme, po të ishte ndërtuar mbi kritere meritokracie dhe profesionalizmi. Por kjo nuk ndodhi. Në vend që përfaqësimi të shërbente si mjet për ndërtimin e institucioneve funksionale dhe gjithëpërfshirëse, ai u kthye në instrument për ndërtimin e rrjeteve klienteliste. Në vend që të sfidonte logjikën e vjetër të qeverisjes dhe mentalitetin refuzues e diskriminues, politika shqiptare shpesh e përqafoi atë, madje shpeshherë duke gjeneruar forma të reja refuzimi e diskriminimi.

    Sot, problemi nuk është mungesa e ligjeve apo e kornizës formale, por mbizotërimi i praktikave informale që shpesh i keqinterpretojnë ose i anashkalojnë ato që janë të shkruara në letër. Pa sundim të ligjit që garanton qasje të barabartë dhe të paanshme për të gjithë qytetarët, nuk mund të ketë barazi reale, as përfaqësim me peshë.

    Është koha e fundit të largohemi nga standardet e dyfishta, nga kompromiset e fshehta dhe nga përfaqësimi si pjesëmarrje pa substancë. Zgjidhja nuk është ndonjë operacion i komplikuar. Zgjidhja është zbatimi i ligjit si standard i përgjithshëm. 

    Ligji duhet të zbatohet çdo herë. Kur ligji është i padrejtë apo i papërshtatshëm, atëherë politika duhet të angazhohet për ta ndryshuar.

    *Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    MMPT akuzoi Bilall Kasamin për PR para zgjedhor në lidhje me shpërndarjen e vauçerëve

    Lajmi i rradhës

    Mëngjeset me 400 kalori

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë