Bashkëjetesa te shqiptarët në kontekstin multikulturalist të proceseve globalizuese

    Edurt Caka

    Bashkëjetesa ka qenë njëra prej shtyllave kryesore mbi të cilën e mbështetën ligjërimin e tyre rilindasit shqiptarë gjatë gjysmës së dytë të shek. XIX dhe fillimeve të shek. XX. Kjo, veç të tjerash, edhe me qëllimin e krijimit të një uniteti etniko-kulturor midis pjesëtarëve të komuniteteve të ndryshme fetare te një komb i vetëm, fenomen të cilin nuk e hasim tek fqinjët e tjerë ballkanikë. Kështu, ndonëse një shekull më parë bashkëjetesa na shfaqej si një “pengesë” në procese nacionaliste, ndryshe ndodh në kontekstin globalist ku multikulturalizmi përbën sfidën kryesore të shoqërive moderne. Parë nga ky këndvështrim, bashkëjetesa te shqiptarët del në pah si një vlerë dhe “model” për shoqëritë e tjera që përballen me diskriminimin, ksenofobinë dhe urrejtjen e “tjetrit”. Përmes kësaj kumtese tentoj të evidentoj veçoritë e fenomenit të bashkëjetesës tek shqiptarët si dhe sfidat me të cilat ajo përballet në kontekstin e multikulturalizmit në epokën globale duke u përpjekur t’i përgjigjem edhe pyetjes se a mund të jetë bashkëjetesa shqiptare një model për të tjerët.

    Hyrje

    Studimet mbi multikulturalizmin kanë vijuar të zhvillohen paralelisht me proceset globalizuese që ka përjetuar njerëzimi, aspekt i cili na lë të kuptojmë se moria e rasteve dhe qasjeve hulumtuese mbi këtë fenomen, sot kanë arritur në pikën kulminante. Për rrjedhojë, trajtimi teorik i multikulturalizmit ka konstatuar në një spektër tejet të gjerë, i cili ka ngërthyer brenda vetes  aspekte që kanë të bëjnë me etninë, kulturën, filozofinë, artin, kulturën etj., duke u vlerësuar nga disiplina të ndryshme shkencore dhe plotësuar në këtë mënyrë kornizën shkencore të studimit të kësaj fushe. Në këtë kuadër, punimet më të fundit në këtë drejtim i referohen kryesisht fenomeneve apo gjeografive të caktuara duke i analizuar ato sipas teorive apo pikëpamjeve multikulturaliste.[1]

    Në praktikë, multikulturalizmin dhe diskutimet mbi të i vërejmë më së shumti në vendet e zhvilluara, të cilat kanë vijuar vazhdimisht të thithin emigrantë nga vende e kultura të ndryshme. Kështu, gjatë proceseve integruese të këtyre minoriteteve në shoqëritë kryesisht perëndimore, aspekte të ndryshme si ajo në rrafshin juridik, etnik, fetar apo kulturor janë tema diskutimi për shoqëritë dhe institucionet akademike përkatëse, kjo në mënyrë që grupet e ndryshme të huaja të mund të bëhen pjesë e shoqërisë së vendit përkatës. Parë nga ky këndvështrim, mund të thuhet se Shqipëria qëndron në periferi të studimeve dhe diskutimeve mbi këtë fushë, pasi si një vend i brishtë ekonomikisht, ajo nuk përballet me problematika të ngjashme. Mirëpo, nisur edhe nga debatet që ndodhin në Perëndim mbi multikulturalizmin dhe aspektin e përkatësive të ndryshme fetare në veçanti, tradita e bashkëjetesës që ka ekzistuar te shqiptarët, ndoshta mund të shërbejë si një pikë orientuese për problematikat me të cilat përballen shoqëritë e zhvilluara në këtë drejtim.[2]

    Kjo përvojë e bashkëjetesës ndërfetare te shqiptarët konsiston në prezencën e tre besimeve tradicionale, atij katolik, ortodoks e islam, të cilët konsistojnë edhe në formuesit e hartës fetare të shqiptarëve. Aty nga fundi i shek. XIX religjioneve në fjalë do t’u shtoheshin edhe ungjillorët. Po ashtu, gjatë dekadave të para të shek. XX në Shqipëri do të transferohej edhe kryegjyshata e bektashinjve, urdhër i cili aktualisht gëzon të drejtat e një komuniteti fetar më vete.Kështu, teksavijmë në vitet 1990 në Shqipëri u njohën zyrtarisht nga shteti të pesta komunitetet fetare në fjalë, duke e formësuar në këtë mënyrë edhe hartën fetare. Listës së mësipërme duhet t’i shtohet edhe bashkësia e vogël e hebrenjve që jetojnë në vend, të cilët kanë hapur në vitin 2010 edhe sinagogën e parë duke e formalizuar komunitetin e tyre.[3]

    Krahas organizimeve që bashkësitë fetare në vend kanë kryer gjatë dekadave të fundit me synimin e promovimit të bashkëjetesës ndërfetare, edhe vetë shteti shqiptar e ka mbështetur dhe promovuar këtë traditë institucionalisht brenda dhe jashtë Shqipërisë. Këtë element e vërejmë qartësisht të sanksionuar edhe në preambulën e Kushtetutës, ku shkruhet:

    Ne, Populli i Shqipërisë, krenarë dhe të vetëdijshëm për historinë tonë, me përgjegjësi për të ardhmen, me besim te Zoti dhe/ose te vlera të tjera universale, me vendosmërinë për të ndërtuar një shtet të së drejtës, demokratik e social, për të garantuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, me frymën e tolerancës dhe të bashkëjetesës fetare…[4]

    Ndonëse në kontekstin formal institucionet dhe shteti në Shqipëri e promovojnë bashkëjetesën ndërfetare si një element përbashkues dhe vlerë që e shëndosh shoqërinë, analiza e vërtetë fillimisht duhet të konsistojë edhe në ato dinamika joformale e jozyrtare që e formojnë këtë traditë, ndërsa më pas të evidentohen sfidat me të cilat përballet kjo traditë veçanërisht në epokën e proceseve globalizuese të Shqipërisë, por edhe në frymën e ndryshimeve që po ndodhin vitet e fundit me rritjen e rrymave ekstremiste në Europë.

    Institucionalizimi i bashkëjetesës: arritjet në Shqipëri gjatë proceseve globalizuese

    Nëse krerët e komuniteteve fetare të viteve 1930 dhe klerikët më në zë të kohës, të cilët njëkohësisht ishin edhe intelektualë par exellance si Fan S. Noli, Gjergj Fishta, Hafiz Ali Korça etj. Folën dhe shkruajtën për një kohezion të shoqërisë shqiptare ku besimi duhej të shërbente si një element përbashkues, institucionalizimi i bashkëjetesës ndërfetare në Shqipëri do të ndodhte pas viteve 1990, më saktësisht në vitin 1999 me krijimin e institucionit të Komunitetit Shtetëror për Kultet.[5] Kështu, duke ndjekur një linjë kronologjike do të përpiqemi të parashtrojmë disa prej ngjarjeve dhe akteve kryesore që e kanë karakterizuar institucionalizimin e bashkëjetesës ndërfetare në Shqipëri duke e ndjekur në linjën fetare dhe atë shtetërore.

    Në aspektin e kontributit të bashkësive fetare, mund të thuhet se aktiviteti i tyre në promovimin e bashkëjetesës ka filluar që në fillimin e viteve 1990 kur shqiptarët e rifituan të drejtën e besimit dhe filluan rindërtimin e institucioneve religjioze. Kështu, ndër aktivitetet kryesore që u ndërmorën në këtë drejtim mund të përmenden takimet e mbajtura ndërmjet krerëve të komuniteteve në kuadër të takimeve të dialogur ndërfetar, një proces i promovuar dhe kryer prej kishës katolike. Në këtë drejtim vlen të theksohet veçanërisht vizita e Papa Gjon Palit II që zhvilloi në Shqipëri në vitin 1993, por dhe ajo e Papa Françeskut më 2014.[6]

    Një hap tjetër me rëndësi në kuadër të kontributit të bashkësive fetare për zhvillimin dhe thellimin e marrëdhënieve të mira ndërfetare, është edhe formimi i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë në vitin 2007. Kjo nismë përbën edhe hapin e parë që shteti ndërmori në instituticionallizimin e bashkëjetesës në Shqipëri. Këshilli në fjalë përbën edhe institucionin më të lartë në kuadrin e bashkërendimit të aktiviteteve ndërfetare në vend si dhe promovimin e bashkëjetesës ndërmjet bashkësive konfesionale, besimtarëve të thjeshtë dhe shoqërisë shqiptare në tërësi.[7]

    Një aktivitet i Këshillit në fjalë në bashkëpunim me qeverinë shqiptare ishte edhe parakalimi në Paris i kryeministrit të Shqipërisë i shoqëruar prej krerëve të katër komuniteteve fetare në marshimin që u mbajt me rastin e sulmit terrorist të kryer ndaj revistës satirike Charlie Hebdo. Veprimi i delegacionit shqiptar jo vetëm që pati një jehonë në shtypin europian, por gjithashtu shfaqi zyrtarisht edhe shembullin se si pjesëtarë dhe përfaqësues të komuniteteve të ndryshme fetare mund të bashkëpunojnë në dobi të koherencës dhe paqes.[8]

    Nga ana tjetër, edhe vetë shteti shqiptar, duke filluar që nga preambula e kushtetutës që përmendëm më lart, e ka promovuar zyrtarisht bashkëjetesën ndërfetare që ka ekzistuar vazhdimisht në vend. Kjo mbështetje nuk ka funksionuar vetëm përmes përkrahjes që i ka dhënë komuniteteve fetare duke iu krijuar lehtësitë e nevojshme, por edhe në përdorimin e kësaj vlere në nismat politike që shteti ka ndërmarrë. Kështu, në vitin 2012 Shqipëria mori presidencën e Këshillit të Europës për një periudhë gjashtëmujore, mandat të cilin e kreu nën moton “të bashkuar në diversitet”, duke reflektuar kështu traditën e mirë të bashkëjetesës këtu, një vlerë e cila është njëra prej prioriteteve të Bashkimit Europian.

    Shembujt e mësipërm na tregojnë se në aspektin institucional ekziston vullneti dhe bashkëpunimi i shtetit dhe komuniteteve fetare për ta zgjeruar, thelluar dhe promovuar bashkëjetesën ndërfetare. Mirëpo, ndonëse në nivelin burokratik situata duket optimiste dhe funksionale, në nivelin e besimtarëve apo shoqëror, gjendja paraqet disa anomali, të cilat ngrejnë pikëpyetje në kokën e studiuesit kur flitet për bashkëjetesën ndërfetare në Shqipëri dhe mundësinë e shërbimit të saj si një shembull për problemet që hasen në këtë drejtim në shoqëritë e zhvilluara dhe klimën globaliste në përgjithësi.

    Sfidat në lidhje me funksionalizimin e bashkëjetesës ndërfetare në Shqipëri

    Rritja e frymave ekstremiste në politikën europianedhe krizat që e kapluan botën gjatë viteve të fundit duke filluar me periudhën e pandemisë dhe tanimë me luftën që po zhvillohet në Ukrainë ka bërë që herë pas here të krijohen debate të ashpra në lidhje me minoritetet etnike dhe fetare që jetojnë në vende të ndryshme të Bashkimit Europian. Sigurisht që në hapësirën shqiptare nuk vërehen ende pozicionime të tilla politike, por ekzistenca e debateve të ngjashme na shtyn të shtrojmë disa pyetje në lidhje me faktin se sa funksionale është bashkëjetesa ndërfetare në Shqipëri. Në këndvështrimin tonë, ashtu si në pjesën e mësipërme ku institucionalizimi i bashkëjetesës u analizua në prizmin e bashkësive fetare dhe shtetit, edhe në trajtimin e problematikave të institucionalizimit të saj qasja jonë do të konsistojë në ato që lidhen me shtetin dhe të tjerat që ndalen te aspektin fetar.

    Më konkretisht, ndonëse zyrtarisht shteti shqiptar e mbështet dhe e nxit thellimin bashkëjetesës ndërfetare në vend, në aspektin intelektual e shkencor nuk është hedhur thuajse asnjë hap në këtë drejtim. Si një vend me një trashëgimi kaq të pasur fetare e bashkëjetese, kjo tematikë dhe disiplina shkencore që lidhen me të si Historia e Religjioneve apo Religjionet Krahasuese nuk njihen në universitetet shqiptare. Në Shqipëri ende nuk ka një katedër universitare, institut kërkimor apo fakultet që e trajton sipas metodologjive shkencore historinë e fesë dhe të bashkëjetesës në vend. Për rrjedhojë, informacionet dhe tradita e akumuluar në këtë drejtim mbetet e paformalizuar, pa një strukturë dhe e pambështetur në qasje shkencore porse qëndron në nivelet e mitit e legjendës. Në këtë kontekst, bashkëjetesa ndërfetare do të dukej vetëm një ligjërim i përditshëm, por i patreguar dhe paruajtur në kontekstin historik. Për më tepër, një neglizhim i tillë ndikon edhe në mosruajtjen e trashëgimisë historike në lidhje me këtë temë. Për ta përmbledhur, mund të themi se, për sa kohë që shteti e përdor bashkëjetesën ndërfetare thjesht në ligjërimin e përditshëm por nuk hedh hapa në institucionalizimin e kësaj praktike, ruajtja dhe trajtimi i kësaj vlere në aspektin shkencor mbetet një sfidë e rëndësishme për vendin.[9]

    Ndërsa diskutimi i dytë në lidhje me bashkëjetesën ndërfetare dhe sfidat me të cilat përballet ajo, lidhet me një temë që është diskutuar prej më shumë se një shekulli: me faktin se kjo bashkëjetesë buron nga toleranca që besimtarët kanë ndaj njëri-tjetrit, apo me neglizhencën që e karakterizon shqiptarin në përgjithësi ndaj religjionit.

    Pikëpamja e parë nuk kërkon një shtjellim të thellë, pasi vetë besimet dhe klerikët flasin për tolerancën dhe nevojën e bashkëjetesës, ndërkohë që në thelb kanë një qasje ekskluziviste.[10] Ajo që duhet trajtuar në këtë pikë, është më së shumti pikëpamja e dytë, sipas të cilës mund të flitet më së shumti për një neglizhencë se bashkëjetesë. Ndonëse një qasje dhe konstatim të tillë e vërejmë më së shumti te veprat e udhëtarëve e diplomatëve të ndryshëm perëndimorë që e vizituan hapësirën shqiptare gjatë shek. XIX, fenomene si ato të kriptokristianizmit apo dëshmi të kohës na shtyjnë ta datojmë më herët ekzistencën e një teze të tillë. Një rast i tillë është dhe dëshmia e bashkëshortes së ambasadorit anglez në Perandorinë Osmane M. Wortley Montague, ecila, që në shek. XVIII e përshkruan kështu qasjen e shqiptarëve ndaj fesë:

    “Por, nga të gjitha fetë që kam parë, ajo e arnautëve mua më duket më e veçanta. Ata që janë lindur në Arnautlluk, Maqedonia e Lashtë, dhe ruajnë ende të njëjtin guxim dhe trimëri, ndonëse emrin maqedonas e kanë humbur. Ata janë milicia më e mirë në perandorinë turke dhe e vetmja që arrin të vërë frerët mbi jeniçerët. Janë ushtarë këmbësorë… Vishen dhe armatosen me shpenzimet e tyre, të veshur me pëlhurë të bardhë e të pastër e të ashpër, me armë të një gjatësie të stërmadhe, të cilën ata e hedhin mbi shpinë, a thua se nuk e ndiejnëpeshën e saj; kurseprijësi i tyre këndon një lloj kënge tëpalëmuar, jo të pakëndshme, dhe të tjerët e ndiqnin në kor. Ky popull jeton ndërmjet të krishterëve dhe muhamedanëve, dhe duke mos qenë i aftë në debatet ndërmjet tyre, dejlarojnë se janë krejtësisht të paaftë për të gjykuar se cila fe është më e mira. Por, për të qenë të sigurt se nuk e refuzojnë plotësisht të vërtetën, ata ndjekin me shumë urtësi të dyja fetë. Të premteve ata shkojnë në xhami dhe të dielave në kishë; duke thënë (për t’u shfajësuar) se në Ditën e Gjykimit ata e kanë të siguruar mbrojtjen nga profeti i vërtetë. Por, se cili është ky, ata nuk janë në gjendje ta përcaktojnë që në këtë botë. Besoj se nuk ka racë tjetër të njerëzimit të cilët kanë një opinion kaq modestpër kapacitetin e tyre.”[11]

    Autorët dhe studiuesit e huaj kanë qëndruar vazhdimisht mbi këtë temë duke theksuar faktin se lidhjet farefisnore te shqiptarët kanë prevaluar gjithnjë para fetarizmit të tyre. Këtu ka ndikuar pluralizmi fetar te shqiptarët por edhe periudha e sistemit komunist, në të cilin u luftua feja dhe besimi duke proklamuar ateizmin. Madje, shteti shqiptar në këtë periudhë e përcaktoi në kushtetutën e vet ndalimin e fesë dhe karakterin ateist të tij.[12] Për një hark kohor prej gjysmë shekulli tradita dhe jeta fetare e shqiptarëve u ndërpre në mënyrë radikale duke u orientuar me detyrim drejt një kahu krejtësisht të ndryshëm, gjë e cila do të ndikonte edhe në vetëdijen fetare dhe jetën shiprtërore të njerëzve që lindën dhe jetuan gjatë asaj periudhe.

    Ndikimet dhe ndryshimet që solli periudha e regjimit komunist në jetën fetare të njerëzve dallohen qartësisht në një anketim të bërë me studentët e Universitetit të Tiranës fill pas rivendosjes së sistemit pluralist në Shqipëri në vitin 1990. Kështu, në lidhje me përkatësinë e tyre fetare apo faktin nëse besonin apo jo, mbi 51% e studentëve të anketuar janë shprehur se nuk i përkasin asnjë besimi. Ndërsa në aspektin e besimit apo jo, 77% deklaroheshin si jobesimtarë, 14% si besimtarë normalë dhe vetëm 6% shpreheshin se ishin të lidhur fort pas besimit të tyre.[13]

    Rastet e mësipërme nxjerrin qartësisht në pah faktin se, ndonëse Shqipëria njihet si një vend me larmishmëri konfesionesh ku mbizotëron bashkëjetesa ndërfetare, e vërteta është se mungesa e institucioneve shkencore ka bërë që të mos jemi të qartë në burimin dhe natyrën e kësaj bashkëjetese, përmasat dhe gjendjen reale të saj, si dhe faktin se sa do mundet të ekzistojë ajo, apo nëse mund të eksportohet si një shembull i mirë për ato shoqëri që përballen me vështirësi në këtë drejtim. Ndoshta mungesa e një mosargumentimi të saktë e shkencor të bashkëjetesës te shqiptarët do të ishte edhe përgjigja negative që mund t’i jepet pyetjes nëse kjo vlerë mund të eksportohet te të tjerët. Kjo, për faktin se një fenomen i tillë lipset të trajtohet pikësëpari shkencërisht me të gjitha faktorët dhe dimensionet kulturore, zakonore e historike që kanë ndikuar në formësimin e kësaj tradite.

    Përfundime

    Sot shtetas të shumtë shqiptarë jetojnë në vende të ndryshme të botës, ku janë ambientuar me shoqëritë përkatëse duke kontribuuar pozitivisht në zhvillimin e tyre. Ndonëse me besime të ndryshme nga shoqëritë e vendeve ku jetojnë, fakti është se shqiptarët nuk janë shquar në asnjë shtet për qasje ekstremiste, veçanërisht në aspektin fetar. Në vetvete ky fakt përbën një vlerësim pozitiv për kulturën e shqiptarëve veçanërisht në respektimin e “tjetrit”, qoftë ky në aspektin etnik, politik apo dhe fetar. Pikërisht një konkluzion i tillë na shtyn të mendojmë se tradita e shëndoshë e bashkëjetesës ndërfetare te shqiptarët, duket se ka funksionuar pozitivisht në përshtatjen dhe jetesën e tyre brenda shoqërive multikulturaliste. Nga ana tjetër, vetë institucionet përkatëse të shtetit dhe komuniteteve fetare u bie për detyrë të bëjnë më shumë në studimin dhe argumentimin shkencor të fenomenit të bashkëjetesës, gjë e cila do të ishte një kontribut më shumë në këtë drejtim. /Ballkanologjia, nr. 5, 27 tetor 2022/

    __________________

    [1] Do të ishte e pamundur dhe jashtë qëllimit të kësaj kumtese të japim një bibliografi të studimeve që janë kryer mbi multikulturalizmin apo trendet e studimeve në këtë lëmi. Për një trajtesë të shkurtër të këtij nocioni dhe disa prej punimeve kryesore që janë kryer në këtë drejtim, shih The Ashgate Research Companion to Multiculturalism, ed. Duncan Ivison, New York: Routledge, 2010. Ndërsa për një trajtim të multikulturalizmit në kontekstin filozofik, shih Naomi Zack, “Multiculturalism”, Stanford Encyclopedia of Philosophy, Second Edition, ed. Donald M. Borchert, f. 421-427.

    [2] Fakti se bashkëjetesa fetare te shqiptarët mund të shërbejë si një shembull edhe për vendet e tjera, është një realitet i evidentuar vazhdimisht prej aktorëve të fesë, shkencës dhe politikës në Shqipëri ashtu edhe jashtë saj. Ndër figurat më të rëndësishme botërore që e ka vlerësuar këtë trashëgimi të vyer, është edhe Papa Françesku, i cili e theksoi këtë aspekt gjatë vizitës së tij në Shqipëri më 2014. Për më shumë, shih Eduart Caka, Dialogu Ndërfetar; Një Qasje Teoriko-Praktike dhe Realiteti Shqiptar, Tiranë: West Print, 2015, f. 191-194; Eduart Caka, “Religious Co-existence and Interreligious Dialogue Activities in Albania”, Journal of Balkan Studies, no: 1, vol: 7, Bursa: 2016, f. 101-102.

    [3] E. Caka, Dialogu Ndërfetar…, f. 162.

    [4] Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Tiranë: Qendra e Botimeve Zyrtare, 2017.

    [5] Këtu nuk nënkuptojmë krijimin e komuniteteve fetare në Shqipëri, të cilat u formësuan si bashkësi gjatë viteve 1920-30 përmes kongreseve të përgjithshme që mbajtën, por për institucionet ndërkonfesionale që u formësuan në vitet 1990 pas një lufte gjysmëshekullore të regjimit komunist ndaj fesë dhe besimit në Zot. Për më shumë detaje në lidhje me proceset e formimit të komuniteteve fetare gjatë gjysmës së parë të shek. XX dhe rëndësisë që ato i dhanë bashkëjetesës, shih Roberto Morocco dela Roka, Kombësia dhe feja në Shqipëri 1920- 1944, përkthyer nga Luan Omari, Tiranë: Shtëpia botuese “Elena Gjika”, 1994; E. Caka, Dialogu Ndërfetar…, f. 154-155.

    [6] Për më shumë detaje mbi vizitën e Papa Gjon Palit II në Shqipëri si dhe aktivitetet e mbajtura ndërmjet krerëve të komuniteteve fetare të vendit në kuadër të dialogut ndërfetar gjatë viteve 1990-2010, shih E. Caka, Dialogu Ndërfetar…, f. 166-170.

    [7] E. Caka, Religious Co-existence…, f. 111.

    [8] Po aty.

    [9] Praktikisht në disa fakultete jepet lënda e historisë së religjioneve por lektorët janë të papërgatitur profesionalisht për ta mbajtur një lëndë të tillë. Kjo lidhet me mungesën e departamenteve ku mund të fitohet një doktoraturë në fushën e Historisë së Religjioneve por edhe faktit se literatura e përdorur në leksione mbi këtë temë, por edhe tezat e shkruara kanë mungesë të theksuar metodologjike.

    [10] Sipas Endresen, kleriku mysliman ia atribuon tolerancën ndërfetare klimës së favorshme për jetimin e fesë që krijoi Perandoria Osmane, ai katolik e lidh me substratin e krishterë që gjendet te të gjithë shqiptarët para se ata të konvertoheshin në besime të tjera, ndërsa për dervishin bektashian e gjitha shtresa mistike e feve është mbledhur në frymën mistike bektashiane, e cila është autentike te shqiptarët. Për më shumë detaje, shih Cecilia Endresen,Is the Albanian’s religion really “Albanianism”?: Religion and nation according to Muslim and Christian leaders in Albania, Wiessbaden: Harrassowitz Verlag, 2012, f. 224.

    [11] Letrat e zonjës Mary Wortley Montague, përktheu nga anglishtja Arjol Guni, Shkup: Logos-A, 2014, p. 102.

    [12] Përveç se e ndaloi besimin dhe shpalli zyrtarisht ateizmin duke luftuar haptazi klerikët dhe fenë, komunizmi u përpoq të ndërtojë një prototip të ri (Njeriu i ri) që ishte i zhveshur nga feja. Për më shumë detaje, shihC. Endresen, Is the Albanian’s religion really “Albanianism”?…, p. 70; E. Caka, Dialogu Ndërfetar…, f. 159.

    [13] Për më shumë të dhëna mbi anketimin në fjalë, shih Markus W. Peters, Përballjet e historisë së Kishës Katolike në Shqipëri (1919-1996), Qendra Botuese Shoqata Jezuite, Tiranë 2010, p. 259.

    Lajmi Paraprak

    Serwer: Vuçiq është i interesuar ta pushtojë veriun e Kosovës

    Lajmi i rradhës

    PUNA NË BUJQËSI | Paragjykimet dhe emigracioni largojnë të rinjtë nga toka e Shqipërisë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë