Paratë nuk i joshin reformat

    Parlamenti Europian e ka miratuar të mërkurën e kaluar, Planin për rritje ekonomike në Ballkanin Perëndimor, në vlerë prej 6 miliardë eurosh, në seancën e parafundit të saj para zgjedhjeve të reja në BE në qershor. Kjo është një prej paketave më ambicioze të Bashkimi Evropian për ta ndihmuar rritjen ekonomike dhe reformat në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që ato të ecin përpara më shpejt drejt integrimit të plotë në bllok. Tani, pasi Parlamenti Evropian e miratoi paketën, ajo duhet të formalizohet edhe nga Këshilli i BE-së. Pas kësaj, mund të fillojnë pagesat e para për përfituesit. Paketa përmban 6 miliardë euro, prej të cilave vendet e Ballkanit Perëndimor do t’i marrin 2 miliardë euro në formën e parave të gatshme pa kthim, ndërsa 4 miliardë euro në formën e kredive të favorshme. Ky program ekonomik synon, ndër të tjerash, zvogëlimin e hendekut socio-ekonomik midis vendeve anëtare të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, integrimin e mëtejshëm të rajonit në Tregun e Përbashkët Rajonal (CRM) dhe përgatitjen e rajonit për përfshirje në Tregun Unik të BE-së. .

    Synimi është dyfishimi i ekonomisë së rajonit në dhjetë vitet e ardhshme. Maqedonia mund të presë afër 800 milion euro nga ky plan. Ekspertët e ekonomisë thonë se Plani i rritjes ka avantazhet e tij, por theksojnë se fondet e ofruara nuk janë të mjaftueshme për të përmbushur të gjitha ambiciet që BE ka vendosur.

    Branimir Jovanoviq, një ekspert ekonomik në Institutin për Studime Ekonomike Ndërkombëtare në Vjenë, thotë se Plani përfaqëson vetëm 20 për qind të fondeve që vendet në rajon marrin aktualisht përmes fondeve IPA. “Qëllimet që i vendos Plani – dyfishimi i Prodhimit të Brendshëm në rajon dhe të ngjashme – sigurisht që nuk do të realizohen, sepse masat konkrete janë shumë të vogla. Madhësia totale e komponentit finanCiar të Planit është 6 miliardë euro. Fondet IPA në fuqi aktualisht kanë një madhësi totale prej 30 miliardë. Ka disa vite që janë në fuqi dhe shohim që nuk japin ndonjë rezultat të madh. Pse ky instrument i ri, 5 herë më i vogël, të jetë më i mirë tani?”, thotë Jovanoviq. Ekzistojnë edhe mendime të ekspertë ve se totali i mjeteve financiare pë r rajonin janë të pamjaftueshme për të motivuar elitat politike që të realizojnë reformat e kërkuara si sundimi i së drejtës dhe kriteret e tjera politike.

    Eksperti Branimir Jovanoviq thekson se kë to mjete janë aq pak, saqë nuk do të joshin politikanët në rajon të avancojnë reforma , duke pasur parasysh se në se flasim vetëm për grantet ato janë 500 milion euro në vit në nivel të rajonit. Duke shtuar se me aq pak fonde vë shtirë se mund të shtyhen politikbërësit në Ballkan të zbatojnë reformat e vonuara që ato nuk po i bëjnë me vite. Në fund të gjitha shtetet do të fitojnë më pak apo më shumë mjete kundrejt realizimit më të madh apo më të vogël të reformave. Me fjalë të tjera do të realizohen disa reforma jo edhe aq problematike, dhe shtetet do të fitojnë mjete të caktuara.

    Ekziston rreziku që kushtet e pagesës të mos jenë mjaft ambicioze dhe që treguesit të mos jenë mjaftueshëm të qartë dhe të matshëm, dhe mbetet e vështirë të sigurohet që reformat të jenë të qëndrueshme, thonë auditorët e BE-së për Planin e Rritjes në Ballkanin Perëndimor. Në një opinion të publikuar dy javë më parë, Gjykata Evropiane e Auditorëve (ECA) sugjeron që këto para shtesë të BE-së, duhet të mbrohen më mirë. “Konvergjenca ekonomike midis gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia) dhe BE-së u konsiderua e pamjaftueshme për shumë vite. Në përgjigje, nëntorin e kaluar, Komisioni Evropian propozoi krijimin e një instrumenti financiar specifik, Fondi i Reformës dhe Rritjes për Ballkanin Perëndimor, si pjesë e planit të ri të rritjes për rajonin. Fondi synon të stimulojë rritjen ekonomike, të rrisë konvergjencën socio-ekonomike me vendet e BE-së dhe të përshpejtojë përafrimin me vlerat dhe ligjet e BE-së me synimin për anëtarësimin e ardhshëm në BE”, tha ECA.

    Megjithatë, ekziston rreziku që kushtet e pagesës të mos jenë mjaftueshëm ambicioze dhe treguesit të mos jenë mjaft të qartë dhe të matshëm. Mbetet gjithashtu e vështirë të sigurohet se reformat do të jenë të qëndrueshme, veçanërisht duke pasur parasysh kapacitetin e dobët administrativ të rajonit, thekson Laima Liuchia Andrikiena, anëtare e ECA-s përgjegjëse për opinionin.

    Përveç kësaj, Komisioni Evropian jo vetëm që duhet të bëjë vëzhgime, por gjithashtu duhet të jetë në gjendje t’u kërkojë qeverive të Ballkanit Perëndimor të rishikojnë dhe modifikojnë agjendat e tyre të reformave në përputhje me rrethanat, thotë Andrikiena. Sipas marrëveshjes mes Parlamentit Evropian dhe Këshillit të BE-së, e cila është përfshirë në tekstin e rezolutës së javë s së kaluar Parlament, për të përfituar nga kjo ndihmë financiare, vendet e rajonit duhet të përmbushin një varg kriteresh jo edhe aq të lehta. Në mesin e tyre janë kriteret bazike, të cilat vlejnë njëlloj për të gjitha vendet anëtare. Ato kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, respektimin e parimeve të demokracisë, reformat institucionale dhe ndërmarrjen e hapave të domosdoshëm për të garantuar se mjetet nuk do të keqpërdoren. Pos kritereve që kanë të bëjnë me reforma dhe sundimin e ligjit, ka edhe kritere të natyrës politike.

    Për Kosovën dhe Serbinë parakusht tjetër do të jetë angazhimi konstruktiv në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Vlerësimet se a e përmbushin apo jo këtë kriter Kosova apo Serbia do ta japë Komisioni Evropian, i cili – i ndihmuar nga Shërbimit i Veprimit të Jashtëm Evropian (EEAS), që edhe luan rolin kryesor në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë – do të vlerësojë në fund nëse Kosova dhe Serbia e kanë plotësuar këtë parakusht.

    Parlamenti Evropian, edhe përmes vendimit fundit , kërkon nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor t’i përshtatin politikat e tyre të jashtme me vendimet e BE-së, përfshirë edhe me sanksionet kundër Rusisë. Por, gjatë negociatave me Këshillin ka pasur mospajtime nëse ky duhet të jetë kusht specifik apo jo për pagesat nga plani evropian për rritje ekonomike. Ka dominuar qëndrimi i Komisionit Evropian dhe një numri më të madh të shteteve anëtare se ky nuk duhet të jetë parakusht specifik, por vetëm qëllim i përgjithshëm. Vendet e Ballkanit Perëndimor, të çilat do të përfitojnë nga kjo ndihmë, duhet të kenë plane operative për reforma dhe t’i bashkërendojnë ato me Komisionin Evropian. Në vendimet finale për pagesat do të përfshihen Komisioni Evropian dhe vendet anëtare të BE-së përmes Këshillit. Kërkohet edhe transparencë në procesin e prokurimit dhe hetime serioze në rastet e shkeljes së rregullave, apo në rast mashtrimesh. Për rastet e keqpërdorimeve kërkohet të njoftohen Zyra e Prokurorisë Publike të BE-së, dhe Zyra e BE-së për Parandalimin e Mashtrimeve (OLAFD).

    Sipas tekstit të miratuar në Parlamentin Evropian, nga përdorimi i mundshëm i këtyre fondeve duhet të përjashtohen entitetet të cilat identifikohen si shkelëse të sanksioneve ndaj Rusisë, apo të cilat ndihmojnë në anashkalimin e tyre.

    Në emër të Parlamentit Evropian, negociatat i kishin udhëhequr Toni Picula dhe Karlo Resler, dy eurodeputetë nga Kroacia. Të dy kanë thënë se kjo paketë ka rëndësi te veçantë dhe mund t’i ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor që të krijojnë vende të reja pune, të rrisin ekonominë e tyre dhe të investojnë në programet që janë në përputhje me prioritetet e BE-së, si energjia e pastër dhe zhvillimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

    Parlamenti Evropian ka ngulur këmbë që kjo paketë të jetë e veçantë dhe të mos jetë pjesë e Instrumenteve të Para-Anëtarësimit (IPA), të cilat janë fonde të rregullta të BE-së për vendet e përfshira në procesin e zgjerimit. Këto gjashtë miliardë euro shtesë për vendet e Ballkanit do të jenë për periudhën kohore prej vitit 2024 deri në vitin 2027, sa edhe zgjat korniza aktuale shumëvjeçare financiare e Bashkimit Evropian. Katër shtyllat kryesore mbi të cilat do të bazohet Plani i Rritjes janë përmirësimi i integrimit ekonomik të vendeve të rajonit me tregun e përbashkët të BE-së, forcimi i integrimit ekonomik të vendeve të rajonit në një treg të përbashkët rajonal, përshpejtimi i reformave themelore dhe rritja e asistencës financiare për mbështetjen e reformave nëpërmjet Fondit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor, si një instrument i ri për zbatimin e reformave bazë dhe socio-ekonomike. Me zbatimin e tij, produkti i brendshëm bruto nga mesatarja 6000 euro për frymë në rajon duhet të dyfishohet në mesatarisht 12.000 euro për frymë në 10 vitet e ardhshme. /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Gjithnjë e më pak nxënës dhe gjithnjë e më shumë mësues

    Lajmi i rradhës

    Kush botoi dezinformata për rezultate të anketave dalëse në zgjedhje?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë