Gjithnjë e më pak nxënës dhe gjithnjë e më shumë mësues

    Gjithnjë e më pak nxënës dhe gjithnjë e më shumë mësues, klasa bosh dhe shkolla të mbyllura. Në fund të çdo viti, numri i studentëve që mbarojnë vitin është më i vogël me qindra studentë, krahasuar me ata të regjistruar në fillim, pikërisht si pasojë e largimit drejt vendeve të tjera. Për këto vërtetojnë të dhënat zyrtare nga Enti Shtetëror i Statistikave (ESHS), si dhe mësimdhënësit dhe ekspertët që analizojnë arsimin në vend. Ndërkohë, një numër i vogël komunash plotësojnë minimumin ligjor prej 20 fëmijë për klasë. Shumica e komunave kanë mesatarisht 11 deri 15 fëmijë për klasë, thekson Shoqata për Hulumtime dhe Analiza ZMAI.

    Nga ana tjetër, numri i nxënësve në shkollat e rregullta fillore në fund të vitit 2022/2023 është ulur për 1.4 për qind, ndërsa numri i nxënësve në shkollat e mesme për 3.9 për qind krahasuar me vitin paraprak shkollor. “Rënia e numrit të fëmijëve për mësues nuk çon në një cilësi më të lartë të arsimit me çdo kusht. Pra, edhe pse numri i mësimdhënësve është në rritje, rezultatet e nxënësve të Maqedonisë vazhdimisht po përkeqësohen”, thuhet në raportin e ZMAI.

    Për ZMAI, numri i shkollave të mbyllura nuk është befasues. Prej më shumë se pesë vitesh kanë bërë analiza në fushën e arsimit në drejtim të krijimit të një formule të re për financimin e arsimit dhe përmirësimin e rrjetit shkollor të komunave. “Duhet të ndërtojmë një edukim më cilësor për fëmijët, në mënyrë që ata të jenë në fokus para institucioneve. Një pjesë e madhe e shkollave të mbyllura mbyllen natyrshëm, pra nuk ka më nxënës, gjë që është vërtet e trishtueshme. Por kemi edhe shembuj pozitivë ku ka bashkim të shkollave që janë në afërsi dhe në të cilat ka shumë pak nxënës në mënyrë që fëmijët të kenë më shumë socializim dhe mësimdhënie më cilësore”, tha Viktor Mitevski, drejtor ekzekutiv i ZMAI dhe hulumtues kryesor në fushën e përmirësimit të rrjetit shkollor dhe financimit të arsimit.

    Megjithatë, ai shtoi se ekziston nevoja për hapjen e objekteve të reja dhe shtesave të shkollave ekzistuese në të gjithë vendin. “Kemi komuna ku na duhen katër-pesë shkolla të reja. Objektet e shkollave nuk duhet të qëndrojnë bosh, ato mund të përdoren për diçka që i nevojitet popullatës. Shkolla e mbyllur mund të bëhet diçka tjetër që do të sjellë përfitim ekonomik dhe social për vendin”, shtoi ai

    Shembull për këtë është fshati Përdejci i Komunës së Gjevgjelisë, ku hapësirat e liruara të shkollës janë shndërruar në çerdhe. Kjo u dha prindërve mundësinë për t’u kujdesur për fëmijët, gjë që mund të çonte në motivimin për të rritur familjet në fshat. Ndryshe, në më pak se 50 vjet, pra deri në vitin 2070, Maqedonia e Veriut do të ketë pothuajse 1.2 milionë banorë, sipas parashikimeve të ESHS-së të paraqitura në fund të vitit të kaluar. Nëse marrim parasysh të dhënat nga regjistrimi i vitit 2021 sipas të cilit në vend jetojnë 1.836.713 persona, do të thotë se në më pak se pesë dekada numri do të ulet me më shumë se gjysmë milioni banorë ose me 35 për qind. /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Vaksinimi i fëmijëve nën pragun e rekomanduar

    Lajmi i rradhës

    Paratë nuk i joshin reformat

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë