DITA NDËRKOMBËTARE E PËRKTHYESIT

    Bajram Karabolli

    30 shtatori, dita e vdekjes së Shën Heronimin, përkthyesit të Testamentit të Vjetër, nga hebraishtja në latinisht, është caktuar si dita ndërkombëtare e përkthyesit.

    Në botë ekzistojnë më shumë se 7.000 gjuhë. Për pasojë industria e shërbimit të përkthimit çdo ditë kërkon më shumë përkthyes.

    Gjuhët me më shumë folës në botë janë: gjuha kineze, gjuha spanjolle, gjuha angleze dhe gjuha indiane.

    Sipas një përllogaritje autorët më të përkthyer janë: Agatha Christie, Jules Verne dhe William Shakespeare.

    Vitet e fundit të ardhurat vjetore të industrisë së përkthimit, në gjithë botën, llogariten, mesatarisht, në 40 miliardë dollarë në vit. Natyrisht që ato vazhdojnë të rriten me shpejtësi çdo vit pasardhës.
    Sipas shumicës së përkthyesve me përvojë shumëvjeçare, ndër gjuhët e mëdha që u përmendën më sipër, spanjishtja është gjuha më e lehtë për t’u përkthyer. Kjo sepse, në gjuhën spanjolle, fjalët shkruhen ashtu siç shqiptohen, gjë që e bën atë gjuhën më të arritshme për ta mësuar dhe përkthyer.

    INTERVISTË DHËNË REVISTËS PALIMPSEST
    (Pjesë nga intervista, me rastin e ditës ndërkombëtare të përkthyesit)

    Pyetje: Dhe kur iu rikthyet përkthimit?

    Përgjigje: Shumë më vonë, kur jetoja në Amerikën Latine. Aty nga viti 2000, rastësisht, në një revistë letrare në Buenos Aires, lexova tregimin «Thuaju të mos më vrasin», të shkrimtarit meksikan Huan Rulfo. U mahnita me artin e tij magjik dhe, njëherazi, më erdhi turp për mjerimin tim: pse nuk njihja një shkrimtar të tillë. Menjëherë, gjeta dhe lexova gjithë veprën e tij. Ishte një zbulim i madh për mua. Një shkrimtar vetëm me dy vepra letrare: «Rrafshina në flakë» (Vëllim me tregime, 1954) dhe «Pedro Paramo» apo «Murmurimat» (Roman, 1956), veç ishte më përfaqësuesi i Realizmit Magjik dhe i Boom-it në oqeanin e letërsisë latinoamerikane, pothuaj i panjohur në Shqipëri. Thashë me vete: Nuk do të vdes pa e përkthyer në shqip këtë autor të magjishëm. Vite më pas, iu futa veprës letrare të Rulfos. Po kështu më ndodhi edhe me shkrimtarin tjetër latinoamerikan, nobelistin e mëvonshëm, Mario Vargas Josa. Kur lexova romanin e tij «Festa e cjapit», m’u duk se e kishte shkruar enkas për ne shqiptarët dhe vendosa t’ia jap lexuesit shqiptar këtë kryevepër. Kësisoj, iu futa sërish përkthimit. E nisa me disa tregime nga Josa dhe pastaj iu futa romanit madhor «Festa e cjapit»

    Pyetje: Pse e nisët me Josën dhe jo me Rulfon?

    Përgjigje: Sepse Rulfo m’u duk më i vështirë për t’u përkthyer. Më duhej të krijoja një përvojë, duke e nisur me autorë që më dukeshin më të lehtë.

    Pyetje: Pra doni të thoni se ka autorë të vështirë dhe autorë të lehtë në përkthim? Cilët kanë qenë të vështirë e cilët të lehtë për ju?

    Përgjigje: Po, është e vërtetë. Kjo varet nga stili, nga sintaksa dhe nga leksiku i autorit. Autorët më të lehtë për mua kanë qenë peruani Josa dhe kiliani Bolanjo. Kanë një gjuhë të rrjedhshme, një stil të qartë dhe fjali të ndërtuara thjesht. Rulfo ka një teknikë rrëfimi të veçantë, por të këndshme, edhe pse pati kritikë që e konsideruan si “kompozim të çrregullt”. Edhe fjalitë e Rulfos nuk janë të komplikuara. Vështirësia për përkthimin e Rulfos qëndron te fjalori i tij, i cili mbështetet te gjuha popullore, më saktë, tek e folmja e fshatarëve të Haliskos, një nga shtetet më rurale të Meksikës, e folme që, sipas studiuesve të veprës së Rulfos, është shumë e kursyer dhe tejet e përpiktë, me fraza të shkurtra dhe plot epitete. Në veprën e Rulfos ka me qindra fjalë që nuk gjenden as në Fjalorin e Akademisë Mbretërore të Spanjës. E kërkova dhe e gjeta fjalorin e veçantë të gjuhës së Haliskos, kësaj të folmeje sa rurale aq edhe universale. Një autor tjetër i vështirë është edhe Sabato. Them se, nëse nuk ke jetuar në Buenos Aires, mos iu fut përkthimit të Sabatos. Personazhet e tij flasin gjuhën portenjo, që është e folmja e Gran Buenos Airesit, një spanjishte e trazuar me italishten, pasi ka disa miliona pasardhës italianësh që jetojnë aty. Veç kësaj, e folmja e rrugës aty, edhe pse me rënie tingujsh, është tejet e pasur, plot zhargone, eufemizma dhe ngjyrime të përflakta. Nëse përkthimi im i romanit «Mbi heronjtë dhe varret» qe i një cilësie të mirë, meritë ka edhe redaktori, im bir, Erioni, i cili njeh mirë të folmen portenjo, pasi e kaloi adoleshencën në Buenos Aires.

    Pyetje: Në përvojën tuaj si përkthyes ç’mund të thoni për gjuhën shqipe krahasuar me spanjishten, a është më e varfër?

    Përgjigje: Mendoj se nuk ka gjuhë të varfër dhe të pasur dhe se çdo gjuhë ka pasuritë dhe mangësitë e veta. Shqipja, krahasuar me spanjishten dhe gjithë gjuhët moderne, ka një pasuri të madhe që atyre u mungon. Ka mënyrën dëshirore dhe habitore që ato nuk e kanë. Nuk më vjen mirë, kur shikoj që një folje e përkthejnë në mënyrën lidhore, siç është në origjinal, dhe jo në mënyrën dëshirore, siç duhet në shqip. Në shqip thuhet “rrofsh” dhe jo “të rrosh”. Po ashtu folja në mënyrën habitore e shpreh habinë, çmeritjen me një folje të thjeshtë, që shumë gjuhëve u mungon dhe në vend të saj mund të përdorin mjete gjuhësore të tjera. Mënyrat dëshirore dhe habitore në gjuhën tonë u japin foljeve ngarkesa emocionale, gjë që mungon te gjuhët moderne.

    Sigurisht, edhe shqipja ka mangësitë e veta. Fjala vjen: fjalët “mbesë” dhe “nip” në shqip emërojnë fëmijët e vëllait dhe të motrës, por edhe ata të djalit dhe vajzës.

    Kurse spanjishtja, anglishtja, frëngjishtja apo portugalishtja, ka emërtime të veçanta për secilën kategori. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Kurti: Vendimi për targat nuk është kundër qytetarëve serbë të Kosovës

    Lajmi i rradhës

    Shahpaska: Shtëpitë e vogla në grupe janë konfirmim për suksesin e reformës sociale

    Lajme tjera

    Kujdes me fjalën

     Dritëro Agolli Kujdes me fjalën, zonjëz me çantëKujdes me fjalën dhe ti zotëriPushteti i fjalës është i veçantëGatuan…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë