Me prezantimin e provave materiale të Prokurorisë, sot në Gjykatën Themelore Penale të Shkupit ka vazhduar gjykimi për rastin “Lotaria Shtetërore”, në të cilin të akuzuarit e parë janë ish-drejtori i Lotarisë, Përparim Bajrami, dhe ish-zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, përcjell Nistori.
Ata dhe gjashtë të pandehurit e tjerë, ish-anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të kompanisë shtetërore, akuzohen për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar në lidhje me prokurimin e terminaleve të videolotarisë për organizimin e lojërave elektronike të fatit.
Prokurorët prezantuan provat, të cilat janë mbi 200 në numër.
Derisa njëri nga prokurorët i prezantonte provat sipas numrit dhe shpjegonte shkurtimisht rrethanat të cilave u referoheshin, ish-zëvendëskryeministri i akuzuar e ndiqte renditjen e tyre në një laptop që kishte përpara. Ai reagoi lidhur me paraqitjen e njërës prej provave, e cila kishte të bënte me vendimet dhe konkluzionet e miratuara në seancën e Qeverisë që ai kishte drejtuar dhe në të cilën rendi i ditës ishte plotësuar me katër pika të reja.
Ai iu referua mënyrës se si ishin marrë vendimet, por gjyqtarja Biljana Shuplinovska Jovevski i tha se ai dhe të gjithë të pandehurit do të kenë mundësi t’i paraqesin vërejtjet dhe teoritë e tyre për rastin gjatë procedurës së mëtejshme.
Provat kanë të bëjnë me gjendjen aktuale të Lotarisë për vitet 2017, 2019 dhe 2024, marrëveshjen e vitit 2013 ndërmjet “Lotarisë Shtetërore” dhe “Casinos Austria” për themelimin e një kompanie për organizimin e lojërave elektronike të fatit, si dhe reagimin e kompanisë austriake drejtuar Qeverisë, sipas të cilit vetëm kjo kompani mund t’i organizonte këto lloje lojërash të fatit.
Në korpusin e provave, disa prej të cilave janë grupuar sipas rrethanave me të cilat lidhen, Prokuroria u referohet procedurave që kanë të bëjnë me analizën e prokurimit të videoterminaleve, vendimeve dhe konkluzioneve të Qeverisë në cilësinë e Kuvendit të Aksionarëve të “Lotarisë Shtetërore”, procesverbaleve të vendimmarrjes së Këshillit Mbikëqyrës, si dhe vetë procedurës së prokurimit dhe marrëveshjeve përkatëse.
Para fillimit të prezantimit të provave, mbrojtësi i të akuzuarit Bojan Janev, avokati Jordan Apostolski, kërkoi shtyrjen e seancës, pasi, siç tha, për shkak të afateve të shkurtra, mbrojtjes i nevojitet më shumë kohë për t’i analizuar provat e Prokurorisë.
Në arsyetimin e tij, ai iu referua Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, por Prokuroria nuk u pajtua me pretendimet e tij, ndërsa kërkesa u refuzua edhe nga gjykata. Sipas gjyqtares, kishte kaluar më shumë se një muaj nga fillimi i gjykimit dhe mbrojtja kishte pasur kohë të mjaftueshme për t’u njohur me provat. Ajo gjithashtu theksoi se gjatë shqyrtimit kryesor mbrojtja do të ketë mundësi të njihet me provat dhe të deklarohet lidhur me to, si dhe të paraqesë fjalët përfundimtare.
Në një prononcim për mediat gjatë pushimit të seancës së sotme, Apostolski tha se provat e paraqitura e përforcuan tezën e mbrojtjes se aktakuza është e dobët, e paqartë dhe kontradiktore.
“Nga vetë provat rezulton se të pandehurit jo vetëm që nuk i kanë kryer veprat penale, por kanë vepruar sipas udhëzimeve të Qeverisë dhe kanë mbrojtur interesat e shtetit si anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës”, tha mbrojtësi i të akuzuarit Bojan Janev.
Ai shtoi se është e paqartë pse, siç tha, Prokuroria mbron monopolin që në atë kohë e kishte “Casinos Austria” dhe jo të drejtën e “Lotarisë Shtetërore” për t’i organizuar në mënyrë të pavarur lojërat elektronike të fatit. Pas vërejtjes së një gazetari se, sipas Prokurorisë, ligji nuk e lejon një gjë të tillë, Apostolski tha se mbrojtja do të dëshmojë se kjo nuk është e vërtetë.
“Sipas tezës sonë dhe sipas ligjit, në teorinë tonë të çështjes do të shihni se nuk është kështu dhe se ‘Lotaria Shtetërore’ mund të organizonte lojëra të fatit si në mënyrë të pavarur, ashtu edhe me shoqëri të tjera me përgjegjësi të kufizuar”, tha avokati.
Aktakuza, e cila përfaqësohet nga prokurorët Daniel Kotsev dhe Aleksandar Davçevski, u referohet veprimeve të kryera gjatë viteve 2023 dhe 2024, me të cilat, sipas Prokurorisë, të pandehurit i kanë tejkaluar kufijtë e kompetencave të tyre zyrtare, edhe pse e dinin se ShA “Lotaria Shtetërore” nuk kishte të drejtë t’i organizonte në mënyrë të pavarur lojërat elektronike të fatit në terminalet e videolotarisë.
Kjo e drejtë ishte investuar që në vitin 2013, si kontribut jomonetar në vlerë prej 6,2 milionë eurosh, në themelimin e shoqërisë së përbashkët “Video Lotaria Shtetërore e Republikës së Maqedonisë – CASINOS AUSTRIA”, në të cilën ShA “Lotaria Shtetërore” zotëron 51 për qind të aksioneve.
Gjatë hetimeve, të akuzuarit ishin ngarkuar me veprën penale “përvetësim në shërbim”, për të cilën, sipas nenit 354 të Kodit Penal, parashikohet dënim më i lartë. Megjithatë, me paraqitjen e propozim-akuzës, prokurorët e Prokurorisë Publike të Shkupit e rikualifikuan veprën penale në “keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar”.




