Me trotinet pa helmetë, mijëra shkelje në rrugët e RMV-së

    Në kontrollet e intensifikuara që Ministria e Punëve të Brendshme kreu nga maji deri në gusht të këtij viti, u regjistruan gjithsej 10.411 shkelje të rregullave të trafikut nga drejtuesit e skuterëve elektrikë, biçikletave, mopedëve, motoçikletave, triçikletave dhe katërçikletave, përcjell Nistori.

    Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, shumica e shkeljeve, përkatësisht 8.806, u regjistruan te drejtuesit e mopedëve, motoçikletave dhe triçikletave, ndërsa 1.571 shkelje lidheshin me drejtuesit e skuterëve elektrikë dhe 34 me drejtuesit e biçikletave.

    Shkelja më e shpeshtë e regjistruar ishte mospërdorimi i helmetës mbrojtëse, për të cilën u shqiptuan 7.303 sanksione. Gjithashtu, u regjistruan 718 shkelje për drejtim në sipërfaqe të papërshtatshme, 401 për drejtim të mjeteve të paregjistruara ose pa policë sigurimi dhe 322 për mospërdorim të jelekut reflektues.

    Kontrollet zbuluan gjithashtu 81 raste të drejtimit të mjeteve nga persona nën moshën 18-vjeçare, 45 raste të drejtimit nën ndikimin e alkoolit, si dhe 1.541 kundërvajtje të tjera.

    Përveç kundërvajtjeve, policia zbuloi edhe 619 vepra penale, prej të cilave 604 lidhen me drejtimin e automjetit pa leje drejtimi, 14 me drejtimin nën ndikimin e alkoolit dhe një me drejtimin në kah të ndaluar.

    Në kuadër të masave të ndërmarra, u sekuestruan gjithsej 423 mjete, prej të cilave 20 skuterë elektrikë dhe 403 mopedë, motoçikleta dhe triçikleta.

    Ministria e Punëve të Brendshme njofton se kontrollet e intensifikuara në trafik do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme, me theks të veçantë te kundërvajtjet që rrezikojnë drejtpërdrejt sigurinë e pjesëmarrësve në trafik.

    Ministria e Punëve të Brendshme u bën thirrje drejtuesve të mjeteve që t’i respektojnë rregullat e trafikut, të përdorin pajisjet mbrojtëse, të mos drejtojnë mjete nën ndikimin e alkoolit dhe të mos marrin pjesë në trafik pa i përmbushur kushtet e përcaktuara me ligj.

    Lajmi Paraprak

    Tregu i punës në RMV kërkon më së shumti shitës, operatorë dhe punonjës në gastronomi

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë