IGOR ČOKO: Fotografia ekziston për të lënë gjurmë

    ČOKO, FOTOGRAF DHE ANTROPOLOG, DISKUTON MBI RËNDËSINË E FOTOGRAFISË DHE DETYRËS SONË PËR TË MOS HARRUAR.

    Në korrikun e hershëm të këtij viti, antropologu dhe fotografi, Igor Čoko — i lindur në Knin, në Kroaci, duke jetuar tash në kryeqytetin e Serbisë — organizoi në Beograd një ekspozitë të fotografive të Srebrenicës nga Midhat Poturović. Në ekspozitë, Poturović pranoi një çmim të emëruar Hrvoje Polan, i cili ishte një nga fotografët më të mirë të rajonit para se të vdiste në vitin 2019. Çmimi u themelua nga revista digjitale grain.rs, e lansuar nga Čoko disa vite më parë. 

    Fotografitë e Srebrenicës pas gjenocidit, të cilin Serbia ende nuk e njeh si të tillë, arritën në Beograd në këtë mënyrë. Si me përpjekjet e tjera për përkujtim, mohimi i gjenocidit i tërhoqi ultranacionalistët në ekspozitë ku ata pa pushim, dhe pa u ndëshkuar, shfaqën anën më të shëmtuar të këtij qyteti. Ata e bënë të njëjtën me 10 korrik, një ditë para përkujtimit të përvjetorit të 26 të gjenocidit, ku mbetjet njerëzore të 19 viktimave shtesë u varrosën në Potoçar, në Srebrenicë. Një ditë më herët, një grup nacionalistësh tentuan ta ndërprejnë një tubim të grupit aktivist, Gratë në të Zeza (Women in Black) në Sheshin Republik të Serbisë. Aktivistët u mblodhën aty për t’i përkujtuar viktimat e Srebrenicës dhe të bënin thirrje për përgjegjësinë e Serbisë. 

    Igor Čoko është dikush që nuk do te lejojë që Srebrenica, si dhe shume vende dhe ngjarje të tjera të tilla, të harrohen. Në të njëjtën mënyrë që nuk lejon që shoqëria ta injorojë ekzistencën e njerëzve që detyrohen të jetojnë në margjina. Me vite, ai ka ndjekur dhe fotografuar refugjatë, të burgosur dhe njerëz që jetojnë në rrugë. 

    Përveç kësaj, ai është njëri prej themeluesve të asociacionit Grain. Për gjashtë vite tani, publikojnë një revistë, me të njëjtin emër, duke synuar që ta zhvillojnë një kulturë të fotografisë së angazhuar dokumentare. 

    Pasi doli në titujt e karnivalit së medias të K2.0, Igor Čoko foli me ne për fotografitë e tij, mbi rëndësinë e fotografisë në procesin e ballafaqimit me të kaluarën, si dhe në ballafaqimin me gjithë çka ndodh rreth nesh, gjërat që nuk duam t’i shohim, por duhet. 

    Igor Čoko, fotograf që e mbron botën kundrejt harresës. Foto: Goran Boričić.

    Dejan Kožul: Së voni, një ​​çmim i fotografisë është themeluar dhe ndarë për herë të parë; ai është i emëruar sipas Hrvoje Polan, një fotograf që ka vdekur në vitin 2019. Çmimi i është ndarë Midhat Poturović për punën e tij në Srebrenicë. Çka i lidh këta dy fotografë së bashku?

    Igor Čoko: Çmimi Hrvoje Polan është themeluar nga asociacioni Grain dhe është emëruar sipas një nga foto-gazetarët më të guximshëm të rajonit, një njeri që nuk e kishte problem ta fuste dorën në zjarr për ta marrë informacionin më të vërtetë – kjo më vonë u bë vula e dorëshkrimit fotografik dhe qëndrimit të tij ndaj jetës, nga koha kur punonte në të përditshmën ‘Feral Tribune’ në Split deri në angazhimin e tij me Agence France – Presse në Lindjen e Afërt dhe Lindjen e Mesme. 

    Ashtu si ishte komandanti partisan, Koča Popović — një ushtar i kthjellët, i zgjuar dhe një humanist i pacipë — ashtu ishte Hrvoje në një kuptim fotografik. Bukfalisht. Foto-reportazhi klasik i Hrvoje është ai që e pubikoi gazeta e Splitit, Feral Tribune, pas rënies së Krajinës. Kur të gjithë foto-gazetarët e tjerë po e fotografonin presidentin kroat, Franjo Tuđman dhe ekipin e tij në kështjellën e Kninit, Hrvoje po fotografonte plaçkitjen e rafteve të dyqaneve në qendrën tregtare të Kninit, kështu duke e evokuar anën e errët të aksionit fitimar ushtarak kroat. 

    Midhat, në punën e tij, merret me Srebrenicën me shumë shkathtësi dhe zgjuarsi, jo vetëm me ditën e 11 korrikut, por me të gjitha 365 ditët e vitit. Ai ka nevojë që qartazi ta përcaktojë fushëveprimin e krimit që ka ndodhur atje. Ai nuk i fotografon lotët, por tenton të sjellë lotë në sytë e shikuesit përmes kontrasteve thellësisht emocionale, një detyrë të cilën e ka përmbushur plotësisht me sukses. Thjesht, nuk mund të mendoj për një laureat më të mirë për ta marrë këtë çmim. 

    Vetë hapja e ekspozitës nuk u anulua për shkak të protestave të një grusht neofashistëve, por çka u pengua, do të thosha, ishte raportimi i medieve pasi më shumë vëmendje iu dha atyre se sa vetë ekspozitës dhe rëndësisë së saj. Në çfarë mase media është bashkëpunëtore në ridrejtimin e temës?

    Është dërrmuese se si mediet, përshirë ato ‘të pavarura’, që morën pjesë në hapjen e ekspozitës dhe dëgjuan fjalime të thella, kuptimplota dhe profane të organizatorëve dhe laureatëve, e lanë galerinë që të mund të xhironin një grusht demonstruesish që po protestonin kundër ekspozitës, vetëm pse i dëgjuan duke bërtitur në një megafon. 

    Igor Čoko dhe Midhat Poturović në hapjen e ekspozitës së Beogradit, të dedikuar për Srebrenicën. Photo: Dejan Kožul.

    Hej! Ekspozita po mbahej në Beograd, në vendin prej të cilit shumë gjëra të këqija u vunë në lëvizje gjatë kohës së Slobodan Miloševićit, gjëra që e sollën Srebenicën, luftën e Kosovës, operacionin ushtarak Stuhia… Duke lejuar ekspozita dhe gjeste të tilla, ky qytet po e gjen guximin të mbetet një qytet i madh dhe të shprehë devotshmëri të thellë ndaj viktimave, të përjetoj katarsis personal, i cili është në vetëvete i guximshëm dhe shkatërrues. Dhe pastaj të gjithë dilni me vrap për të marrë pak sensacionalizëm dhe një storie gjysmë ekskluzive, kërkoni një lloj potere të madhe sepse një grusht djemsh u paraqitën, djemë të cilët as që ishin të lindur kur këto ngjarje ndodhën, nuk ishin as në planin pesëvjeçar, dhe ju u kushtoni vëmendje atyre. Ju, bukfalisht, ua ofroni në pjatë një shansë për ta rrëmbyer shfaqjen vetëm sepse disa brohorisin për kriminelët e luftës, të cilët de facto dhe de jure e shkaktuan tragjedinë në Srebrenicë. 

    Raportimet e medieve nuk nisën me “Çmimi për fotografitë e Srebrenicës…” por “Të djathtët u mblodhën, do të ketë probleme…” E mjerueshme dhe tragjike. Rrënuese. E gërditshme. 

    Më e rëndësishmja për mua është që ekzpozita e gjeti rrugën për te njerëzit, që u mbajt në Beograd, që çmimi i emëruar sipas një fotografi kroat iu dha në Beograd një boshnjaku. Edhe pse nuk e shohim Hrvoje si kroat, ose Midhatin si boshnjak, por si fotografë të jashtëzakonshëm, të cilët guximshëm prekin tema përvëluese në një mënyrë njerëzore. Gjithçka tjetër është e parëndësishme sepse jemi ngritur më lartë se kufijt fizikë dhe gardhet etnike. 

    TË GJITHA PALËT I KANË DËSHMITË E TYRE PËR VEPRA TË TILLA, KANË DEMONËT E TYRE, POR TË GJITHË DUHET T’I PASTROJNË OBORRET E VETA.

    Dhe nuk dua të flas për protestuesit. Ekzistojnë, kanë ekzistuar dhe do të vazhdojnë të ekzistojnë, vazhdojnë të bërtasin kundër çdo nxitjeje të tillë. Por nuk dua t’i promovoj, përmend, t’u kushtoj vëmendje. Për shkak se në këtë mënyrë ata e vjedhin energjinë prej thelbit të asaj me të cilën po merremi. Me këtë po nënkuptoj bisedat për temat nga e kaluara e afërt, të cilat duhet t’i diskutojmë intensivisht dhe të përpiqemi ta arrijmë gjeneratën më të re, e cila është rritur me edukatën e dobët historike të prindërve të tyre, për t’iu afruar situatës reale dhe për të ndërtuar një kulturë dinjitoze të përkujtimit në këto zona.

    Në këtë kuptim, cila është fuqia e fotografive në luftën kundër mohimit, për ruajtjen e kujtesës dhe nxitur empatinë?

    Fotografia është thelbësore. Dokumenti dhe dëshmitari thelbësor i një kohe. Dëshmi se diçka ka ndodhur dhe se nuk ishte rezultat i disa trillimeve të teorive konspirative antiserbe dhe mercenarëve të OJQ-ve të Sorosit, qëllimi i vetëm i të cilëve është shfarosja e mitit dhe kombit.

    Të gjitha palët i kanë dëshmitë e tyre për vepra të tilla, kanë demonët e tyre, por të gjithë duhet t’i pastrojnë oborret e veta. T’i nënshtrohen katarsisit të tyre, purgatorit të tyre. E urrej kur njerëzit futen me kundërtezën “e çka me atë që na bënë neve…”

    Të gjithë e therëm njëri-tjetrin në luftërat e mëparshme. Por, të jemi realistë dhe ta ballafaqojmë me guxim faktin se djemtë tanë disi e humbën pak, i dhanë vetës pak më shumë hapësirë që të jenë më të zgjuar dhe kreativë në kryerjen e krimeve, dhe në këmbim për këto perversione, përfunduan duke sakrifikuar njerëzit e vet në Kroaci dhe Bosnje. Sepse operacioni Stuhia dhe dëbimi i serbëve në Kosovë janë epilogë fatkeqë i lojrave në të cilat serbët u përfshinë dhe pastaj i stërluajtën ashpër. 

    Fotografi nga seria “Karaburma, getoja ime.” Foto: Igor Čoko.

    Serbët në Kroaci nuk u mposhtën nga ushtria kroate, as serbët në Kosovë nuk u mposhtën nga NATO dhe UÇK, por nga strategjia politike e Slobodan Milošević dhe fraksioneve të njerëzve që sot janë pjesë e degës ekzekutive në Serbi, të maskuar me ngjyrat e mëndafshit të integrimit Evro-Atlantik dhe prosperitetit të mëndafshtë, pa asnjë kokëçarje për historinë që nuk u përshtatet. Ashtu si nuk e mposhtëm fashizmin në vitin 1945. E fituam betejën, por lufta po vazhdon në nivele të ndryshme dhe në një mënyrë shumë më të pabesë. 

    Fotografia ekziston të lënë gjurmë. Është e sinqertë, e drejtpërdrejtë dhe e angazhuar. Si e Hrvojes. Si e Midhatit. 

    Srebrenica është një nga përvjetorët, aty është edhe rënia e Vukovarit dhe operacioni Stuhia… Të gjitha këto tema që i adreson revista digjitale Grain.rs. Me aq sa di, ka plane për të publikuar diçka edhe për këto përvjetore ose mbase të shfaqet një ekspozitë?

    Grain ka pasur shumë ekspozita për temën e luftës në Kosovë, të cilat s’ishin tipike ose me një narrativë pro-serbe. Përkundrazi.

    Gjatë ekspozitës së fotografit të ndjerë holandez, Williem Poelstra, i cili në librin e tij mbase përshkroi më së miri realitetin e pasluftës në Kosovë, fotografitë janë plot me monumente të Adem Jasharit dhe luftëtarëve të vrarë të UÇK-së. Por kjo nuk duhet të shihet apo interpretohet si provokim. Këto janë artifakte të asaj kohe dhe trashëgimia historike bashkëkohore e atij rajoni. Dëshmi të diçkaje që ka ndodhur atje. Dhe ekziston si një gjurmë e saj. Tash, a i pëlqen dikujt apo jo, është histori tjetër. 

    TË GJITHË MUND TË ARRIJMË NË NJË SITUATË KU JEMI NË MARGJINA. ASKUSH NUK E KA TË GARANTUAR HEDONIZMIN E PËRJETSHËM.

    Por, kur i diskutojmë këto gjëra, e vërteta duhet të jetë transparente, në të njëjtën mënyrë, fotografitë e Poelstras shfaqin serbë që jetojnë ende në Kosovë. E vërteta është unike, pa censurë. Dhe ky është misioni i Grain, zhvillimi i një kulture të kujtesës. 

    Kemi aq shumë gjëra për të biseduar për këtë sa nuk do të mërziteshim kurrë sepse këto gjëra… duhet të ekzistojë një perspektivë tjetër, ndryshe, nga versioni i shtetit zyrtar. I papërmbajtur. 

    Në punën tuaj, ju merreni me njerëzit — prej atyre në lëvizje, si refugjatët, te të burgosurit, njerëzit që jetojnë në rrugë… Çka kanë të përbashkët të gjithë këta, çka ju tërheq drejt tyre?

    Sipas edukimit, jam antropolog dhe prodhues filmash dokumentarë. E kam lënë profesionin tim paraprak të gazetarisë që të përfshihem, përmes fotografisë dhe një qasje antropologjike vizuale, në tema të vështira dhe të angazhuara, tragjedi dhe trauma njerëzore. 

    Me vjet, kamera e Igor Čoko është fokusuar në jetët e refugjatëve në rrugët e Beogradit. Foto: Igor Čoko.

    Më e lehta është ta fotografosh perëndimin e diellit, Ferdinandin duke i marrë erë luleve, duke u futur brenda zonës tënde të rehatisë pa u merakosur për problemet e njerëzve të tjerë. Gjithkund rreth nesh është jeta me të gjitha grackat dhe rreziqet e saj. Jam këtu ta dokumentoj këtë realitet. 

    Nga njerëzit në margjina, refugjatë, të burgosur, engjujt e rënë, kam dëgjuar disa nga të vërtetat, këshillat dhe përvojat më të fuqishme të jetës. Këto janë situata kur bëhesh më i fortë si qenie njerëzore, imponon me vrazhdësi ndjeshmëri te njerëzit — nënkuptoj shikuesit — dhe nëse ata e pranojnë, mund ta shohin anën tjetër të jetës, po ashtu. 

    Nuk dua të flas për heronjtë e fotografive të mia dhe atë botë nën radar. Në fund, të gjithë mund të arrijmë në një situatë ku jemi në margjina. Askush nuk e ka të garantuar hedonizmin e përjetshëm. Projektet e mia, që i fus në librat fotografie, do të qëndrojnë si një përkujtim dhe do të marrin frymë plotësisht ashtu si duhet, mbase pas 20 viteve, kur të ndalet rryma, dreqin, kujtesa në masën e informacioneve do të vazhdojë të jetojë si fluturimi i një fluture. 

    Së fundi, shpesh jeni në rolin e instruktorit. Çka ka në fotografi që u intereson të rinjve dhe a tërhiqen nga qasja antropologjike që e përdorni?

    Tashmë për vite të tëra e kam ndarë përvojën time fotografike me studentë përgjatë Evropës, Serbisë, por edhe pjesës tjetër të botës, tashmë përmes platformës Zoom. Aty mund ta shoh kuptimin e punës dhe angazhimit tim në fushën e fotografisë dokumentare. Në atë mënyrë mund t’i prezantoj njerëzit me shumë gjëra që nuk mund t’i shohin prej zonës së tyre të rehatisë ose disa gjëra që as nuk i vërejnë. Ashtu mund t’i argëtoj dhe bukfalisht t’i shoqëroj përgjatë nivelit të fundit, pas të cilit nuk do të jenë aq indiferentë por do të ndiejnë një ndjenjë mirënjohjeje për përvojën e tyre të jetuar dhe ta kuptojnë kuptimin e empatisë. 

    Nga seria “Fëmijët e padukshëm të Beogradit.” Foto: Igor Čoko.

    Për mua, këto ligjërata dhe këta të rinj janë një lloj pushimi dhe inspirimi. Ata inspirojnë shpresën për një botë më të mirë. Së paku, pak më të mirë. 

    Cila është pikëpamja juaj për qëndrimin e mediave ndaj fotografisë sot dhe deri në çfarë mase fotografia e ka humbur besimin e njerëzve, njëjtë si gazetaria?

    Sot, gjithkush fotografon, por pak janë fotografë. Sot, gjithkush shkruan, por vetëm disa prej tyre janë gazetarë. Dhe akoma më pak janë gazetarë që udhëhiqen prej parimeve etike. Njerëzit si ne janë në fund, në vijën e ashpër nëntokësore. Guerila. Partizanë. Por, na lini të jemi, ne jemi këtu. 

    Media e ka humbur moti rrugën. E njëjta vlen për fotografinë në media. Sepse, nëse s’është selfie, nëse nuk ka bythë dhe gjinj, nëse nuk është ndonjë përgjim politik, ndonjë paparaci, ose fëmijë të vdekur për ta shokuar marrësin, atëherë s’është e mirë. 

    Fotografia në medie sot është veç sipërfaqe, ose për shok — pa etikë dhe krejt pa kuptim. Pa të vërteta thelbësore. Që nuk do ta shisnin storien. Ndihem keq për të gjithë njerëzit që zihen në këtë mes. 

    E ndjek çka po ndodh në medie, por çka më pëlqen të shikoj më së shumti është kanali i fëmijëve, Baby TV. Më pëlqen sa mirë e kanë. 

    Serbia nuk ka qenë asnjëherë më thellë në një hendek medial se sa është sot. Verdhëza është në fazën e saj përfundimtare. Mediat ‘e lira’ ose janë bërë tmerrësisht sterile ose jane duke flirtuar me sensacionalizmin, duke u shkrirë me sëmundjen, por pretendohet se janë disi më ndryshe. Një vend i vështirë dhe i urryer për të qenë. Atëherë, çfarë bën njeriu? Shkon në mal dhe e lufton betejën kundër pushtuesit. 

    Lajmi Paraprak

    Punë me kimet!

    Lajmi i rradhës

    Mungesa e infrastrukturës nëpër vendvotime, pengesë për personat me nevoja të veçanta

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë