KËNGA QË NUK E DËGJON ASNJERI

    Bekim Ramadani
    Etno muzikolog

    Ka kohë qëkurse e keqja dallohet kollaj: ecën me këmbë të rënda, vesh uniformë dhe shpall me zë të lartë qëllimet e saj. Por, ka edhe kohë si kjo e jona – më e rrezikshme, sepse e keqja nuk bërtet, por vjen si heshtje, si rehatia jonë e përditshme, si mur i padukshëm që na ndan nga dhimbja e tjetrit. Dhe kjo formë e heshtur e së keqes lulëzon sa herë që ne zgjedhim të mos shohim, të mos ndjejmë, të mos flasim.

    Në një skaj të botës, fëmijët zgjohen çdo mëngjes të uritur, në tjetrin, luksi derdhet në rrugë si shampanja e tepruar në festa ku asgjë nuk ka kuptim. Një pjesë e njerëzimit numëron ditët me uri, një tjetër koleksionet e luksit. Kjo nuk është tragjedi e mungesës së pasurisë, por e mungesës së shpirtit. Siç thoshte Fjodor Dostojevski: “Të gjithë jemi përgjegjës për të gjithë.”Por sot, kjo e vërtetë është bërë një notë e harruar në simfoninë e njerëzimit.

    Kleriku protestant gjerman Martin Niemöller, në vitet e nazizmit, paralajmëroi me vargje që mbeten kambanë ndërgjegjeje: “Kur nazistët erdhën për komunistët, unë heshta, sepse nuk isha komunist. Kur arrestuan socialdemokratët, unë heshta, sepse nuk isha socialdemokrat. Kur erdhën për sindikalistët, unë nuk thashë asgjë, sepse nuk isha sindikalist. Kur erdhën për hebrenjtë, unë heshta, sepse nuk isha hebre. Kur erdhën për mua, nuk kishte mbetur askush që të fliste.” Këto fjalë janë pasqyrë e kohës sonë. Sepse çdo heshtje ndaj padrejtësisë që prek tjetrin është një gur më shumë në murin e izolimit që, një ditë, do të na mbyllë të gjithëve brenda tij.

    Dhe ndoshta, për ta kuptuar këtë rrezik, duhet të kujtojmë muzikën – gjuhën e vetme që njerëzit e kuptojnë pa fjalë. Muzika nuk njeh kufij apo pushtete. Ajo jeton vetëm kur tingujt e saj bashkohen në harmoni. Kur një zë hesht, e gjithë melodia humb kuptimin e saj. Mendoni për Simfoninë IX të Beethoven-it, kompozitori i shurdhër që, pa dëgjuar tingujt e vet, krijoi një kryevepër ku “Oda e gëzimit” shpërthen si thirrje për vëllazërim. Në çdo sallë ku luhet, zemra e qindra njerëzve të panjohur rreh në të njëjtin ritëm. Askush nuk pyet prejardhjen a besimin e tjetrit – të gjithë e ndjejnë njësoj. Kështu edhe njerëzimi: ashtu si një simfoni nuk mund të ekzistojë me tinguj të veçuar, as shoqëria nuk mbijeton e copëtuar në egoizma dhe heshtje. 

    Prandaj nuk është rastësi që poeti persian Saadi Shirazi shkroi vargjet që sot janë të gdhendura në njërën nga sallat e takimeve të Kombeve të Bashkuara: “Si pjesë e një trupi mbi dhe njerëzit janë, Se brumn’e krijimit të njëjtë e kanë. Kur koha një pjesë godet me tërbim, As shoqet më s’kanë pastaj ngazëllim. O ti, që s’dhëmkos kur tjetri heq zi, Më kot ty të quajnë me emrin Njeri!”Në të njëjtën frymë, Francesca Albanese kujton: “Askush nuk është i sigurt, nëse të gjithë nuk janë të sigurt.” Siguria, si muzika, nuk është privilegj për pak, ose është melodi e përbashkët, ose shuhet në heshtje.

    Megjithatë, sot shpesh zgjedhim të mos dëgjojmë. Të mbyllim sytë e veshët, të jetojmë në një harmoni të rreme. Dhe ndërsa heshtim, hesht edhe muzika e shpirtit. Sepse muzika e vërtetë nuk lind aty ku ka luks e egoizëm, por aty ku dridhjet e zemrës bëhen të përbashkëta.

    Siç thoshte Albert Camus: “Nëse bota duhet të shkatërrohet, nuk do të jetë nga mungesa e dritës, por nga mungesa e dashurisë dhe nga pranimi i padrejtësisë si e natyrshme.” Çdo heshtje ndaj dhimbjes së tjetrit është një notë e munguar, çdo mbyllje sysh ndaj padrejtësisë është një akord i prishur që e shndërron simfoninë e njerëzimit në kakofoni.

    Prandaj, le të mos heshtim. Heshtja është instrumenti më i rrezikshëm në orkestrën e së keqes: i jep pushtet tiranisë dhe ua shuan shpresën të pafuqishmëve. Nëse duam që muzika e njerëzimit të mos shuhet, duhet të rikthejmë harmoninë e harruar – solidaritetin, dhembshurinë, guximin për të ngritur zërin. Sepse nesër, kur dera e padrejtësisë të trokasë edhe për ne, mund të jetë vonë për të kuptuar se simfonia e heshtjes që luajtëm sot ishte rekuiemi ynë.

    Lajmi Paraprak

    Hapësira qytetare në Ballkan po ngushtohet! Pas tre viteve pauzë, në RMV rikthehet Këshilli për Bashkëpunim

    Lajmi i rradhës

    ShBA-ja dhe BE-ja arrijnë marrëveshje për tarifat

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë