Kultura shqiptare është se ajo i respekton pleqtë më shumë se çdo shtresë tjetër të shoqërisë

    Sead Zimeri

    Të gjithëve na shqetësuan pamjet e dhunës ndaj një gjysheje të moshuar. Pse? Jo vetëm që dhunohej një nënë, por dhunohej nga ata që paguhen për t’u kujdesur për të. Këto infermiere jo vetëm që bënë një vepër të neveritshme, trupi më dridhej kur pashë ato skena, por bënë një vepër në një mjedis ku duhet të kishte siguri të plotë nga kjo lloj dhune. Dhunueset nuk respektuan as gjyshen, as vendin e punës së tyre, as rolin e tyre si infermiere, dhe as veten. Papërgjegjësi e plotë.

    Nuk e fajësoj kulturën shqiptare për këtë: në kulturën tonë pleqtë janë pothuajse të shenjtë. Askush nuk mund t’i prekë sepse një veprim i tillë dënohet ashpër nga kodet zakonore dhe nga kultura jonë. Pleqtë respektohen edhe kur janë të paduruar. Në fakt, do të thosha se shenja dalluese e kulturës shqiptare është se ajo i respekton pleqtë më shumë se çdo shtresë tjetër të shoqërisë. Kur plakeni, merrni një status më të lartë, pothuajse të paprekshëm. Edhe kur plaku apo plaka flasin budallallëqe dhe nuk na respektojnë, ne nuk i kundërshtojmë dhe aq më pak i abuzojmë.

    Dhuna fizike ndaj tyre është tabu në shoqërinë tonë, prandaj ky reagim spontan ndaj këtij incidenti. Problemi nuk është dhuna fizike si e tillë, megjithëse është një problem i madh në vetvete, por mosrespektimi i kodit kulturor, kodit të punës dhe dinjitetit njerëzor. Pleqtë janë më të prekshëm (vulnerabël) se ne të tjerët, ndaj kultura jonë ka vendosur barriera të larta që mbrojnë dinjitetin e tyre.

    Kemi shumë të meta si popull, por këtu kemi një të mirë që duhet ta kultivojmë. Dhuna ndaj të moshuarve tanë nuk duhet të tolerohet në asnjë formë dhe në asnjë mënyrë.

    Lajmi Paraprak

    Targat, Ballkani i Hapur mbi dy teneqe!

    Lajmi i rradhës

    Borxhi i Komunës së Tetovës brenda një viti është zvogëluar vetëm për 613 mijë euro (Video)

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë