KUSH DREJTON SFERËN PUBLIKE NË KOSOVË: QYTETARËT A ‘EKSPERTËT E BALLKANIT’?

    SHQETËSIMET E QYTETARËVE JANË RRALLËHERË NË QENDËR TË DEBATIT PUBLIK.

     Milica Radovanović

    Nga viti në vit, me fillimin e reshjeve të furishme, një pjesë e konsiderueshme e Kosovës përfundon e vërshuar. Po kështu, edhe zgjedhjet mbahen nga viti në vit sepse asnjë qeveri deri më tash nuk e ka mbaruar mandatin e plotë. Megjithatë, asnjë qeveri nuk ka paraqitur ndonjë zgjidhje për çështjen e vërshimeve. Ndoshta nuk është problem aq i madh.

    Problem tjetër është fakti se për shkak të bllokimeve të shpeshta të trafikut pasdite, ata që kryejnë punën shpenzojnë gati një orë për të dalë nga qendra e Prishtinës. Rregullimi i trafikut ditor dhe ndalimi i ndotjes së ajrit nuk kanë prioritet mjaft të lartë politik për asnjë qeveri të re. Ndoshta nuk janë probleme aq të mëdha.

    KOSOVA VËRTET KA LIGJE QË NUK ZBATOHEN, POR ËSHTË MIRË TË LEXOHEN DISA NGA TO PARA SE TË CILËSOHEN SI TË MIRA.

    Nuk ka as edhe një vend në Kosovë ku ka shkelur këmba e njeriut e s’është lënë prapa një grumbull plehrash. Dhe kjo është gjëja e parë që vërehet, bërlloku i gjithmbarshëm, sidomos gjatë dimrit kur nuk ka mjaft gjelbërim për ta mbuluar sadopak. Pranë lumenjve dhe brenda tyre; në përrenj e në rrugë; në qyteza e në qytete.

    Sidoqoftë, askush nuk pret me seriozitet se një qeveri e re do të vendosë kontejnerë të mjaftueshëm dhe t’i mësojë qytetarët qysh t’i përdorin si duhet — pra, që t’i hedhin mbeturinat në shporta e jo gjetkë. Nuk mund të flasim për riciklimin pa u aftësuar fillimisht për themelet e hedhjes së mbeturinave. Me përjashtim të shqetësimeve të thella që shprehen gjatë Ditës Botërore të Mjedisit dhe në komunikimet e organizuara nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, kjo po ashtu nuk përfshihet në pritshmëritë e rëndësishme të ndonjë qeverie të re. Ndoshta sepse as ky nuk është ndonjë problem i madh.

    Ligjet e mira

    “Kosova ka ligje të mira, por ato nuk zbatohen sa duhet”. Kjo është një fjali që shumica e njerëzve e përdorin me lehtësi të madhe për t’i përshkruar problemet kyçe në terren. Kosova vërtet ka ligje që nuk zbatohen, por është mirë të lexohen disa nga to para se të cilësohen si të mira. Atëherë del në pah përse duhet menduar me kujdes para se të quhen “të mira”.

    Gjatë dy viteve të fundit kanë marrë vëmendje dy ligje të caktuara. Pa bërë gjykime për vlerën e tyre, ka pasur shqetësime për shkak se, pavarësisht nga kundërshtimet ligjore, publike dhe ato të bazuara në ekspertizë, ato prapëseprapë janë votuar në seancat e Kuvendit.

    Në fund të marsit 2019, Kuvendi i Kosovës ka miratuar një ligj për ndalimin e bixhozit pas një vrasjeje të dyfishtë në kazino. Sipas vlerësimeve, ky ligj i ka lënë rreth 4,000 familje në Kosovë pa të ardhura. Ligji me tri nene kishte për qëllim luftimin e krimit.

    Një ligj tjetër që nuk ka arritur të miratohet në Kuvend është ai për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së. Ky ligj përkufizon “vlerat e mbrojtura të luftës së UÇK-së”. Disa nga ish-pjesëtarët e saj janë sot në Hagë duke pritur të gjykohen për krime lufte.

    Megjithatë, Ligji i UÇK-së (me 12 nene) do të obligonte çdo zyrtar publik dhe qytetar të Kosovës “në çdo kohë dhe rrethanë”, brenda dhe jashtë vendit, “t’i mbrojë dhe t’i respektojë” këto vlera. Projektligji dështon të përkufizojë se cilat vepra përfaqësojnë respekt dhe mbrojtje të këtyre vlerave, por parasheh dispozita kriminale për to. Çdokush që do të shkelte dispozitat e këtij ligji do të dënohej “në përputhje me ligjet e aplikueshme”. Ky ligj do të vendoste sjellje të reja kriminale që do të ndëshkoheshin (edhe pse nuk saktësohet se çfarë përmbajnë).

    Të dyja ligjet tregojnë se si politikanët kosovarë nuk i shqyrtojnë pasojat e ligjeve të tyre “të mira”. Ligji kundër bixhozit ndaloi aktivitetin pa dëmshpërblimin e pronarëve ose punëtorëve të këtyre kazinove. Ligji i propozuar për UÇK-në do të kriminalizonte sjellje dhe shprehje të papërkufizuara.

    Vendimi i Gjykatës Kushtetuese që ka shpënë te zgjedhjet e fundit në Kosovë ka marrë mjaft vëmendje, por jo për pjesët problematike të vendimit. Gjykata ka vendosur se njerëzit që janë  dënuar për vepër penale me vendim të formës së prerë brenda tri viteve të fundit nuk lejohen të kandidojnë në zgjedhje.

    MENDOJMË PËR BARASPESHËN E FUQIVE GJEOPOLITIKE DHE RROTULLIMIN E TYRE RRETH KOSOVËS SIKUR ËSHTË PUNA MË E RËNDËSISHME NË GJITHËSI.

    Në anën tjetër, dikush që është dënuar për vrasje, përdhunim, krime lufte ose shpërdorim të detyrës zyrtare para pesë, 10, ose 15 vjetësh është plotësisht i përshtatshëm për të qenë kandidat për deputet. E mos të flasim që s’ka kurrfarë pengese ligjore që kriminelët e dënuar të mbajnë pozita të larta publike, madje të jenë këshilltarë të presidentit ose kryeministrit, siç ka ndodhur deri më tash. Ndoshta ky fakt nuk është aq problematik.

    Të ashtuquajturit ekspertë të Ballkanit 

    Por ato që më duket se mbizotërojnë sferën publike kur flasim për pritshmëritë e zgjedhjeve në Kosovë janë:

    Angazhimi në dialog për ta arritur një marrëveshje përfundimtare; transparenca e institucioneve dhe llogaridhënia e vendimmarrësve; shtegu evropian; stabiliteti dhe prosperiteti, anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare; pasojat e hapjes së Ambasadës në Jerusalem; dhe se a do të ketë administrata e ShBA-së qasje më aktive apo më pasive?

    Duke pritur për analizat, interpretimet, parashikimet dhe mendimet e shumë anëtarëve të instituteve për politika, politikanëve dhe gazetarëve në Kosovë, shpesh kam përshtypjen se shumica e këtyrë “ekspertëve të mirënjohur të Ballkanit” janë në fakt nga Londra, Nju-Jorku dhe Brukseli. Njerëz që s’kanë kaluar shumë vite ne Kosovë. Me dijen që kanë fituar nga studimet e paqes në universitete prestigjioze, ata kanë urtinë maksimale për t’i kuptuar proceset demokratike në mjedise të dala nga konfliktet dhe për të drejtuar diskutimin e hapësirës sonë publike.

    Proverbi, e s’përdoret kot, thotë se të gjitha proceset në shoqëritë e dala nga konfliktet ngjasojnë me njëri-tjetrin dhe të gjitha anët përmblidhen si monedhë e hekurt magjike me pritshmëri që aplikohen gjerësisht: “Zbatimi i reformave, forcimi i sundimit të ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.

    Më duket se dalëngadalë po bëhemi sikur ata “ekspertët e Ballkanit”. Mendojmë për baraspeshën e fuqive gjeopolitike dhe rrotullimin e tyre rreth Kosovës sikur është puna më e rëndësishme në gjithësi.

    Vetëm pasi ta shpjegojmë çështjen në tërësi mund të flasim për punët lokale. E presim zbatimin e reformave, por nuk saktësojmë cilat; presim forcimin e sundimit të ligjit, por nuk shpjegojmë se çfarë kuptimi ka konkretisht; presim luftën kundër korrupsionit, por çfarë lloj lufte?

    E mëlmejmë këtë me pritshmërinë më entuziazmuese pas zgjedhjeve, luftën kundër krimit të organizuar — një fjali që përdoret shpesh — dhe themi se për t’i arritur këto duhet transparenca e institucioneve dhe përgjegjësia e vendimmarësve.

    Këto janë deklarata të koklavitura dhe të turbullta që janë përfundimisht të pakuptimta kur vjen puna te çështjet praktike me të cilat jetojnë njerëzit në Kosovë.

    Pra kujt i intereson për mbeturinat, vërshimet, bllokimet e trafikut dhe ajrin e lumenjtë e ndotur? Kujt i intereson që kriminelët e dënuar mund të marrin pozita të larta në institucione? Përse të merremi me “detajet” kur mund të flasim në përgjithësi për çdo gjë, sikur “ekspertët e Ballkanit”? Përse janë ata më të mirë se ne?

    Kjo perspektivë është shkruar për Nismën e Re Sociale në kuadër të serisë së tyre të opinioneve dhe është botuar në K2.0 sipas marrëveshjes.

    Seria e opinioneve është pjesë e një projekti nga Balkan Trust for Democracy e German Marshall Fund të ShBA-së dhe USAID-it. Këndvështrimet e shprehura në këtë seri opinionesh nuk përfaqësojnë doemos ato të Balkan Trust for Democracy, të German Marshall Fund të ShBA-së (BTD), të Agjencisë së ShBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) ose të Qeverisë së ShBA-së.

    Lajmi Paraprak

    “I patalentuari është i talentuar për të penguar të talentuarin”

    Lajmi i rradhës

    “Koha ikën, dhe duke shkuar ndryshon, ribën dhe shkel ç’do gjë me çapin e saj të pavdekshëm”

    Lajme tjera

    “Baba i vogël”

    Li-Young Lee E varrosa tim atë në qiell.Qysh atëherë, zogjtëe lajnë dhe e krehin çdo mëngjesdhe ia ngrenë…
    Më tepër

    Për nënën

    Përktheu: Bajram Karabolli Dy miq u takuan dhe shkuan të pinë kafe bashkë. Njëri nisi t’i ankohet tjetrit:…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë