Kush qëndron pas grafikës së Skënderbeut?

    Roli i artistit në shoqëri është roli kyç në mbajtjen gjallë të kujtesës historike. Përcjellja e vlerave kombëtare duhet të jetë dhe interesi kryesor në ditët e sotme. Ndonëse arti merr suaza të ndryshme, në varësi të vendit që krijohet, ne si shqiptarë duhet të jemi me këmbë në tokë për të qenë të vetëdijshëm për historinë që përfaqësojmë.

    Njëri nga këta artistë është Luran Osmani, i cili mbetet fytyra anonime që fshihet pas grafiks së Skënderbeut.

    1. Duke qenë se ne në Maqedoni jemi rritur me “atdhe të munguar”, a mendon se kjo na ka bërë që Shqipërinë ta shohim gjithmonë me një lloj idealizmi?

    Luran Osmani: Mund ta hidhni si raport për shqiptarët jashtë kufijve të Shqipërisë nga situata e qasjes historike, por çka keni në përmbajte të konceptit të ideales?! Apo çka shohin ideale shqiptarët brenda kufijve të Shqipërisë?

    2. Sigurisht, kur fillojmë të krijojmë ne nuk e dimë se çfarë rrjedhe do të marrë vepra që po zhvillojmë, por më pas është përgjegjësia që na jepet për atë që kemi krijuar. Në rastin tuaj pesha e kësaj vepre është ditur që në momentin e krijimit të saj. Por, a e mban mend çastin kur ju lindi ideja e krijimit të kësaj grafike?

    Luran Osmani: Koha kur e kam krijuar këtë grafikë, nuk ka qenë aspak e lehtë. E them aspak e lehtë, duke përfishë këtu shumë rrethana në të cilat ndodheshim atëherë. Pra, ishte koha e protestave në Kosovë, viti 2012. Pastaj, në atë kohë z. Albin Kurti kishte takim me intelektualët shqiptarë në Maqedoni. Kaluam nëpër sheshin e qytetit të Shkupit, ndaj u ndalëm te shtatorja e Skënderbeut. Ishte momenti kur ajo shtatore dha një reflektim ideal, për një artist kur sheh kuadro të ndryshme nga ajo që na rrethon dhe fotografia ta jep shumë qartë faktin në heshtje. Nga ajo shkrepje e momentit të figurës së Skënderbeut në Shkup lindi koncepti për ta trajtuar edhe në grafikë e dizajn. Më pas filloi të marri rrugën e vet gjatë trajtimit me kohën.

    3. Veprën në fjalë a e prezentuat menjëherë në publik, apo i dhatë kohë përpara se ta shfaqni?

    Luran Osmani: Jo, sigurisht që nuk e prezentova menjëherë. Madje mendoj se vepra e puna e bërë me trajtesen e sinqeritetin e duhur e tregon vetë momentin e kohës së shfaqjes sepse është si moment çlirimi,  ekspozimi dhe ai moment ndodhi në 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Për mua një rishikim në trajtesë historike dhe gjesti im modest për respektimin e vlerave tona historike nga fusha ime si artist.

    4. Thonë që artistët vijnë me vonesë. Pra, nuk i takojnë kohës ku jetojnë. As nuk i marrin lavdet në kohën që veprojnë. Artisti ndonëse shikon realitetin e kohës, koha nuk e lejon që t’i pranohet kjo e vërtetë. Ju, Luran, si e ndjeni veten si artist në vendin ku jetoni e veproni?

    Luran Osmani: Të jetosh si artist kur e sheh se has në shumë forma të okupimit në vendin tënd, ke përplasje, domosdo je i distancuar prej institucioneve, të mungon përkrahja që duhet ta kesh. Por, të jesh i shtypur, nuk do të thotë që duhet të jesh edhe i nënshtruar. Pa i marrë parasysh rrethanat, artisti ia del në jetë sepse ai jeton me vërtetësinë e jetës. Artisti i mirëfilltë e do punën dhe e krijon, pavarsisht të gjitha barrierave të cilat shpesh herë dhe nuk janë aspak të lehta.

    5. Me sa e di unë, vepra në fjalë është shpërnadë shumë, është shumëfishuar, madje shumë njerëz edhe bëjnë tatuazh. Ndaj, po pyes, sa përkrahje emocionale nga njerëz që e vlerësojnë punën tuaj, keni pasur shumë, apo?

    Luran Osmani: Kjo është magjia e artit, vepra është pëlqyer, është shpërndarë shumë edhe është kopjuar nga institucione komunale pa lejen apo dijeninë time dhe kjo nuk ka qenë aspak e hijshme dhe profesionale nga ana e tyre, aq më keq kur je institucion. Por, Skënderbeu nuk është i imi, është i yni dhe qëllimi është të mos harrohet, të mbahet gjallë në një formë a një tjetër. Ndërsa, sa i takon kthimit të grafikës në tatuazh, nuk mund të jem i sigurt se sa njerëz e kanë përjetësuar në trup, por nuk janë të paktë ata që më dërgojnë fotografi çasti të tatuazhit të tyre dhe kjo më bën që ta rikujtoj faktin se fusha e artit në këto kohëra ku humb kuptimi i vlerave dhe zëvendësimi i saj me jo vlera, duhet ta mbajë qëndrimin  e duhur sepse arti na ka treguar në histori të njerëzimit se është ushqimi më se i nevojshëm.

    6. Për këtë dizajn a mund të thuash se është më i miri që ke realizuar deri tani?

    Luran Osmani: Nuk mund të them nëse është më e mira në realizim, por mund të them që është dizajni më me vlerë që kam bërë duke u nisur nga shumë aspekte, si historike, kulturore dhe kohore por, mendoj se gjurmët do të mbesin, se e tillë është vetë historia që mban.

    7. Ndoshta është një pyetje jo shumë e preferuar për artistët, por çfarë pret një artist nga arti që krijon?

    Luran Osmani: Nuk mund as nuk dua të pres gjë. Nuk do të bëja art asnjëherë nëse do të kisha menduar për përfitimet që mund t’i kem por, çka bëjmë ne për artin apo në emër të artit? Këtu kemi shumë gabime. Ne duhet ta kuptojmë si artistë, se fusha e artit duhet të jetë reflektim i realitetit, e jo instrument i fushave tjera. Të kontribojë në ngritje të vlerave, gjërat duhen të jenë të definuara në funksionin e rolit që kanë apo që duhet të kenë, e jo në qasje të interesave grupore personale. Mënyra si funksionojnë ministritë e kulturës në raport me fushat e artit e kanë polarizuar politikisht gjendjen artistike dhe kështu arti humb rolin dhe kuptimin, e kjo e bën që rrethet artistike të mos jënë në lidhshmëri funksionale… Me fajësime nuk arrihet në ndonjë zgjidhje, por mendoj që të gjithë të jemi së pari vetëkritikë në raport me shumë probleme dhe të paktën mos të mohojmë e arsyetojmë gabimet. Arti për mua është thjeshtë dëshirë dhe sakrificë, sidomos në një vend ku nuk vlerësohet arti e ku mungon avangarda. Artisit nuk duhet t’i takojë asnjë partie politike, duhet të jetë i lirë…

    8. Çfarë do kishit dashur ju të jetë ndryshe në këtë shoqëri?

    Luran Osmani: Për mua ndryshimi është proces. Gjërat nuk mund të ndryshojnë brenda një gjenerate, sepse çdo ndyshim është proces i cili kalon jetët njerëzore. I rëndë është fakti se ne kemi tri Akademi Shkencore, por kemi mungesë të librave profesional. Këto janë mangësi që duhet zhbërë sa më parë. Por nëse duam të dimë ku është çelsi i suksesit, sigurisht që vetëm puna dhe përkushtimi janë ata që bëjnë dallimin. Nuk duhet gënjyer veten në forma të tjera.

    Përgatiti: N. Emrullai

    Lajmi Paraprak

    Mali i Zi drejt bllokimit të mundshëm të negociatave me BE-në

    Lajmi i rradhës

    Gjykatat luajnë “ping-pong” me rastin e deponisë në Strugë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë