Lea Ypi në Tetovë: Liria nuk ndërtohet vetëm me një individ! (Video)

    Lea Ypi

    Filozofja shqiptare me famë ndërkombëtare, Lea Ypi ka folur ekskluzivisht për Nistorin në lidhje me konceptin e lirisë, nëse shqiptarët janë të lirë, përshtypjet në takimin me studentët në Tetovë dhe librin autobiografik.

    Intervistoi: Blerona Jakupi Zylbehari

    Lea Ypi ka lindur në Durrës. Ajo është pedagoge e Teorisë Politike në Shkollën e Shkencave Politike dhe Ekonomike në Londër dhe Profesore e Filozofisë në Universitetin Kombëtar Australian. Ajo është diplomuar për Filozofi dhe Letërsi nga Universitetin La Sapienza dhe ka përfunduar doktoraturën në Institutin Universitar Europian. Ypi ka bashkëpunuar me Universitetin e Stanfordit (2017), Institutin për Studime të Avancuara në Berlin, Universitetin e Frankfurtit (2010, 2016), Universitetin e Tokios dhe Universitetin Federal të Santa Caterina në Brazil.

    Ndër botimet e saj të shumta janë “Global Justice and Avant-Garde Political Agency”, “The Meaning of Partisanship” (me Jonathan White), etj.. Vepra e saj është përkthyer në frëngjisht, gjermanisht, spanjisht, italisht, holandisht dhe kinezisht (mandarinisht). Me studimet e saj ka marrë disa çmime ndërkombëtare. Ypi ka dhënë mbi njëqind leksione si e ftuara, duke përfshirë Universitetin e Çikagos, Princeton, Yales, Harvardit, Stanfordit, Kembrixhit, Oksfordit, Parisit, Romës, Frankfurtit, Berlinit, Pragës, Uppsalas, Barcelonës, ​​Oslos, Montrealit, Torontos, Pekinit, Kiotos dhe Melburnit. Ajo kontribuon rregullisht në mediat prestigjioze ndërkombëtare si The Guardian, New Statesman, The Independent, Jacobin Magazine dhe në panelet dhe debatet e radios dhe TV të BBC-së. Në gjuhën shqipe ka botuar dy libra: “Vetëm për vete” dhe “Të lirë”. Libri të libër është botuar edhe në anglisht dhe ka pasur një sukses të jashtëzakonshëm në arenën ndërkombëtare. (Bukinist)

    Blerona Jakupi Zylbehari: Sa të lirë janë shqiptarët sot?

    Lea Ypi: Liria në fakt gjendet në përpjekjen për liri dhe askush më shumë se tetovarët, se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk e dinë këtë më mirë. Mendoj që shqiptarët gëzojnë liri shumë të pabarabarta dhe pavarësisht se ajo liria morale për mendimin tim nuk ikën kurrë dhe gjithmonë është brenda nesh. Shoqëritë në të cilat ne jetojmë nuk reflektojnë këtë liri nga ana politike dhe institucionale. Ky është themeli i kritikës shoqërore që ne duhet të ndajmë të gjithë.

    Blerona Jakupi Zylbehari: Çfarë i ka pezulluar që shqiptarët të gëzojnë këto liri të pabarabarta?

    Lea Ypi: Është një histori shumë e gjatë dhe shumë e ndërlikuar. Ka të bëjë me trashëgiminë tonë, me të kaluarën tonë të vështirë, ka të bëjë me vështirësitë e tranzicionit. Ka të bëjë edhe me modelin ekonomik dhe politik që ne e kemi sot, e në fakt shpërblen lirinë për disa dhe jo për të gjithë. Në fakt nuk e mundëson përfaqësimin demokratik në shoqëritë tona.

    Blerona Jakupi Zylbehari: Keni shkruar edhe një libër autobiografik. Ku e keni gjetur atë liri për të shprehur mendimin tuaj në atë libër?

    Lea Ypi: Libri është shkruar nga pikëpamja e një fëmije dhe përshkruan pikërisht kërkimin e lirisë përtej ideologjive dhe përtej interpretimit që i bëhet këtij koncepti nga institucionet përkatëse dhe periudhave të ndryshme historike. Pamja, vështrimi i fëmijës është ajo që ka mundësuar që libri të ndërmjetësojë dhe të hap një debat se, çfarë do të thotë vërtetë të jesh i lirë dhe çfarë do të thotë të ndërtosh kritikën shoqërore që na duhet për të qenë të gjithë të lirë.

    Blerona Jakupi Zylbehari: Në fund të librit, ju rriteni. A ka ndryshuar koncepti i lirisë?

    Lea Ypi: Jo. Sepse mendoj që liria është universale dhe ne e ndajmë gjithnjë. Ka të bëjë me instinktin moral që ne kemi dhe ndjejmë të gjithë dhe që na shfaqet në momentin e përgjegjësisë morale. Ajo që ndryshon janë eksperiencat dhe mënyra se si i qasemi dhe mjetet që ne gëzojmë dhe që mund të kemi për të arritur, realizuar atë liri për nga ana shoqërore.

    Blerona Jakupi Zylbehari: Një mesazh për lirinë dhe të gjithë ndjekësit e Nistorit?

    Lea Ypi: Për mua ajo që është më e rëndësishme të thuhet është se, liria shoqërore nuk ndërtohet vetëm nga një individ i vetëm. Ndërtohet vetëm duke kërkuar nga institucionet, nga strukturat, nga pushteti, që të na japin përfaqësinë që na premtojnë. Kjo është diçka që të rinjtë të shkojnë përtej cinizimit, përtej apatisë, përtej mosbesimit dhe të gjejnë kurajon brenda vetes dhe me të tjerët për të ndërtuar kritikat shoqërore, për t’i kërkuar politikës që t’i realizojë ato premtime që bën.

    Blerona Jakupi Zylbehari: Faleminderit!

    Lea Ypi: Faleminderit, ju!

    Lajmi Paraprak

    “Maqedonia është dashur të jetë anëtare e BE-së shumë kohë më parë”

    Lajmi i rradhës

    Çfarë tregon akulli i tepërt në frigoriferin tuaj?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë