“Nëna foto nuk ka”

    Petrit Ruka

    “Nëna foto nuk ka” është një ndër pengjet më të mëdha të Petrit Rukes. Që në titullin e përfaqësuar me figurën e inversionit (duhet të ishte “Nëna nuk ka foto”, por autori e ka zhvendosur foljen në fund), ndihet dhimbja që ka autori për mungesën e fotografive të së ëmës. Aq e madhe është kjo mungesë, saqë edhe nëvarr i kanë vendosur foton e pasaportës. Ndërkohë, në kontrast me të shkuarën kur fotografitë bëheshin më rrallë, autori tani ka pranë vetes një aparat fotografik profesional, por që ndjen se nuk ka për çfarë i duhet. Me anë të tij, nuk mund t’i bëjë dot më foto të ëmës, e cila ka ndërruar jetë.

    Poezia shpreh mungesën e diçkaje kur duhet dhe bollëkun e saj në një moment tjetër. Është e trishtë tëmos kesh kujtime të shkrepura në foto me prindërit. Për sa kohë i kemi gjallë, duhet të bëjmë sa më tepër foto e video me ta. Kemi fatin të jetojmë në një kohë ku çdo gjë mund të ruhet përjetë dhe t’i kujtojmë ata në çdo moment. Nëse prindërit i ke ende në jetë, nxirri sa më shumë në foto. Bëj video me ta. Një ditë do të kapë malli, do të duash t’i kujtosh e mund të mos kesh asnjë foto të tyre. Kjo gjë është padyshim e trishtë.

    “Nëna foto nuk ka”
    Nëna foto nuk ka veç të pasaportës
    që gjendet dhe në varrin e saj, ku u fal.
    Shteti veç njëherë e dërgoi fotografin
    për robërit e tij
    deri lart në mal…

    Ja të rris dhe këtë fëmijë
    unë e mjera,
    Sa t’i ndërroj këto këpucë të vjetra.
    Fotografi nuk kaloi më kurrë asaj ane
    Qyteti më tej katër kilometra.

    Kur më rriti mua, të gjashtin, rrudhat
    i kishin zbritur hartën e Shqipërisë
    nga balli tek mjekra,
    po ajo nuk qau që unë të mos e shihja;
    “Ç’e dua një foto tani…. unë e zeza?!”


    E u nis një ditë pa foto për Andej,
    ku nuk bëhen dot shkrepje
    në errësirën e Hadit.
    Dhe unë u bëra kineast, që tallja të fekste,
    ta filmoja të plotë ironinë e fatit…


    Mijëra foto në jetë i bëri Vjosa e kaltër
    dhe kroi i fshatit
    të bukurës sime,
    po unë si t’i mbledh, se ato shkuan në det,
    i bëri kripa e lotit cipë e thërrime…


    Një aparat dymijë euro
    tani mbaj në studio
    dhe netëve kur dremis, besoj si i marrë,
    mos më shfaqet në ëndërr e i bëj një foto
    një foto nga ato që bota s’ka parë…

    Lajmi Paraprak

    Ndikimi i Putinit në Ballkan, imponon përshpejtimin e procesit të integrimit nga ana BE-së

    Lajmi i rradhës

    Sa herë duhen rimbushur shishet plastike të ujit ?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë