“Njerëz pa rrënjë”

    Petrit Ruka

    Gjithmonë e më shumë shtohen njerëzit pa rrënjë,
    ata që nuk kanë më
    një shtëpi të tyre.
    I marrin me qira të gjitha… dhe ëndrrat,
    i rrëmojnë e i shkulin në libra psikologjie.

    Pa rrënjë tani ngjajnë me pemët e shkulura,
    tek varret e prindërve shkojnë rrallë e rrallë,
    xhevzen e nënës së vdekur e kanë hedhur
    kafen e pinë rrugëve
    në këmbë si kuaj.

    Nuk kanë miq shtëpie, i çojnë në hotele
    aty u shtrohet fjetja, buka dhe vera,
    me qira, me kredi të gjitha,
    të gjitha,
    dhe emrat e dytë, kombësitë e tjera.

    Babai i vdekur drejt e nga spitali
    me qira tek “Funerali”
    fle natën e fundit,
    dhe vajzat e tij mbajnë syze të errëta
    të mos iu shkrijë nga lotët lapsi i plumbit.

    Me qira sot fytyrat, një tjetër dhe një tjetër
    ndërrojnë lëkurën si gjarpri
    në klinika të shtrenjta,
    ndër romane i huajnë fëmijëritë që nuk patën
    kujtimet e florinjta, mallet e argjendta.

    Mëmësinë mund ta blesh me para në një bankë
    mbjell në bark një bebe
    pa baba e pa gjyshe,
    gjithmonë e më shumë takoj njerëz pa rrënjë,
    (dhe oh, sa më dhemb kjo bota “Ndryshe”).

    Lajmi Paraprak

    Gjumi i mirë mbron foshnjat nga mbipesha

    Lajmi i rradhës

    Pesë qytetet e famshme të lashtësisë, që sot nuk ekzistojnë

    Lajme tjera

    Dashuria…

    Jiddu Krishnamurti (pjesë nga libri, “Liri nga e njohura”)Përktheu: Shpëtim Kelmendi Ç’është dashuria? Fjala është falsifikuar dhe molepsur…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë