Sytë e urrejtjes

    Oktavio Paz

    1.
    Në orën tre fiks, Don Pedro u ul në tavolinën tonë, përshëndeti çdo njërin prej konkurentëve, pëshpëriti për veten e tij një frazë të padeshifrueshme dhe zuri vend qetësisht.
    Kërkoi një filxhan kafe, ndezi një cigare, dëgjoi muzikë, piu me gllënjka kafen e tij, mori sombreron, nxori portofolin, na tha të gjithëve “ditën e mirë” dhe iku.
    Dhe kështu të gjitha ditët.

    2.
    Çfarë thosh Don Pedro, kur ulej dhe kur ngrihej me fytyrën serioze dhe sy të fortë?
    Thoshte:
    “Ishalla vdeksh!”
    Don Pedro e përsëriste shumë herë në ditë këtë frazë. Kur zgjohej, kur ngrihej nga mëngjesi i tij i zakonshëm, kur hynte dhe dilte nga shtëpia e tij në orën 8:00, në orën 13:00, në orën 14:00, në orën 19:00 dhe në orën 04:00, në kafeteri, në zyrë, përpara dhe mbas çdo ngrënieje, kur shtrihej për të fjetur. E përsëriste ndër dhëmbë apo edhe me zë të lartë, vetëm apo edhe në shoqëri. Ndonjëherë vetëm me sy.
    Gjithmonë me gjithë shpirt.
    Askush nuk e dinte se kujt ia drejtonte këto fjalë. Askush nuk ia vinte veshin pikënisjes së kësaj urrejtjeje. Ndoshta ishte një urrejtje pa shkak, ndoshta një urrejtje e pastër.
    I veshur në të zeza, ai dukej se mbante zi për dënimin që i kishte dhënë vetes.

    3.
    Një mbasdite, Don Pedro arriti më vonë se zakonisht. U ul pa u ndier dhe atëherë, kur ishte kulmi i qetësisë, çka kushtëzohej më tepër nga prania e tij, papritur lëshoi këto fjalë:
    “Tashmë e vrava.”
    Cilin dhe si?
    Disa buzëqeshën, duke dashur ta merrnin si shaka.
    Vështrimi i Don Pedros i stepi. Të gjithë u ndjenë të shqetësuar.
    Pak nga pak, grupi u shpërbë. Don Pedro mbeti vetëm, më serioz se asnjëherë. Nuk u kthye më ditën tjetër.
    Kurrë nuk u kthye më.
    Vdiq?
    Ndoshta i mungonte urrejtja që e mbante gjallë, ndoshta jeton ende dhe tashmë urren ndonjë tjetër.
    Unë rishikoj veprimet e mia.
    Dhe të njëjtën gjë të këshilloj të bësh edhe me të tuat: a ke menduar ndonjëherë sikur, ndoshta shumë pranë teje, të të shohin sy si ato të Don Pedros?

    Përktheu: Flora Nikolla.

    Lajmi Paraprak

    VMRO-DPMNE kritika për protokollin

    Lajmi i rradhës

    Edukimi parafillor i obligueshëm, synohet rritja e numrit të fëmijëve në edukimin e hershëm

    Lajme tjera

    “Ti nuk je”

    Erin Hansen Ti nuk je sa vitet e tua,As sa masa që vesh.Nuk je pesha jote,Ngjyra e flokëve…
    Më tepër

    BREAKING NEWS (BBCNN)

    Ervin Hatibi BREAKING NEWS (BBCNN) Prapë luftë dhe prapëmakinate refugjatëve nën avionëkanë targat perse tëAfganistanit mjekë pa kufijtë…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë