Librat e vetëvrasjes dhe vdekjes

    Daut Dauti

    Romani ‘Pse’ i Sterjo Spasses ka qenë shumë i përfolur. Qarkullonte një porosi e mistershme për këtë roman. Porosia përcillej edhe me një kob që thoshte:’Mos e lexoni se pastaj bëni vetëvrasje!’. Dikush tjetër thoshte:’Ani, lexojeni, por mos u thelloni shumë’. I pyesja njerëzit nëse e dinin dikend që ka bërë vetëvrasje për këtë arsye? Dikush thoshte se një vajzë sapo kishte bërë vetëvrasje në Ferizaj, dikush thoshte se në Gjakovë apo Pejë disa djemë i kishin dhënë fund jetës pas leximit. Të mos flasim për Prishtinën se atje me siguri çdo ditë kishte vetëvrasje pasi që qyteti i madh. Atje ishte edhe universiteti dhe lexues duhej të kishte shumë. Si pasojë edhe vetëvrasje. Por, në qytetin tonë nuk bënte askush vetëvrasje për këtë punë. Vetëvrasjet bëheshin diku larg ku njerëzit me siguri ishin më të ndjeshëm se ne dhe për këtë arsye Spasse kishte ndikim fatal ndaj tyre.

    Tërë kohën kam menduar pse ky roman posedon këtë fuqi të krijimit të kësaj përfoljeje. Edhepse nuk besoni në bestytni, kur i dëgjoni këto porosi, nuk mund të thuani se mbeteni indiferent. Me një doze druajtjeje e kam nisur leximin e këtij romani. Kjo ka qenë në kohën kur sapo kisha nisur shkollën e mesme. E lexova, dhe siç mund ta shihni edhe ju, nuk kam bërë vetëvrasje. E di se më ka pëlqyer. Por, tashti ka kaluar një kohë e gjatë nga leximi dhe nuk besoj që kam mbajtur në mend diçka më shumë se një përshkrim tejet të shkurtër të brendisë që përshkohet me disa pyetje filozofike për jetën. Po të pyetesha sot në provim nga profesori i gjuhës shqipe për këtë roman, me siguri nuk do të merrja notë kaluese.

    Në botë ekzistojnë disa libra që përcillen me porosi të kobshme. I tillë është edhe libri i tregimeve ‘1001 netë’. Ky është ndër librat më të lexuar në botë. Në Lindje shekuj me radhë kurse në Evropë që nga viti 1717 kur Antoine Galland i përktheu në frengjisht të gjitha vëllimet e që pasuan në gjuhët tjera evropiane. Me këtë rast nga Lindja është bartur porosia e kobshme:’Kush e lexon 1001 netë nga fillimi deri në fund, vdes menjëherë’. Thuhet se askush nuk e ka lexuar deri në fund.
    Natyrisht që askush nuk ka bërë vetëvrasje pas leximit të romanit ‘Pse’ dhe askush nuk ka vdekur menjëherë pasi që i ka dalur në fund ‘1001 netëve’. Fakti pse ‘1001 netë’ nuk lexohet nga të gjithë deri në fund, është se libri është tejet voluminoz. Në rastet e librave me tregime (përralla) njerëzit i lexojnë vetëm ato pjesë që i tërheq titulli. Të paktë janë ata që u dalin këtyre librave në fund pasi që këtu aplikohet leximi selektiv. Megjithatë, në botë nuk ka lexues që nuk e ka lexuar tregimin e Alajdinit dhe Llampën e tij, Ali Babën me 40 Hajdutë, Dashurinë e Sulltanit dhe Sheherzadën, etj.

    Një libër tjetër, poashtu vjen nga Lindja për shkak se librat e parë janë botuar atje. Fjala është për ‘Librin e madhërishëm të Omarit’ (The Great Omar Book), që është version i Rubaireve të Omar Kajamit në anglisht. Eshtë botuar në Londër në fillim të shek XX në një botim luksoz dhe vetëm një kopje. Letra ka qenë tejet kualitative kurse kopertinat e lëkurës. Si shtesë, i tërë libri ka qenë i stolisur me gurë të çmueshëm. Qyshë para botimi është përhapur fjala se ky libër është i mallkuar dhe ndjellë vdekje masive. Në vitin 1911 libri është shitur disa mijëra dollar që sot me siguri do ta arrinte vlerën e qindra mijëra eurove apo ndoshta milionave. Kur librin e bleu një amerikan i pasur, botuesi ia dërgoi me anijen Titanik. Dihet se çka ka ndodhur me këtë anije. Libri tashti duhet të jetë diku në fund të oqeanit.

    ‘Historia del Huérfano’ (Historia e një jetimi) është një novelë e shkruar në vitin 1615 nga Martín de León y Cárdenas. Tema është jeta e një djaloshi jetim, i cili nga Kordoba shpërngulet në Amerikën Latine për një jetë më të mirë në kohën kur Spanja po e zgjeronte imperializmin e saj. Por libri nuk është botuar e as nuk është përkthyer deri më 2018. Kjo ka qenë për shkak të mallkimit që e ka përcjellur këtë libër: ata që kanë tentuar ta botojnë, kanë vdekur gjatë procesit të botimit. I fundit ka vdekur në vitin 1965. Por, botuesin e vitit 2018 ende asgjë nuk e ka gjetur. Arsyeja pse ky libër ka qëndruar kaq gjatë pa u botuar, dihet. Autori nuk ka dashur ta botoj për shkak se është bërë prift më vonë. Në libër ka detaje të padëshirueshme për Kishën e atëhershme. Më vonë nuk është botuar për shkak se pushteti spanjol e ka fshehur pasi që libri flet për tregti të sklleverve e cila madhështohet. Poashtu përshkruhen edhe krimet e spanjolëve ndaj vendasve të Amerikës Latine.

    Por, si lindin, kush i përhapë këto porosi të mistershme e të kobshme dhe për çfarë arësye? Pos në rastin e ‘Historisë së një jetimi’, vështirë të dihet përgjegjja e saktë. Por, këto mallkime sot nuk e frikësojnë botuesin e as lexuesin .

    P.S. Nuk e di a ekziston edhe sot e njejta porosi e frikshme për romanin ‘Pse’?

    Lajmi Paraprak

    Australia e gatshme të ndihmojë, nëse në Europë ka mungesë të gazit rus

    Lajmi i rradhës

    Vendet më të sigurta në botë për të udhëtuar vetëm

    Lajme tjera

    “Baba i vogël”

    Li-Young Lee E varrosa tim atë në qiell.Qysh atëherë, zogjtëe lajnë dhe e krehin çdo mëngjesdhe ia ngrenë…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë