LIBRI NË EPOKËN E EKRANIT

    Narta Abdija, pedagoge

    Më 23 Prill, në Ditën Botërore të Librit, ndalemi për të reflektuar mbi rëndësinë e leximit në formimin personal dhe shoqëror. Në këtë intervistë të Nistorit, pedagogia Narta Abdija, ndan mendimet për sfidat dhe mundësitë që ka libri sot përballë teknologjisë dhe kulturës digjitale.

    Intervistoi: Sumeja Hamzi

    Çfarë kuptimi ka për ju Dita Botërore e Librit?

    Narta Abdija: Dita Botërore e Librit për mua përfaqëson një festë të dijes, një kujtesë e fuqishme për rolin jetik që ka libri në ndërtimin e mendjes kritike dhe shpirtit njerëzor. Si pedagoge, e shoh librin si një urë që lidh breza, kultura dhe ide. Është një mjet i pazëvendësueshëm për edukimin dhe formimin e qytetarit të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm. Në këtë ditë, reflektoj mbi fuqinë transformuese të leximit dhe mbi detyrën tonë si edukatorë për të ushqyer dashurinë për librin dhe dijen tek nxënësit tanë.

    Me rastin e Ditës Botërore të Librit, një ditë që na kujton vlerën e leximit dhe ndikimin që libri ka pasur ndër shekuj. Si e shihni ju sot vendin e librit në jetën e përditshme, sidomos në këtë epokë të teknologjisë?

    Narta Abdija: është e vërtetë që jetojmë në një epokë ku teknologjia ka marrë një rol të padiskutueshëm në jetët tona. Në një fare mënyre, ajo ka ndikuar edhe mënyrën se si ne i perceptojmë dhe konsumojmë librat. Në vend të librave fizikë, gjithnjë e më shumë njerëz lexojnë nga pajisjet elektronike. Megjithatë, ajo që mbetet konstante është vetë nevoja për të lexuar, për të ditur më shumë, për të reflektuar, për të ndërtuar mendimin kritik. Libri, qoftë fizik apo elektronik, është ende ura më e mirë mes dijes dhe njeriut.

    Sa ndikim ka kjo “zhvendosje” nga libri tradicional drejt teknologjisë te brezi i ri? Dhe a
    duhet ta shohim si një rrezik?

    Narta Abdija: është një pyetje me shumë vend. Nuk do të thoja që është domosdoshmërisht rrezik. Teknologjia nuk është armik i librit, përkundrazi, ajo mund ta bëjë librin më të aksesueshëm. Megjithatë, sfida që paraqitet është se si teknologjia përdoret. Kur ajo shërben për konsum të shpejtë dhe informacion të fragmentuar, atëherë mund të shkaktojë një fenomen të rrezikshëm, në vend që të stimulohet mendimi i thellë dhe përqendrimi, brezi i ri mund të humbasë aftësinë për të lexuar në thellësi dhe për të reflektuar mbi përmbajtjen e lexuar. Teknologjia, si rrjetet sociale dhe platformat e videove të shkurtra, shpesh i ofron informacion të menjëhershëm dhe të sipërfaqshëm, që i shpërqendron të rinjtë nga leximi i teksteve që kërkojnë angazhim dhe përpjekje intelektuale. Libri është mjeti që ndihmon në zhvillimin e aftësive të mendimit kritik, të të kuptuarit të thellë dhe të analizës. Kur leximi bëhet një aktivitet që kërkon kohë, përqendrim dhe reflektim, ai kontribuon në zhvillimin e karakterit dhe të aftësive intelektuale. Librat, më shumë se çdo mjet tjetër, i japin individit mundësinë për të zbuluar botën dhe vetveten. Por për të siguruar që ky mjet të ruajë vlerën e tij, është thelbësore që ne si shoqëri të nxisim brezin e ri që të eci drejt librave dhe të zhvillojë një dashuri të sinqertë për leximin. Ky proces duhet të fillojë që në moshë të vogël, me qëllim që të krijohet një lidhje emocionale dhe intelektuale me librin, jo si një detyrim, por si një mundësi për të zgjeruar horizontet.

    Cila është rëndësia e leximit në zhvillimin personal dhe akademik të një nxënësi apo
    studenti?

    Narta Abdija: leximi është themeli i çdo të nxëni të suksesshëm. Ai pasuron fjalorin, zhvillon të menduarit kritik, nxit imagjinatën dhe forcon aftësitë për të shprehur mendimet në mënyrë të qartë. Një nxënës që lexon është më i aftë të kuptojë, të analizojë dhe të reflektojë. Në një botë ku informata qarkullon me shpejtësi marramendëse, leximi është arma më e mirë për t’u orientuar dhe për të dalluar të vërtetën nga manipulimi. Për më tepër, leximi formon karakterin, zgjeron horizontin dhe ushqen shpirtin.

    Cilat janë disa mënyra konkrete që mund të ndihmojnë në rritjen e dashurisë për librin,
    sidomos tek fëmijët dhe të rinjtë?

    Narta Abdija: mendoj se rritja e dashurisë për librin, veçanërisht te fëmijët dhe të rinjtë, kërkon një qasje të kujdesshme, të natyrshme dhe të afërt me botën e tyre. Para së gjithash, është e rëndësishme që libri të mos paraqitet si një detyrim, por si një mundësi për të zbuluar histori që prekin, frymëzojnë dhe argëtojnë. Një mënyrë efektive është që leximi të kthehet në një ritual familjar, ku prindërit lexojnë bashkë me fëmijët apo ndajnë histori nga librat që i kanë shoqëruar në fëmijëri. Po ashtu, shkollat dhe institucionet arsimore duhet të krijojnë hapësira më të gjalla për librin, klube letrare, aktivitete ku nxënësit lexojnë dhe diskutojnë së bashku, takime me autorë, apo edhe kënde leximi të ngrohta dhe të këndshme brenda ambienteve të shkollës. Është shumë e rëndësishme që edhe literatura e rekomanduar për fëmijët dhe të rinjtë të jetë e përshtatur me moshën, interesat dhe sfidat e tyre, duke përfshirë edhe letërsinë bashkëkohore.

    Nëse libri do te kishte zë, çfare do t’i thoshte sot shoqerisë sonë?

    Narta Abdija: nëse libri do të kishte zë sot, do të na fliste si një mik i vjetër që nuk lodhet kurrë duke pritur. Do të na thoshte të mos harrojmë vlerën e dijes së thellë dhe bukurinë e mendimit të lirë. Do të na kujtonte se përtej lajmeve të shpejta dhe botës virtuale, ekzistojnë histori që meritojnë të dëgjohen, zëra që frymëzojnë dhe të vërteta që s’duhen lënë në harresë. Do të na ftonte të lexojmë për të kuptuar më mirë veten, njëri tjetrin dhe kohën që jetojmë, sepse libri nuk është thjesht një objekt, por një pasuri shpirtërore që e mban njeriun të gjallë përtej kohës.

    ​Dhe në përmbyllje të kësaj interviste, cili është mesazhi juaj për Ditën e Librit?

    Narta Abdija: do të thoja se libri ka qenë dhe mbetet pasuria më fisnike që njeriu mund t’i dhurojë vetes. Ai nuk është thjesht një bashkëudhëtar i kohëve të qeta, por një dritare që na ndihmon të njohim veten dhe botën përreth. Çdo faqe është një ftesë për të menduar më thellë, për të ëndërruar më shumë dhe për të ndërtuar shoqëri më të ditura e më humane. Ndaj, le të mos jetë libri vetëm simbol i një dite, por shoqërues i përditshëm i jetës sonë. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Edhe filmat e realizuar me AI mund të fitojnë Oscar

    Lajmi i rradhës

    “Mazuti”, Jahoski ankimon vendimin e Gjykatës Penale, ofroi mbi 1 milionë euro garanci

    Lajme tjera

    Thënie nga Umbero Eco

    “Ne kemi një limit, një limit shumë shkurajues dhe poshtërues: vdekjen.” “Tani kam arritur në përfundimin se e…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë