MË DËGJO ASHTU SIÇ DËGJOHET SHIU

    Poezi nga: Octavio Paz
    Përktheu: Merita Paparisto

    Më dëgjo ashtu siç dëgjohet shiu
    as me vëmendje por as me shpërqendrim,
    gjurmë të lehta, rigim i hollë,
    ujë që është ajri vetë dhe ajër që është vetë koha
    dita është akoma e gjallë
    nata ende s’ka lindur
    trajta të mjegulluara
    në kthesën pas qoshes
    trajtat e kohës
    në lakimin e heshtjes,
    dëgjomë, ashtu siç dëgjohet shiu
    pa më dëgjuar vër-vesh në atë që them
    me sytë të hapur për së brendshmi, në gjumë
    me të pesta shqisat zgjuar,
    po bie shi, gjurmë të lehta, mërmërimë bashkëtingëlloresh,
    ajër dhe ujë, fjalë pa rëndesë:
    që jemi dhe që janë,
    ditët dhe vitet, ky moment
    kohë e papeshë dhimbje që rëndon,
    më dëgjo ashtu siç dëgjohet shiu,
    asfalti i lagur shkëlqen,
    avulli ngrihet dhe ikën larg,
    nata shpaloset dhe hedh vështrimin tek unë,
    ti je ti dhe trupi yt prej avulli,
    ti dhe fytyra jote e natës
    ti dhe flokët e tua rrufe të ngeshme
    ti kapërcen udhën dhe futesh në ballin tim,
    gjurmë uji përballë syve të mi,
    dëgjomë, siç dëgjohet shiu,
    asfalti është i lagur dhe ti kapërcen rrugën
    në mjegull, përhumbur në natën,
    në këtë natën që flen në shtratin tënd,
    është dallga që fryhet në frymën tënde
    gishtërinjtë e tu prej uji më njomin ballin,
    gishtërinjtë e tu prej zjarri më djegin sytë
    gishtërinjtë e tu prej ajri hapin qepallat e kohës
    një ujëvarë pamjesh dhe ringjalljesh
    dëgjomë, siç dëgjohet shiu
    vitet ikin tutje momentet vijnë tëhú
    i dëgjon gjurmët në dhomën tjetër?
    nuk janë këtu, as atje: ti i dëgjon
    prej një tjetër kohë e cila ndodh tashti
    dëgjoi gjurmët e kohës
    krijueses së vendeve të papesha, të pandodhshme
    dëgjoje shiun si vrapon mbi tarracë
    nata është tani e errët natë varri,
    shkreptimat flenë në foletë mes gjetheve,
    një kopsht i paqetë bredh në mëshirë të fatit
    hija jote mbulon këtë faqe libri.

    Lajmi Paraprak

    Osmani: E bindur që Ukraina do të njohë një ditë shtetësinë e Kosovës

    Lajmi i rradhës

    Çadikovski: gazetarët të kontrollojnë informacionet që vijnë nga politikanët

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë