Osmani: E bindur që Ukraina do të njohë një ditë shtetësinë e Kosovës

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se është e bindur që Ukraina do ta njohë një ditë shtetësinë e Kosovës.

    Ajo e ka bërë këto deklarata në nisje të samitit “Ukrainë – Evropa Juglindore” që po mbahet në kryeqytetin e Shqipërisë.

    Në samit pritet të diskutohet për çështje të sigurisë dhe për mbështetjen për Ukrainën në luftën e saj kundër agresionit rus.

    Osmani ka thënë se përgjatë samitit do të flasë për hapat konkretë që ka bërë Kosova për të dënuar pushtimin e nisur prej Moskës në Ukrainë më 2022 dhe për të mbështetur Kievin.

    Në hyrje, presidentja është pyetur nëse do të kërkojë prej presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, njohjen e shtetësisë së Kosovës.

    “Këto janë çështje bilaterale, ne gjithnjë e kemi bërë një kërkesë të tillë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë, me mirëkuptimin e plotë që Ukraina është në një gjendje të jashtëzakonshme, në gjendje lufte, duke luftuar për lirinë e saj dhe pavarësinë e saj”, ka thënë Osmani, duke shtuar se beson në fitoren e Kievit.

    Samiti në Tiranë është organizuar prej kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

    Rama dhe Zelensky kanë nënshkruar më herët gjatë ditës ‘Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit’.

    Kryeministria e Shqipërisë ka thënë se “traktati i shërben konsolidimit të miqësisë mes dy vendeve dhe popujve, përmes zgjerimit dhe forcimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë”.

    Në samitin në Tiranë do të marrin pjesë disa liderë të Evropës juglindore.

    Sipas agjendës Rama dhe Zelensky pritet të mbajnë fjalime hapëse dhe pastaj një takim prapa dyerve të mbyllura.

    Samiti do të përmbyllet me daljen e tyre në një konferencë për media.

    Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

    Presidenti rus Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

    Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

    Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Shtetet e BE-së do të vendosin vetë nëse i pranojnë pasaportat me emrin e vjetër të Maqedonisë së Veriut

    Lajmi i rradhës

    MË DËGJO ASHTU SIÇ DËGJOHET SHIU

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë