MENDIMTARI

    Bardhyl Zaimi

    Që nga çasti kur e kuptoi se krejt gabimisht e kishte vendosur marrëdhënien me botën nuk foli më. I dukej vetja si një shtëpi e braktisur në cilën nuk pipëtinte asnjë zë. Ishte një bosh i madh që nuk mund të mbushej me asgjë. Nganjëherë sajonte një lloj ngazëllimi sa për t’u kapur pas jetës, por më pas pikëllimi i zmadhohej si një balonë brenda barkut.

    Në atë tavolinë prej druri të ahut ku kishte vendosur bërrylat dukej si një copë cungu i vendosur si dekor. Flokët të zverdhura nga mosha dukeshin si shkurrre në vjeshtën e vonë. Edhe lekura kishte marrë trajtên e një pergamene nëpër të cilën lehtësisht nëpërdukeshin herioglifet e një fati të idhët. Në atë pozitë të ngurtësuar ngjante me një qenie të tejkohshme që vinte të dëshmojë një mbijetesë fatale të gjithë qenies njerëzore. Dukej se në atë moslëvizje dhe heshtje pranë asaj tavoline ishin mbledhur të gjitha enigmat dhe pakuptimësitë e jetës njerëzore.

    Ai tashmë nuk kishte mendime, por vetem kujtime të bjerruna që e pishtonin si gjarpërinj qenien e tij. Nga afër dukej si një qenie e dorëzuar plotësisht që kërkonte tashmë vetëm një paqe të aty-këtushme me botën e keqkuptuar.

    Jashtësia përputhej në përpikëri me vjeshtën e tij të brendshme. Gjethet e rëna të pemëve vetmitare përkonin plotësisht me boshësinë e tij që i shkonte si një kon me majen mu në qendër të zemrës.

    Ishte një qenie pa mendim e shkëputur nga gjithçka. Vetëm nganjëherë si sekuenca të zbehta i vinin në kokë pamje nga fëmijëria e tij. Atëherë në një thes me kashtë e vinte kokën dhe duke ndjerë aromën e grurit të fushave ëndërronte se si do ta ndryshojë botën. Si në një lexim telegrafi i shfaqshin enra mendimtarësh me të cilët gjatë kohë kishte mbrujtur kuptimin për jetën. Po kjo ndodhte shkurtë dhe pastaj boshësia shtrihej në qenien e tij si pëlhurë e zezë gjithësie.

    Ai kishte qenë një mendimtar para se valët e kotësisë ta kishin marrë me vete. Tash ishte në lloj pamendimi sfilitës që e bënte vazhdimësi të natyrës. Me pak përjashtime ngazëllimesh, kjo gjendje kishte qenë ajo që kishte ëndërruar gjatë gjithë jetës. Të jetojë në një pamendim të pavërejtshëm nga të gjitha mendimet e kësaj bote!

    Lajmi Paraprak

    Ajri i ndotur përsëri problem i theksuar për Maqedoninë e Veriut

    Lajmi i rradhës

    KSHPK kundërvajtje për nepotizëm nga një drejtor i burgut

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë