“Në Gaza nuk ka mikrofonë”

    Ervin Hatibi

    “Këto ditë, shkencëtarë nga School of Plant Sciences në Universitetin e Tel-Avivit njoftuan se kanë arritur të regjistrojnë me mikrofonë të ndjeshëm ndaj ultratingujve klithmat e dhimbjes që bimët lëshojnë kur i këpusin a kur u mungon uji. Në Gaza nuk ka mikrofonë.”
    (30.10.2023)

    -Giorgio Agamben

    Përtej çdo pretendimi e kulti të shpallur, në fakt, njerëzimi e ka bërë praktikisht zgjedhjen e vet në mijëvjeçarë : qytetërimi përherë bën theror natyrën ose barbarinë, ose çka u ngjan këtyre te vetja. Ndonëse sakrifikimi i fëmijëve është tabuja më e fortë dhe të sakrifikuarit për fëmijët himnizohet, vënë para “zgjedhjes morale”, gati përherë ndodh e kundërta. Bashkësia që ka atributet e qytetërimit, kontrollin mbi gjuhën e logjikën, për të ruajtur veten, shpesh sakrifikon fëmijët, jo thjesht pse s’mbrohen dot – as me fjalë – po pse janë të pashkëputur mirë, me një këmbë në natyrë. Pa përmendur abortin, po kujtojmë ngjarjet e njohura të sakrifikimit të fëmijëve për të mirën e grupit gjatë luftërave a përndjekjeve, histori të shtypura e të kaluara zakonisht në nivel legjende. Nipi i ish-krye e komandantit partizan, Mehmet Shehu, ka mundur të konfirmojë një nga këto legjenda para pak kohe për shtypin tiranas.

    “Ajo gjë ka ndodhur diku aty nga vera e vitit 1944, kur gjermanët kishin ndërmarrë Operacionin e Qershorit ndaj forcave partizane. Në atë kohë, e gjithë familja Shehu ndodhej e strehuar në një shpellë në malin e Golikut, ku ishte dhe një spital partizan. Në atë kohë babai im Arshiu dhe nëna Semini kishin me vete vajzën e tyre gjashtëmuajshe (motrën time), e cila e kishte emrin Liri. Ajo qante pa pushim dhe nga të qarat e saj ishte në rrezik që të diktohej shpella ku ishte spitali partizan, pasi poshtë e sipër saj ishte duke kaluar një autokolonë gjermane, që ishte në kërkim të forcave partizane. […] Për të shpetuar të gjithë partizanët e plagosur dhe gjithashtu familjen Shehu, babai im, Arshiu, e hodhi në greminë motrën time gjashtëmuajshe, që ishte dhe fëmija e parë”.

    Të shtypurit e djeshëm ia arrijnë përherë, tribalisht, të hakmerren për shtypjen a të mëkëmben, në gojën e pasardhësve të tyre: gratë shkruajnë librat që gratë nuk u lanë të shkruajnë dikur, bijtë e skllevërve e skamnorëve gjithashtu – vetëm fëmijët mbeten përherë oralë e të pakuptuar në vuajtjen e vet, përherë për ta flasin të tjerë. Me gjuhën e tyre, fëmijët, të pandikuar nga ndonjë ideologji, thonë vetëm të vërtetën ; gjuha e tyre, sidomos e foshnjave, dëshmon jetën përkundër copëzimit, dëshmon kundër grupit, kundër të rriturve – gjuhë e njëjtë të qarash e gjithë foshnjave në gjithë kulturat e kohët, njëshmëria e vërtetë e njerëzimit, e pauzurpueshme nga asnjë perandori, përherë e kapërcyer, kurrë më e arritshme.

    E qara e Lirisë së Vogël nga shpella kështu dekonspironte marrëveshjen e dasisë, largimin nga specia që ka ndarë njerëzit në gjermanë e shqiptarë, nazistë e komunistë. Për këtë faj dhe e sakrifikojnë.

    Lajmi Paraprak

    Taravari: BDI duhet sa më parë të shkojë në opozitë

    Lajmi i rradhës

    Idiotët më bindën se duhet të vazhdoj!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë