NË MUNÇ

    Poezi nga: Rudyard Kipling
    Shqipëroi: Fan Noli

    Në munç të mbash në kokë terezinë
    Kur shokët çmendër dhe fajtor të nxijnë;
    Në munç të kesh besim, kur të dyshon
    Kushdo, dhe s’ka njeri që të beson;

    Në munç të preç, dhe pritjen s’e kursen,
    Në të gënjefshin, ti nuk i gënjen,
    Në të urrefshin, ti s’i çan me brirë,
    Dhe s’hiqesh as m’i mënçim as m’i mirë.

    Në munç të çndërrosh e të mejtosh,
    Dhe nga këto në mos u robërofsh;
    Në munç të preç Triumfin dhe Hatanë,
    Dhe t’i shkelmosh të dy si kallpazanë;

    Në munç të mbahesh, kur një dreq ta dreth
    Të drejtën dhe në lak syleshin heth,
    Kur sheh kalan’ e jetës të rëzuar
    Dhe prap e ngre me veglën e çkallmuar;

    Në munç të vësh m’i grumbull çdo thesar,
    Edhe t’i loç të gjitha me një zar,
    T’i humpç edhe të nisësh përsëri
    Pa thën’ asgjë për këtë batërdi;

    Në munç të kesh një zemër, trup e kokë
    Që të shërbejnë sa të bëhen trokë,
    Dhe të vazhdosh i djegur shkrump në furrë,
    Dhe të thërret vullneti: “Mbahu, or burrë!”

    Në munç të zbreç në turm’ e të mbash nderin,
    Të hash me mbretin, të pish me neferin;
    Në mos të ngaftë dot as mik as hasmë,
    N’i daç të gjithë, po asnjë për dasmë;

    Në munç për çdo minutë të përpjetë
    Të rënç tamam sekunda gjashtëdhjetë;
    Zaptove dhenë me çdo mall dhe hir,
    Dhe ca më mirë, qënke trim, or bir!

    Lajmi Paraprak

    Gabimet që bëjnë prindërit gjatë gjumit të natës te foshnjat

    Lajmi i rradhës

    STUHI SHKRETËTIRE

    Lajme tjera

    ARSYET E MISHIT

    Yiannis RitsosPërktheu: Maksim Rakipaj Poezitë që në heshtje mbi trupin tënd kam jetuarzërin e tyre kur të kesh…
    Më tepër

    “Kur bien pemët e mëdha”

    Maya Angelou Shkëmbinjtë në distancë, kodrat rrëqethenLuanët ulen poshtëNë lëndina të gjata.Edhe elefantët madje,Rendin pas sigurisë.Kur bien pemët…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë