NË SHKUP PROMOVOHEN LIBRAT “PARADIPLOMACIA” DHE “VIZITË KIPCIT”

    Klubi i Intelektualëve të Dervenit më 10 nëntor, në Çifte Hamam, Shkup, para një publiku të përbërë nga shkollarë, profesorë universitarë, studentë e të tjerë organizoi ngjarjen e vet të radhës, promovimin e dy librave të doktorantit të shkencave politike nga Shkupi, Rilind Dauti, Paradiplomacia në Ballkanin Perëndimor: Një vështrim i periudhës pas vitit 1991 (Albiz 2021) dhe Vizitë Kipcit (Dauti Komerc, 2021).

    Për veprën e parë folën recensentët, prof. Ali Pajaziti nga UEJL dhe gazetari Xhelal Neziri, të cilët theksuan se bëhet fjalë për një tekst risimtar në literaturën shqiptare të diplomacisë prodhuar nga një kuadër i ri me potencial, dinamikë të fuqishme kërkimore, që në këtë rast trajton fenomenin e paradiplomacisë që nga qarqet studiuese perceptohet si “aset ose si kërcënim ndaj shtetit sovran”, si përfshirje në relacionet ndërkombëtare të qeverisë-joqendrore ose subnacionale, se si ajo reflektohet në Ballkan, me raste studimore shqiptare (Lidhja e Prizrenit, Kosova e parapavarësisë).

    Për të dytën, që i përket sferës së fanta-shkencës foli publicisti Bardhyl Zaimi i cili tha se Dauti në veprën në fjalë vizionin e tij krijues e shpalos përmes një transfigurimi të realitetit në dimensione të fantastikes, ku substanca dhe esenca njerëzore notojnë marramendshëm në paanësinë e universit, pikëtakohen ndjeshmëri të kësobotshme me arealin e pafundëm të së ardhmes, ku bota e shkencës dhe teknologjisë nuk shkëputet nga fryma njerëzore. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    MUZEU I ALFABETIT | Institucioni pa energji elektrike dhe me llogari të bllokuar bankare

    Lajmi i rradhës

    Kundërshtimet për zgjedhjen e prokurorit Abazi, politike apo etnike?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë