MUZEU I ALFABETIT | Institucioni pa energji elektrike dhe me llogari të bllokuar bankare

    Orë letrare, shfaqje teatro, koncert, ekspozitë, promovim libri… Këto janë disa prej aktiviteteve me të cilat të premten në mesditë në Manastir ka nis Java e festimeve në nder të Kongresit të alfabetit të gjuhës shqipe. Këtë vit, agjenda e aktiviteteve, jo vetëm e ditëve të tjera, por edhe e datës 22 nëntor, i është lënë në dorë zgjedhjeve të rastësishme, vullnetit dhe dëshirës së individëve për të organizuar diçka, por edhe motit. Vetëm orët letrare (shoqatat Oeneum dhe Pellazgët) do të zhvillohen në Muzeun e Alfabetit, në mesditë, ndërsa aktivitetet e tjera janë shpërndarë nëpër qendra të tjera të kulturës në Manastir.

    Megjithatë, prej nëntë muajsh në Muzeun e Alfabetit nuk ka energji elektrike, xhirollogaritë janë të bllokuara dhe në total ky institucion nacional nuk funksionon. Kjo është arsyeja që për këtë vit nuk mund të ketë asnjë program aktivitetesh, por vetëm organizime vullnetare që ky përvjetor të mos dështojë. Dje u zhvillua një Orë letrare, më datë 17 Teatri për fëmijë dhe të rinj nga Shkupi do të japë shfaqje për fëmijë në teatrin e qytetit, më datat 19 dhe 20 nëntor po ashtu do të zhvillohen orë letrare, ndërsa më 22 nëntor do të hapet ekspozita e Valmir Azirit në muzeun e Manastirit dhe në mbrëmje do të mbahet koncerti i Ansamblit shtetëror në Qendrën e kulturës. Më datë 23 promovohet në gjuhën maqedonase një vepër e autorit Arjan Leka.

    “Që të mbetemi pa rrymë për një kohë kaq të gjatë dhe pikërisht në këto ditë kur muzeun duhet të jetë një vend pelegrinazhi për të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë vendit, është një situatë që nuk mund t’i vësh asnjë lloj emri, por mund të them se po jep një fotografi dhe një mesazh shumë të keq. Të gjitha aktivitetet nuk kanë mbështetje financiare nga ne, pasi programin tonë nuk mund ta realizojmë. Por ata treguan dëshirën e mirë për t’na ndihmuar. Për të zgjidhur situatën në të cilën gjendemi nuk kemi marrë asnjë lloj mbështetje institucionale deri tani. Sesi do të shkojë kjo punë nuk dihet. Ditët e ftohta po vijnë dhe atëherë do të jemi të detyruar ta mbyllin muzeun”, thotë drejtori Zait Aliu.

    Projekti për rikonstruktimin e Muzeut të Alfabetit me fondet e IPA është “strumbullari” i kësaj situatë ku gjendet prej disa muajsh. Keqmenaxhimi i fondeve dhe i projektet në tërësi, neglizhencat, sollën që granti në pjesën më të madhe të mbetet në letër, ndërsa sipërmarrësit që kryen punimet në pamundësi për të marrë të hollat të bllokojnë xhirollogaritë e institucionit. Nga Qeveria muaj më parë kanë deklaruar se këtë çështje ia kanë deleguar për t’u marrë Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale dhe asaj të Kulturës, por asgjë konkrete nuk është ndërmarrë. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Komuna e Dibrës ka ulje drastike të buxhetit, nuk ka interes për ndërtime

    Lajmi i rradhës

    NË SHKUP PROMOVOHEN LIBRAT “PARADIPLOMACIA” DHE “VIZITË KIPCIT”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë