SHËNIME NGA TETOVA
Kujtim Shabani
Kur thua Tetova, Kodra e Diellit u vjen ndërmend edhe atyreqë s’kanë qenë ndonjëherë këtu. Atë e gjen në të gjitha guidat turistike të Jugosllavisë dhe të gjitha Maqedonive të pasluftës.Ajo është një parajsë vere dhe dimri. Aty bën fresk, kur gjetiu zien; është badh, kur vërdallë është është gri dhe është blerim, kur gjithkah po bëhet beton. Ajo shtrihet në thellësi të vendbanimeve shqiptare të Maqedonisë – veriperëndimore – të Veriut. Mu në trekëndëshin pitagorian, mbi krahët e të cilit ngrihet harta etnike shqiptare në Ballkan.
Në fillet e kujtesës sime, vitet ’80-të, aty malësorët e zonës mbidhnin gjershike. Kampionët e saj përmenden edhe sot. Ataruanin aty bagëtinë, dhe siguronin një ekzistencë. Aty e kishin “dyshek tokën, jastek gurin.” Baba më thotë se në sipërfaqet e pellgjeve të burimeve të Bjeshkës e ka njohur fytyrën e tij. Ky ishte identifikimi biometrik këtu. Kur fotografoheshe në këto pasqyra, Bjeshka të qaste në gjirin e vet. Në thellësitë e saj,malësorët ndëgjonin Radio Kuksin. Këtu lindte frymëzimi për t’ia marrë me fyll e sharki. Për koncerte me zogjtë e malit, sa ngjetheshin lisat.
Në krahun tjetër, shteti kishte vendosur në zonë një kazermë. Ushtarët nganjëherë ua vrisnin malësorëve qentë. Ai kishte ngritur aty një sektor të konsoliduar hotelerik. Elitat kishin ngritur një koloni shtëpizash pushimi. Ata nuk ishin nga vendbanimet përqark, mbase as nga Tetova. Kush e kishte më me ngut, vinte këtu për pak ditë në hotelet me pishinë të shtetit. Dimrit dyndeshin turistë, për skijim, nga e gjithë Jugosllavia. Për këtu ishte instaluar edhe teleferik, si nëpër zonat turistike të Zvicrës dhe Austrisë. Vizitorët ishin nga e gjithë Jugosllavia dhe nga jashtë saj.
Shqiptarët e zonës përrreth punonin si kamarierë a kuzhinierë nëpër hotelet e “Popova Shapkës”. Punonin edhe në shpërndarjen e skive, që jepeshin me qera, apo kryenin punë të tjera të pakualifikuara. Malësorët këtë sport e mësonin me skitë e tyre artizanale nga druri. Kur u binin në këmbë ski profesionale, dilnin kampionë në garat – republikane, apo edhe rajonale. Qytetarët e Tetovës ngjiteshin më rrallë në “Shapk” për një dalje në ndonjë fundjavë. Shkollat organizonin kohëve të fundit ekskursione të nxënësve një herë në vit.
Nga fillimi i viteve ’90-të shqiptarët nisën të duken më shpesh në zonë. Filluan të vinin dimrit për skijim edhe nga Kosova, më pas edhe nga Shqipëria. Filluan të ngrinin shtëpiza pushimi në kodër edhe shqiptarë të tjerë, veç atyre të sistemit. Shtëpizat u bënë vila dy-tri katëshe. Si shtëpitë e tyre në qytet. Një garë e marrë! Elitat e reja politike dhe ekonomike shqiptare vinin të preheshin andej me dashnoret e tyre larg syve të gjindjes. Nga mesi i këtyre viteve, zona nisi të quhej Kodra e Diellit. Deri atëherë ishte quajtur nga të gjithë Popova Shapka.
Ndërkohë falimentoi sistemi hotelerik shtetëror. Ndaloi edhe qarkullimi me teleferik. U prish teleferiku dhe s’kishte kush më interes ta rifunksionalizonte. (Për çka, për malësorët, për shqiptarët lokalë dhe ata të ardhur?) Qarkullim tjetër të organizuar nuk kishte. Atëherë ai vendosi të kthehej në një mënyrë tjetër në zonë. Në fillim të ’90-tave vendosi të lërë në zonë një gjurmë të thellë. Në bashin e vendit, në mes të qendrës së skijimit, nisi të ngrehë një manastir pravosllav. Një sport etnik i sllavëve të jugut kudo ku shkelnin.
“Pse ky flamur kaq i madh?!”, më peyti një mik zviceran, të cilin e shpura në Kodër të Diellit gjatë një vizite në Tetovë. Doja t’i hiqja një mall Zvicre në vendin tim. Ç’do t’i thoja? Sa më i vogël shteti, aq më të mëdha simbolet! Sa më e munguar etnia shtetbartëse, aq më markante simbolika! Kjo performansë shtetërore në Kodër të Diellit është një strategji tëhuajsimi e banorëve autoktonë nga vendi tyre, të cilit sistemi i ka vënë syrin për vete. Ai stilizohet asisoji, që ti të mos të mos identifikohesh më me të.
Shqiptarët u përfshinë në një luftë “sy për sy dhëmb për shëmb”. Ata ngritën në një shesh më pak prominent të Kodrës së Diellit një xhami. Në fakt, aty s’ka as xhemat për xhami, as për kishë e aq më pak për manastir. Sistemi ndërkohë ia hoqi Kodrën e Diellit komunës së Malësisë, së cilës i ra administrimi i saj pas ndarjes së re territoriale dhe decentralizimit, dhe ia dha Kodrës së Diellit një status të veçantë në kuadër të republikës. Që atëherë edhe emërimi i drejtorit të Kodrës së Diellit është një temë që po i trazon shpirtërat.
Prej kohësh në Maqedoninë e Veriut po vazhdon një fushatë raciste e ngritjes së kryqeve pravosllavë në vendbanime shqiptare. Ditët kur një i tillë duhej të ngrihej në Kalanë e Tetovës, shpërtheu kryengritja e armatosur. Natyrisht, jo për këtë arsye. Prej vitesh është vendosur që një i tillë të ngrihet në Kodër të Diellit. Para pak kohe, në një aksion “terri dhe mjegulle”, ai u bë realitet. Disa janë të ngazëllyer se kjo qëlloi në kohën e kundërshtarit politik shqiptar, i cili i promovonvlerat koservative.
Sfida të ngjashme i janë bërë secilës parti shqiptare. Edhe asaj që doli nga kryengritja e 2001-shit. Por: Sus! Nëse koha nuk do të punojë më shpejt për shqiptarët, sistemi do të gjejë mënyra tjera të tjetërsimit të identitetit të vendit. Gjithçka tingëllon paranoike. Po kujto që nga fundi i viteve ’80-të, në të gjitha venbanimet shqiptare në Maqedoni, përveç Tetovës, emrave shqip iu montua një “ovski” në fund. Dhe në të gjitha shkollat e mesme, përveç gjimnazit të Tetovës, nxënësit shqiptarë mësimin duhej ta ndiqnin në maqedonisht.
Nga ky represion dhe fushatë asimilimi shqiptarët në Maqedoni i shpëtuan ndryshimet politike në rrafsh botëror. Rënia e komunizmit u prishi hesapet. Për një kohë. Elitat shqiptare këtu sot nuk kanë ndonjë ide si t’i kundërshtojnë ambiciet etnocentrike të shtetit që s’po bëhet kurrë i përbashkët. Ato janë lidhur për paradigmën e integrimit, nga i cili presin zgjidhjen e të gjitha problemeve të shqiptarëve. A të mbron ky proces, të cilin s’e ke në dorë, nga kurthet e atyre që nuk dremitin prej dekadash duke studiuar dhe punuar si të ta“hedhin”?






