Reklamat dhe propaganda e paguar në media është zëri për të cilin kanë shpenzuar më shumë, subjektet politike gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare.
Sipas Raportit të Revizionit, shpenzimet totale të bëra nga pjesëmarrësit në fushatën zgjedhore për zgjedhjen e deputetëve në Parlament arrijnë në vlerën 386.710.000 denarë, nga të cilat mbi 140 milionë denarë janë pagesa nga llogaritë transaksionale, rreth 1 milion denarë janë shpenzime bazuar në donacione jomonetare dhe mbi 244 milionë denarë janë shpenzime për reklama dhe propagandë e publikuar në media. Që tregon se, mbi 63 për qind e të ardhurave totale sigurohen nga buxheti i shtetit dhe paguhen nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, ndërsa vetëm 26 për qind janë fonde të siguruara nga burime të tjera të financimit, shkruan gazeta Koha.
Më shumë kanë shpenzuar koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE (37 për qind), e ndjekur nga Koalicioni për një të ardhme evropiane udhëhequr nga LSDM (25 për qind), koalicioni Fronti Evropian, udhëhequr nga BDI (15 për qind), koalicioni VLEN, (13 për qind), e të tjerë. KSHZ-ja për zërin “Reklama dhe propagandë” të transmetuesve dhe mediave të shkruara dhe portaleve të internetit pagoi mbi 244 milionë denarë (3.979.984 euro) për gjashtëmbëdhjetë pjesëmarrësit në Zgjedhjet Parlamentare të vitit 2024.
“Ashtu si në revizionet e mëparshme të fushatave zgjedhore, edhe për këtë proces zgjedhor Revizioni thekson nevojën për ndryshim të Kodit Zgjedhor, me theks tek financimi i fushatës me mjete nga llogaria e partisë politike të siguruara nga buxheti i shtetit, afatit për pagesën e donacioneve, përcaktimit të kritereve të matshme në fushën e sigurimit dhe shpërndarjes së mjeteve për reklamim politik të paguar, mënyrën se si donatorët do të vërtetojnë/konfirmojnë se nuk janë “persona të lidhur” me transmetuesit, mediat e shkruara dhe mediat elektronike, kushtet dhe kriteret që mediat elektronike duhet të plotësojnë për të qenë në gjendje të aplikojnë për reklamim politik në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, përcaktimin e kritereve të qarta dhe precize për ndarjen e fondeve buxhetore të destinuara për reklamim politik të paguar në mediat elektronike”, thuhet ndër të tjera në raport.
Pjesëmarrësi në fushatën zgjedhore mund të shpenzojë maksimumi 110 denarë për votues të regjistruar në njësinë zgjedhore për të financuar aktivitetet e tij zgjedhore, në raundin e parë dhe të dytë të votimit. Sipas të dhënave nga KSHZ-ja, numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar në listën e votuesve për Zgjedhjet Parlamentare të vitit 2024 është 1.815.350 persona.
Shuma maksimale e fondeve që secili pjesëmarrës në KZ mund të shpenzojë është mbi 199 milionë denarë, dhe Revizioni konstatoi se asnjë nga pjesëmarrësit nuk ka bërë shpenzime që tejkalojnë maksimumin e përcaktuar me ligj. Jo të gjithë pjesëmarrësit në fushatën zgjedhore siguruan respektimin e afateve për mbylljen e llogarive transaksionale “për fushatë zgjedhore” dhe fshirjen e tyre nga regjistri i personave juridikë, si dhe transparencën, përkatësisht nuk i dorëzuan disa nga raportet mbi të ardhurat dhe shpenzimet e realizuara të llogarive transaksionale “për fushatë zgjedhore” deri te ESHR-ja.






