PALLTOJA

    Bardhyl Zaimi

    Sa?, e pyeti ajo, duke e kthyer sëprapthi tiganin e shpërlarë, por të nxirë nga flaka e gazit.
    Ai heshti një copë herë dhe lëpiu gishtin pēr të kaluar në një faqe tjetër të librit. Më tepër dukej se po i shmangej pyetjes sesa që lexonte. Pyetja po e godiste në kokë si tingëllima e tiganit e përplasur mbi enët tjera.
    Ajo ndërkohë po lante filxhanët e kafesë, por me një shpërfillje që buronte nga një zënkë e moçme po e priste përgjigjen.
    Ai po e hetonte me bisht të syrit këtë shpërfillje, por edhe këmbënguljen që ajo e kishte lëshuar në ajër si një psherëtime të përshpirtshme që nuk kërkon llogari.
    Pasi e la librin mbi tavolinë dhe drejtoi syzet tha: – Ma do mendja nja tredhjetë!
    Në atë çast u dëgjua vetëm një zhurmë kalamajsh që vinte nga jashtë dhe pastaj një “eh” e shkurtër e saj që dukej si një pikëçuditëse në përgjigjen.
    -Ju burrat e keni zanat t’i zmadhoni gjërat, tha ajo, duke vazhduar me punët e kuzhinës.
    -Asnjëherë nuk të kam gënjyer, ia ktheu ai, me një ton që nënkuptonte një paqe të vendosur pas një beteje të gjatë mosdurimesh.
    Ajo vazhonte të rendisë gjērat në kuzhinë dhe me shpinën e kthyer nga ai dukej si një e panjohur që fliste me një fantazmë.
    Ai po e vështronte nga thembra deri te koka dhe sikur dëshironte ta përkapë qenësinë e saj që nuk jepte shenja mirëkuptimi.
    E ndezi një cigare dhe e hoqi thellë. Përpara me shpinë të kthyer kishte një grua të panjohur që lëvizte gjymtyrët ngadalë pa ndonjë afsh dhe mosmirënjohje. Po e vështronte qafën e saj që dukej ca e tendosur. Një qafë e hollë delikate paksa e zbehtë dhe me ca rrudha që sapo kishin filluar të shfaqen.
    Për një çast u trondit. Me sa afsh e kishte përlarë dikur atë qafë të shpaluar nga flokët të lidhura tub mbi kokë. Ndjeu një keqardhje vrastare, një pështjellim të brendshëm që kërkonte ta prish paqen e vendosur mes demonëve të pëgjumur që me kohë kishin marr haraçin e baraspeshës pa e pagēzuar lidhjen mes tyre.
    -Do më duhet të dalë, i tha ai, me një gjysmëzëri fajtor.
    Ajo e kishte bërë zakon tashmë të fliste më të pa u kthyer nga ai. Ngjante sikur fliste me një fantazmë që po kērkonte gjërat e harruara në këtë botë.
    Po, dhe ashtu ngjante ai. Si një fantazmë që kërkonte diçka të humbur në këtë botë. Diçka pa emër që mund të ishte gjithkund dhe askund.
    -Dil kërko të paqenën, atë që kurrë se gjete, i tha ajo, që tashmë ishte ulur e lodhur në një karrige në kuzhinë.

    Vështrimet e tyre rrallë takoheshin. Edhe kur takoheshin nuk shprehnin thuajse asgjë përveçse mbase një keqardhje që davaritej për pak kohë si tym duhani dhe një teh mirënjohjeje që nganjeherë dukej se therrte thellë në mjegullën e afsheve të dikurshme.
    Ajo po rrinte ulur me një portokalle në duar dhe po përpiqej ta qëronte. Një tufë flokësh i binin faqesh dhe ajo i frynte që t’i largojë. Ajo qafë e hollë në ato jakë paksa të mëdha këmishe sikur kishte mbledhur në një vend gjithë pikëllimet e botës.
    Ai po vështronte pikërish këtë qafë të dorëzuar dhe sakaq u hodh në ëndërrime të dikurshme. Për pak çaste, pastaj e mori veten dhe u nis kah dera.
    -Merre pallton se jashtë bën ftohtë, i tha ajo pa e ngritur kokën që ta shohë.

    Gjithnjë dilte dhe gjithnjë kthehej me kokën lëvarur si një lavjerës.
    Ajo asnjëherë më parë nuk e kishte pyetur për numrin e grave në jetën e tij. E dinte se kishte pasur disa, por kurrë nuk e kishte pyetur: sa?
    Për herë të parë po i bënte karshillëk këtij numri dhe sikur me këtë dëshironte t’i thotë se nuk është gjithçka çështje numrash.
    Perdet e trasha të gjelbërta që shërbenin për t’i ndalur rrezet e forta të diellit tashmë po krijonin një atmosferë teatri ku luhej shfaqja e rivalitetit të vonuar. Një shfaqje pa spektatorë me dy personazhe që po e lexonin vetveten, jetën e tyre.
    Sa?, ishte një pyetje që qëndronte pezull mes moskokëçarjes dhe dëshirës për ta ribërë kohën.
    Ajo ia ofroi pallton butësish dhe sikur kērkonte diçka më tepër se ajo paqe e krisur që shkonte pērtej numrave dhe kohës.
    Ai e vështroi me po atë pasion si në kohë kur ajo veshte pallton e tij. Kishte një magji të përtejme në këtë ritual palltoje. Me gjasë gjësendet bartnin diçka nga shpirtrat e njerëzve.
    E mori pallton me pëtesë dhe doli. Në ajërin e dhomës ku drita kullohej nga perdet e trasha po notonin grimcat e një kërkimi tashmë të përfunduar.
    Vervetishëm ajo filloi të vallëzojë e mbështjellë me këto grimca si dikur me pallton e tij. Po ajo qafë e hollë, e brishtë dhe paksa e rrudhur po përftonte një dashuri deri në pikëllim…!

    Lajmi Paraprak

    Di Maria “shpëton” kombëtaren e Argjentinës

    Lajmi i rradhës

    Anashkalimi i vaktit të mëngjesit, pasoja dhe këshilla nga nutricionistja

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë