Për kë bien tupanët?

    Kujtim Shabani / Fotografia: Halim Luta

    Kujtim Shabani

    1.

    Pushimi filloi ters. Në lagjen ku qarkulloj shpesh, më pret rrugën një mace. Një mace kockë e lëkurë. Në fakt shumë kockë e pak lëkurë. Një mace e tretur, me gjymtyrë të zhveshura, e cila përpiqet të kalojë rrugën me ngut, me një këmbë të thyer që e tërheq plot gazep zvarrë. Është kryevepra e një dore të zemëruar, së cilës ajo i ka ngjyer mustaqet në gjellën e syfyrit. Apo marifeti i një dore të stërvitur, e cila i gjuan ato për shprehi kudo që i ndesh.

    Në një shteg tjetër, rrugës për në malësi, sheh aq mace të shtrira në mes të rrugës, si vijat e prera të trafikut që ndajnë korsitë në xhade. I kanë shituar makinat, që ngjiten skëterrë. Kurse qentë, si në një shesh beteje, i sheh të tërhequr mbanë rruge. Dhe më kujtohet fqinji im zviceran, i cili ruan pesë qenë, të cilët i shëtit mëngjes e darkë, në këmbë e në karrocë, me një strehë për t’i mbrojtur nga shiu e nga dielli. Njëri prej tyre është i verbër, më ka treguar ai, dhe e ruan si sytë e ballit.

    2.

    Me aq vetura sa ka Tetova… BMW pas Porcheje, Mercedes pas VWje, Jugo pas Fiçoje…  Kjo është vepër e ish-kryeministrit në arrati, N. Gruevski. Në një vit, për ta mbushur arkën e shtetit, ai e uli pragun e gjeneratës së veturave për regjistrim. Sa e mbushi arkën s’e di, po vendin e mbushi me makina, me tym e me blozë. Vrik u zbraz arka, me projekte megalomane si „Shkupi 2014”. Tani po zbrazet edhe vendi nga njerëzit. Arratinë kanë marrë edhe sllavët e Maqedonisë së Veriut. Kurrë s’kam parë kaq maqedonas në udhëtimet nga Zvicra dhe për në Zvicër sa viteve të fundit.

    Disa bashkëbisedues më kanë përmendur përurimin e nisjes së punimeve për fabrikën e veturave elektronike nga Ekologu dhe afaristi më i dëgjuar tetovar, Lazim Destani, dhe ngecjen e tyre prej një viti. Me atë fabrikë veturash elektronike do të kishte më pak arrati dhe më pak ndotje të mjedisit. Tetovarët do të ngisnin vetura elektrike të Destanit, sikurse nget çdo i dyti në Munih BMW ose në Shtutgart Mercedes. Destani zakonisht i qëndron fjalës dhe i është gjendur komunitetit. Në përurimin e fabrikës nuk mungoi Ali Ahmeti. Mos po rri si tepër me politikanë Destani…?

    3.

    – A e njeh Filanin? –, më pyet fqiu në avion gjatë fluturimit për në Shkup, kur mësojmë se nga vijmë njëri-tjetri.

    – Nuk e njoh. Kush është ky?

    – Është punëtor sigurimi në kazino. E njohin të gjithë, çudi si s’e njihke!

    – Më vjen shumë keq! – e zhgënjej.

    Në Tetovë kazino gjen në çdo hap, pranë shkollave, pranë xhamive, pranë restoranteve, pranë të rinjve e pranë pleqve, pranë… Mbi 30 të tilla, më thonë, ka në Tetovë. Ato nuk janë simbole të mirëqenies, janë streha e borxhlinjve, e fatkërkuesve, e punëkërkuesve, e…

    Ali Ahmeti e përmend në një fjalim, a intervistë imigrimin në Tetovë të punëtorëve nga Azia, si dëshmi që njerëzit nuk dynden nga këtu sepse s’kanë punë apo i ka braktisur politika. Sikur arsyet e këtij eksodi të viteve të vundit të rinisë, sidomos të atyre shqiptarë, s’i di asnjë historian, demograf, ekonomist, politolog, sociolog, psikolog, kardiolog, onkolog, gjinekolog…

    4.

     „Mirëmbrëma“, më përshëndet me një shqipe pa atë theksin tetovar punëtori i një lokali në Tetovë, sikur do që t’më prezantohet personalisht. Një më i errët në fytyrë se të tjerët, me flokë të zeza e me syze me skelet të trashë të zi, nga ato që shoh në Zvicër. Sikur më njohu. Sikur e di se edhe unë kam qenë dikund i huaj. Sikur do të qajë një dert me mua. Sikur e di se punoj me të huaj. Dhe unë dua t’i flas e ta pyes: „A ke bukë, mor burrë, e a ke ujë, a po t’plakën dheu i huj?“

    Më kujtohen mërgimtarët nga Shqipëria që shfaqeshin si hije, të veshur e të mbathur keq, në mëngjes në një vend në Tetovë, në pritje të ndonjë zotërie qo do t’i merrte për një shërbim e për një mëditje. Ata shpesh strehoheshin në shtëpitë e papërfunduara të vendorëve, verës shkuj e dimrit acar, me drojën se do t’i gjente policia e do t’i ndiqte. Ata shpesh ankoheshin se zotërinjtë i paguanin keq, e se nganjëherë s’i paguanin fare. Për statusin e tyre s’mendonin partitë shqiptare në Maqedoni.

    Shtëpitë e mëdha të shqiptarëve të Tetovës shpesh kanë dorën dhe djersën e punëtorëve ilegalë nga Librazhdi, Kukësi, Peshkopia… Por edhe dorën dhe gjakun e ndokujt prej tyre. S’e harroj kurrë historinë e njërit, i cili mund të lavdërohej me fatin e tij në Tetovë dhe kishte ardhur ta gëzonte me një vizitë ish-punëdhënësin e tij kasap. Ai ishte qasur t’i ndihte pak nikoqirit, sepse çuni i mirë nuk bën sehir. Në një moment shpërqendrimi, a taksirati, ia kap thika elektrike dorën e ia pret. Mos qoftë e vërtetë!

    5.

    – Sa do të qëndroni këtu? – më pyet dentistja.

    – Sa të thoni ju? – bëj sikur s’e kuptoj.

    – Jo, po them në Tetovë? –, saktëson ajo.

    – Po unë këtu jam… – vazhdoj të mos e pranoj.

    – Udhëtoni vazhdimisht?

    – Po, udhëtoj vazhdimisht, – kjo më duket një zgjidhje e ndërmjetme.

    Në seancën e dytë, javën tjetër, më pret një detinst:

    – Kur do të udhëtoni? – është pyetja e tij parë.

    – Me datë 23, – lëshoj pe unë.

    Pas një trajtimi prej një ore (sa një vit), e caktojmë seancën e fundit:

    – Kur, thatë, do të udhëtoni?

    – Me 23. Po nga e dinit ju se udhëtoj? – s’rri rehat unë.

    – Ma thatë vetë pak më parë.

    – Unë ju thashë se kur do të udhëtoj, këtë më pyetët, po ju nga e dinit se udhëtoj?

    – Aha, na duhet ta dimë për ta planifikuar përmbylljen e punës, – bishtëron ai.

    – Mirë, – dorëzohem përfundimisht.

    „Dentisti t’i di dhëmbë e dhëmballë“, them me vete. Po mbase mërgimtari është i shënjuar!

    6.

    Tupanët gjëmojnë për Ramazan, lagje më lagje, pasmesnate. Mua m’i kujtojnë ca burra të mëhallës, një grusht malësorësh, të cilët pasi kishin rrëkëllyer ndonjë gotë a zbrazur edhe ndonjë shishe në lokalin e tyre të preferuar në Çarshinë e Epërme, i porosisnin lodrat e surlet dhe vinin me valle në shtëpi. Pastaj aty te një shesh i vogël, ku ne fëmijët loznim futboll ditën, para se të shpërndaheshin, ia merrnin asaj njëmend.

    Vetëm t’i shihje terajqitë e valles me tupanë se si preknin tokën me thembër e maje këmbe, si i shkundnin shpatullat e si i thyenin bërrylat e gjunjtë; si shtriheshin një centimetër mbi truall e si hidheshin një metër në erë, si djersitnin tupanxhia e surlexhia, si nuk lëviznin valltarët pas goditjes së tupanit, po tupani binte pas lëvizjes së valltarëve të përhumbur në një kuvendim me tokën, qiellin dhe natën.

    Tani më duket se këta vijnë përnatë te sheshi të përmalluar për një valle burrash, e kur s’i gjejnë aty meraklitë e dikurshëm, bredhin lagje më lagje, duke i kërkuar ata tejendanë nëpër terr.

    Lajmi Paraprak

    Pse kundërofensiva eventuale e Ukrainës mund të shënojë momentin më të rëndësishëm të luftës

    Lajmi i rradhës

    LETRA E AGELERIT | Ekspertët: Alarm për situatën në gjyqësor

    Lajme tjera

    JEMI ÇKA HAMË

    Poezi nga: Andri Snaer MagnasonPërktheu: Maksim Rakipaj Gjyshi ishte 70% ujëgjyshi ishte 70% përroiqë prej rridhte prej malitpranë…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë