Përkufizimi i fantastikes

    Tzvetan Todorov

    Alvare-i, personazhi kryesor i librit të Cazotte-it, “Djalli i dashuruar”, jeton prej disa muajsh me një qenie të seksit femër, që ai e pandeh një shpirt të keq: djallin a njërin nga prejardhësit e tij. Mënyra se si u shfaq kjo qenie tregon qartësisht se është fjala për një përfaqësues të botës tjetër. Mirëpo sjellja e tij, përpikmërisht njerëzore (e, për më tepër, femërore) , plagimet e njëmendëta që merr, përkundrazi, duket që pohojnë që bëhet fjalë thjesht për një grua, e për një grua që dashuron. Kur Alvare-i e pyet se nga vjen Biondetta përgjigjet: “Unë jam shtojzovalle për nga prejardhja,dhe njëra nga më të spikaturat ndër to…” (f.198). Mirëpo, a ekzistojnë shtojzovallet? “Unë nuk po kuptoja kurrgjë nga gjitlië çka po më zinin veshët, – vazhdon Alvare-i. – Po ç’gjë të kuptueshme kishte në kuturinë time? E gjithë kjo po më duket ëndërr, thoshja me vete. Mirëpo, a është jeta njerëzore tjetër gjë? Unë ëndërroj më jashtëzakonisht se një tjetër, dhe kaq. (…) Ku është e mundshmja? Ku është e pamundura?” (f. 200-201).

    Kësisoj, Alvare-i si ngurron, pyet veten (edhe lexuesi tok me të) nëse ajo ç’ka i ngjet është e vërtetë, nëse ajo çka e rrethon është përnjimend realitet (e atëherë Shtojzovallet ekzistojnë) apo, nëse është fjala thjesht për një iluzion që merr këtu trajtën e ëndrrës, Madje më vonë, Alvare-i shkon në shtrat me po këtë grua, që “ndoshta” është djalli. I llahtaruar nga ky mendim, ai pyet përsëri veten;   “Mos fjeta gjë? A mund të isha aq i lumtur saqë gjithçka të qe veç një ëndërr?” (f. 274). E ëma do të mendojë po ashtu: “Ju keni parë në ëndërr këtë fermë e gjithë banorët e saj” (f. 281). Dykuptimësia do të ruhet gjer në fund të aventurës: realitet apo ëndërr, qe e vërtetë apo iluzion?

    Kështu, e sheh veten në lukth të fantastikes. Në një botë që është më së miri jona, ajo që ne njohim, pa djaj, xhindë, as vampirë, ndodh një ngjarje që nuk shpjegohet me ligjësitë e po kësaj bote të njohur. Ai që e shquan ngjarjen duhet të jetë për njërën nga dy zgjidhjet e mundshme: ose është fjala për një iluzion të shqisave, për një përftim të përfytyrimit dhe ligjësitë e botës mbeten ndërkaq ato që janë, ose, përndryshe, ngjarja ka ngjarë vërtetë, është pjesë përbërëse e realitetit, por, atëherë ky realitet udhëhiqet nga ligjësi që ne nuk i njohim. Ose djalli është një iluzion, një qenie përfytyrore ose ai ekziston realisht, njëlloj si gjithë qeniet e tjera të gjalla: me të vetmin ndryshim se e hasim shumë rrallë.

    Fantastikja mbush kohën e kësaj pasigurie. Me të zgjedhur njërën apo tjetrën përgjigje, i largohemi fantastikes për të hyrë në një gjini fqinje, e çuditshmja a mrekullorja. Fantastikja është ngurrimi i përjetuar nga një qenie që njeh vetëm ligje natyrore, karshi një ngjarjeje, në dukje, të mbinatyrshme.

    Koncepti i fantastikes përkufizohet, pra, në lidhje me konceptin e reales dhe përfytyrores: e këta të fundit meritojnë më shumë sesa thjesht një përmendje…

    Një përkufizim i këtillë, a është së paku origjinal? Atë mund ta gjejmë, paçka se të formuluar ndryshe, qysh në shekullin e XlX-të.

    Së pari, tek filozofi dhe mistiku rus Vladimir Soloviev: “Në fantastiken e vërtetë, ruhet gjithmonë mundësia e jashtme dhe formale e një shpjegimi të thjeshtë të dukurive, por ky shpjegim është njëherësh plotësisht i zhveshur nga mundshmëria e brendshme (cituar nga Tomachevski: Teoria e letërsisë, f. 288). Ekziston një dukuri e çuditshme që mund të shpjegohet në dy mënyra, me tipe shkaqesh natyrore dhe mbinatyrore. Mundësia e ngurrimit midis të dyjave krijon efektin fantastik.

    Disa vite më vonë, një shkrimtar anglez, i specializuar në rrëfime me fantazma, Montegne Rhodes James, rimerr pothuajse të njëjtat terma: “Herë-herë është e nevojshme të kemi një derë daljeje për një shpjegim natyror, por unë do të doja të shtoja: që kjo derë të jetë mjaft e ngushtë që të mos kemi mundësi ta përdorim”. Përsëri, pra, dy zgjidhje janë të mundshme.

    Ja dhe një shembull gjerman e më i rishtë: “Heroi përjeton vazhdimisht e dallueshëm kontradiktën midis dy botëve, të botës reale e asaj fantastike, e ai vetë çuditet përpara gjërave të jashtëzakonshme që e rrethojnë” (Olga Reiman). Kjo listë mund të zgjatej pafundësisht. Le të theksojmë, gjithsesi, një dallim mes dy përkufizimeve të para dhe përkufizimit të tretë: tek të parat është lexuesi që ngurron midis dy mundësive, këtu është personazhi. Së shpejti do t’i kthehemi përsëri kësaj gjëje.

    Duhet nxjerrë në pah që edhe përkufizimet e fantastikes që gjenden në Francë, nëpër shkrimet e rishta, paçka se nuk janë identike me tonin, nuk e kundërshtojnë kurrsesi. Pa humbur shumë kohë, do të japim disa shembuj qëmtuar nëpër tekstet “harmonikë”. Castex-i shkruan te “Përralla fantastike në Francë”: “Fantastikja,.. karakterizohet… nga një ndërkallje brutale e misterit në kuadrin e jetës reale” (f. 8). Louis Vax, te “Arti dhe Letërisa fantastike”: “Tregimi fantastik… dëshiron të na paraqesë banorë të botës reale ku jemi, njerëz si ne, vendosur befas në prani të së pashpjegueshmes” (f. 5). Roger Caillois-i te “Në zemër të fantastikes”: “Gjithë fantastikja është prishje e rregullsisë së njohur, vërshim i së papranueshmes në gji të ligjshmërisë së pandryshueshme të përditshme” (f. 161). Siç shihet, këto tre përkufizime janë qëllimisht a jo perifrazime të njëri-tjetrit: çdo herë ekziston “misteri”, “e pashpjegueshmja”, “e papranueshmja” që futet në “jetën reale”, a në “botën reale”, apo edhe në “ligjshmërinë e përditshme, të pandryshueshme”.

    Këto përkufizime gjenden tërësisht të përfshira në atë që propozonin autorët e parë të cituar e që ngërthenin ndërkaq ekzistencën e ngjarjeve të dy rrafsheve, ngjarje të botës natyrore e ngjarje te botës mbinatyrore. Mirëpo përkufizimi i Soloviov-it, James-it etj., mbartnin, përpos të tjerash, mundësinë e dhënies së dy shpjegimeve për ngjarjen mbinatyrore e, për rrjedhim, faktin që “dikush” lypsej të zgjidhte midis tyre. Aiishte, pra, më ndjellës, më i pasur. Vetë përkufizimi ynë tek ai e ka burimin. Ai vë, për më tepër, theksin te karakteri dallues i fantastikes (si një ndarëse mes çuditores dhe mrekullores), në vend që t’i bënte njësh (siç bëjnë Castex-i, Caillois-i etj.). Në një mënyrë më të përgjithshme, duhet thënë që një gjini përkufizohet gjithmonë në raport me gjinitë që fqinjërojnë me të.

    Mirëpo përkufizimit i mungon ende qartësia e pikërisht këtu ne duhet të shkojmë më përpara se pararendësit tanë. E theksuam, tashmë se nuk ishte thënë qartësisht nëse i takonte lexuesit a personazhit që të ngurronte, as se cilat ishin nuancat e ngurrimit. “Djalli i dashuruar” jep një lëndë tejet të varfër për një analizë më të thelluar: ngurrimi, dyshimi na ngacmojnë aty vetëm një çast. Do të thërrasim, pra, në ndihmë një libër tjetër, i shkruar   rreth njëzet vjet më vonë e që do të na lejojë të shtrojmë më shumë pyetje, një libër që shenjon madhërishëm epokën e rrëfimit fantastik: “Dorëshkrimi i gjetur në Saragosse” i Jean Potock-it.

    Së pari, na shpalosen një mori ngjarjesh, asnjëra prej të cilave, e marrë veçan, nuk u kundërvihet ligjeve të natyrës, ashtu siç jemi mësuar t’i njohim prej përvojës. Por grumbullimi i tyre përbën ndërkaq problem. Alphonse van Worden-i, hero dhe rrëfimtar i librit, përshkon malet e Sierra Morena-s. Papritmas, zagari i tij Mochito zhduket. Disa orë më vonë zhduket edhe shërbëtori Lopez. Banorët vendas pohojnë se krahinën e kanë pushtuar lugetërit: dy banditë të varur së fundi. Alphonse-i mbërrin në një bujtinë të braktisur e bëhet gati për të fjetur. Por me kumbimin e patë të mesnatës “një zezake magjiplote, gjysmëlakuriq e me nga një pishtar në çdo dorë” (f. 56) i futet në dhomën e gjumit dhe e ndjell t’i shkojë pas. Ajo e çon gjer te një sallë e nëndheshme ku e presin dy murgesha rioshe, të pashme sa s’ka e të veshura lehtë. Ato i japin për të ngrënë epër të pirë. Alphonse-i nis të përjetojë ndjesi të çuditshme e një dyshim i vetoi në mendje: “Nuk e dija më nëse isha me femra apo me djallushe tinzare” (f. 58). Më pas ato i rrëfejnë atij jetën e tyre dhe na del sikur qenkeshin kushërirat e veta. Por me këngën e parë ë këndezit, rrëfimi ndërpritet dhe Alphonse-it i kujtohet që “siç dihet, lugetërt kanë fuqi vetëm prej mesnatës gjer në këngën e parë të këndezit”. (f. 55).

    E gjithë kjo, afërmendsh. që nuk rrjedh pikërisht nga ligjet e natyrës, ashtu siç i njohim ne. Le që për më tepër mund të thuhet se këto janë ngjarje të çuditshme, përkime të pazakonta. Hapi vijues është vërtet vendimtar: ndodh një ngjarje, që arsyeja nuk mundet më ta shpjegojë. Alphonse-i shtrihet në shtrat, dy murgeshat i qasen pranë (a, mbase, vetëm sa e ëndërron ai), por një gjë është e sigurt ama: kur zgjohet, ai nuk është më në një shtrat, as në ndonjë sallë të nëndheshme. “Unë pashë qiellin. Pashë që isha jashtë.(…) Isha shtrirë poshtë trekëmbëshit të Los Hermanos-it. Kufomat e dy vëllezërve të Zoto-s nuk ishin aspak të varura, ishin të shtrirë në të dy krahët e mi”. (f.68). Ja pra, një ngjarje e parë mbinatyrore: dy vajza bukuroshe janë kthyer në dy kufoma kutërbuese.

    Megjithatë, Alphonse-i nuk është ende i bindur për ekzistencën e forcave të mbinatyrshme: çka do të kishte shojtur çdo ngurrim (e dhënë fund fantastikes). Ai kërkon një vend ku të strehohet në darkë e mbërrin përpara kasolles së një eremiti. Aty takon një të xhindosur, Pascheco-n, që rrëfen historinë e vet, por një histori që ngjason çuditërisht me atë të Alphonse-it. Pascheco-ja ka fjetur një natë në të njëjtën bujtinë. Ai ka zbritur gjer te një sallë e nëndheshme dhe ka kaluar natën në një shtrat me dy murgesha. Të nesërmen në mëngjes, ai është zgjuar poshtë trekëmbëshit, midis dy kufomave. Kjo përngjashmëri e bëri Alphonse-in të hapë mirë sytë. Po kështu, ai i tregon më pas eremitit se nuk u beson lugetërve dhe bën një shpjegim natyror për fatkeqësitë e Pascheco-s. Në të njëjtën mënyrë i zbërthen edhe aventurat e veta: “Unë nuk dyshoja që kushërirat e mia ishin femra prej mishi e kocke. Isha paralajmëruar, nuk e di se nga ç’ndjenjë, më e fortë se gjithçka që më kishin thënë mbi fuqinë e demonëve. Sa për rrengun që më kishin luajtur, duke më vendosur poshtë trekëmbëshit, unë isha tejet i indinjuar” (f.98-99). 

    Mirë pra. Por ç’e do se ngjarje të reja do t’ia përndezin dyshimet Alphonse-it. Ai i takon kushërirat e veta në një shpellë. Dhe një darkë, ato i vijnë gjer te shtrati. Ato janë gati të heqin brezoret e veta të dëlirësisë; por për këtë duhet që vetë Alphonse-i të zhveshë një relikë të krishterë që mban rreth qafës. Në vend të kësaj, njëra nga murgeshat vendos një gërshet të flokëve të saj. Me t’u fashitur përdëllimat e para dashurore, u dëgjua kumbimi i parë i mesnatës… Një njeri futet në dhomë, i përzë murgeshat dhe e kanos Alphonse-in me vdekje. Më pas efton të pijnë nga një gotë. Të nesërmen në mëngjes Alphonse-i zgjohet, siç mund të merret lehtë me mend, poshtë trekëmbëshit, përbri kufomave. Përreth qafës nuk ka më gërshetin e flokëve, por një litar të varuri. Duke kaluar nga bujtina e natës së parë, ai zbulon menjëherë, midis plasave të dyshemesë, reliken që i kishin hequr në shpellë. “Unë nuk dija më se ç’bëja… Zura të përfytyoj se përnjimend nuk kisha dalë nga ajo kabare e nëmur, dhe që eremiti, inkuizitori (shih më poshtë) dhe vëllezërit e Zoto-s ishin po aq fantazma të përftuara nga ngashnjime magjike” (f. 142-l43). Si për ta anuar ende peshoren, ai takon së shpejti Pascheco-n, që ia kishte zënë syri gjatë aventurës së fundit natore dhe që i jep një variant krejt tjetër të skenës: “Ato dy rioshet, pasi i bënë disa ledhatime, i hoqën nga qafa një relike që mbante ai dhe, që nga ky çast, ato e humbën bukurinë e tyre në sytë e mi. Unë pashë tek ato dy të varurit e luginës së Los Hermanos-it. Por kalorësi i ri, duke i marrë gjithmonë për persona të këndshëm, u bë copë pas tyre. Ndërkaq, njëri nga të varurit hoqi litarin që kishte në qafë dhe ia hodhi në qafë kalorësit që i shprehu mirënjohjen e vet me të tjera ledhatime. Më në fund, e mbyllën perden dhe nuk e di se ç’bënë atëherë, por ma thotë mendja se qe ndonjë mëkat i llahtarshëm”. (f. 145).

    Çfarë të besosh? Alphonse-i e di mirë që e ka kaluar natën me dy gra të dashura. Po zgjimi poshtë trekëmbëshit, po litari rreth qafës së tij, po relika në bujtinë, po rrëfimi i Pascheko-s? Pasiguria, ngurrimi janë në pikën kulmore. Të përforcuara edhe nga fakti që personazhe të tjerë i sugjerojnë Alphonse-it një shpjegim mbinatyror të aventurave. Kështu, inkuizitori që, një çast të dhënë, do ta arrestojë Alphonse-in e do ta kanosë me tortura, e pyet: “A i njeh ti dy princesha nga Tunis-i? Ose, më mirë dy shtriga të ndyra, vampire, pështironjëse dhe demone e shkuar demonit?” (f. 100). E më vonë, Rebecca, mikja e Alphonse-it, do t’i thotë: “Ne e dimë që ato janë dy demone femra dhe emrat i kanë Emina e Zibedde” (f. 159).

    I mbetur fill i vetëm për disa ditë, Alphonse-i ndien edhe një herë t’i kthehen fuqitë e arsyes. Ai dëshiron t’u gjejë ngjarjeve një shpjegim “realist”. “Më kujtohen atëherë disa fjalë që i shpëtuan Don Emmanuel de Sa-it, guvernator i këtij qyteti, që më shtynë të mendoja se ai nuk qe plotësisht i ndryshëm nga ekzistenca misterioze e Gomélez-ëve. Qe pikërisht ai që më kishte dhënë dy shërbëtorët e mi, Lopez-in dhe Moschito-n. E ngulja në kokë që me urdhër të tij m’u ndanë ata në hyrjen e mënxyrshme të Los Hermano-s. Kushërirat e mia dhe vetë Rebecca më kishin dhënë shpresë se donin të më vinin në provë. Ndoshta më kishin dhënë, pa e vënë re, ndonjë pije për të më vënë në gjumë e më pas, asgjë nuk qe më e lehtë sesa të më çonin gjatë gjumit poshtë trekëmbëshit fatal. Pascheco mund të kishte humbur njërin sy në ndonjë aksident krejt tjetër, sesa nga lidhja e tij dashurore me dy të varurit, dhe historia e tij llahtarisëse mund të qe ndonjë përrallë. Eremiti që kishte bërë gjithmonë çmos të zinte në beft të fshehtën time, ishte, pa dyshim, ndonjë agjent i Gomélez-ëve, që donte të vinte në provë taktin tim. Së fundi, Rebecca, i vëllai, Zoto e prijësi i Bohemësve, të gjithë ata njerëz qenë marrë vesh, ndoshta, për të vënë në provë guximin tim”.  (f. 227).

    Megjithatë, debati nuk ka gjetur zgjidhje: incidente vocërrake do ta bëjnë sërish Alphonse-in të çapitet kah zgjidhja mbinatyrore. Ai sheh nga dritarja dy gra që i shëmbëllejnë dy si margeshat e famshme. Mirëpo, kur u qaset, zbulon fytyra të panjohura. Ai lexon mandej një rrëfenjë me djall që ngjason aq shumë me të vetën tek pohon: “Nga kjo arrita pothuajse të besoj që për të më mashtruar, demonët u kishin dhënë shpirt trupave të të varurve” (f. 173).

    “Nga kjo arrita pothuajae të besoj”: ja formula që përmbledh shpirtin e fantastikes. Besimi absolut, ashtu si mosbesueshmëria e plotë, do të më çonin jashtë fantastikes. Është pikërisht ngurrimi që i jep jetë.

    Kush ngurron në këtë histori? Shihet menjëherë: është Alphonse-i, domethënë heroi, personazhi. Përgjatë gjithë intrigës, pikërisht atij i mbetet të zgjedhë midis dy shqyrtimeve. Por, nëse lexuesi do të qe paralajmëruar nga “e vërteta”, po të dinte ai se në ç’kahje duhej marrë situata, do të qe krejt ndryshe. Fantastikja ngërthen, pra, një përfshirje të lexuesit në botën e personazheve. Ajo përkufizohet nga perceptimi dykuptimor që ka lexuesi edhe për ngjarjet në fjalë. Duhet të saktësohet menjëherë që, ndërsa flasim kështu, ne nuk kemi parasysh një lexues të veçantë të tillë a të këtillë, real, por një “funksion” të lexuesit, i vetëkuptueshëm në tekst (ashtu siç është i vetëkuptueshëm funksioni i rrëfimtarit). Perceptimi i këtij lexuesi të vetëkuptueshëm është rrënjosur në tekst me po atë saktësi që janë pasqyruar lëvizjet e personazheve. “Ngurrimi i lexuesit” është, pra, kushti i parë i fantastikes. Mirëpo, a është e nevojshme që lexuesi të njësohet me një personazh të veçantë, si te “Djalli i dashuruar” dhe te “Dorëshkrimi…”? E thënë ndryshe, a është e nevojshme që ngurrimi të jetë “i paraqitur” në brendësi të veprës? Shumica e veprave që e përmbushin kushtin e parë përmbushin edhe të dytin. Megjithatë, ekzistojnë përjashtime si te “Vera” e Villiers de l’Isle-Adams-it. Lexuesi i shtron këtu pyetjen vetes për kryengritjen e gruas së kontit, dukuri që u kundërvihet ligjësive të natyrës, por ngjason e përforcuar nga një mori treguesish dytësorë. Mirëpo asnjë nga personazhet nuk e ka këtë ngurrim: as konti Artol, që beson aq shumë në jetën e dytë të Verës, as edhe shërbëtori plak Rajmond. Lexuesi nuk identifikohet, pra, me asnjë personazh, dhe ngurrimi   nuk është paraqitur në tekst. Me këtë rregull identifikimi ne do të themi se bëhet fjalë për një kusht fakultativ të fantastikes: ai mund të ekzistojë pa e përmbushur. Por shumica e veprave fantastike i nënshtrohen këtij kushti.

    Kur lexuesi del nga bota e personazheve dhe i rikthehet praktikës së vet (asaj të një lexuesi), një rrezik i ri i kanoset fantastikes. Rrezik që qëndron në “shqyrtimin” e tekstit.

    Ekzistojnë tregime që përmbajnë elementë mbinatyrorë, pa qenë e udhës që lexuesi të shqetësohet ndonjëherë për natyrën e tyre, duke e ditur se nuk duhet t’i marrë në kuptimin e ngushtë. Nëse disa kafshë flasin, ne nuk na lind asnjë dyshim: ne nuk e dimë që fjalët e tekstit janë për t’u marrë në një tjetër kuptim, që quhet alegorik.

    Situata e kundërt vërehet për poezinë. Teksti poetik mund të gjykohet shpesh fantastik, vetëm nëse do t’i kërkonim poezisë të ishte përfaqësuese. Por pyetja nuk shtrohet: nëse është thënë, bie fjala, që “un-i poetik” flatron në ajri, kjo është vetëm një trumbë fjalmore për t’u marrë si e këtillë, pa u rrekur të shkohet përtej fjalëve.

    Fantastikja kërkon, pra, jo vetëm ekzistencën e një ngjarjeje të çuditshme që shkakton ngurrim te lexuesi dhe heroi, por edhe një mënyrë leximi që hëpërhë mund ta përkufizojmë negativisht: ajo nuk duhet të jetë as “poetike”, as “alegorike”. Po të kthehemi përsëri te “Dorëshkrimi…”, shohim që edhe kjo kërkesë është e përmbushur: nga njëra anë, asnjë nuk na lejon t’u japim menjëherë një shqyrtim alegorik ngjarjeve mbinatyrore të përmendura, nga ana tjetër, këto ngjarje janë dhënë më së miri si të këtilla, ne duhet të shpalojmë e jo të këqyrim fjalët që i përcaktojmë vetëm si kombinim njësish gjuhësore. Në këtë fjali të Roger Caillois-së mund të veçojmë një tregues lidhur me këtë veti të tekstit fantastik: “Ky lloj figurash vendoset mu në qendër të fantastikes, në udhë e sipër midis asaj çka m’u desh ta emëroj figura të pafundme e figura në pengojca… Të parat kërkojnë, në parim, mungesë lidhjeje e shkagojnë nga njëanësia çdo domethënie. Të dytat përçojnë tekste të caktuar në simbole, një fjalor i posaçëm i të cilëve mundëson një përshtatje fjalë për fjalë në ligjërime përkatëse” (f. 172).

    Ne jemi tashmë në gjendje të saktësojmë e të plotësojmë përkufizimin tonë të fantastikes. Kjo e fundit kërkon që të përmbushen tre kushte. Së pari, duhet që teksti ta detyrojë lexuesin ta konsiderojë botën e personazheve si botë njerëzish të gjallë, e të ngurrojë mes një shpjegimi natyror dhe një shpjegimi mbinatyror të ngjarjeve të përmendura. Mandej, ky ngurrim mund të përjetohet edhe nga një personazh. Kështu, roli i lexuesit, si të thuash, i është besuar një personazhi e në të njëjtën kohë ngurrimi është paraqitur. Aibëhet një nga temat e veprës. Në rastin e një leximi naiv, lexuesi real njësohet në personazhin. Së fundi, ka rëndësi që lexuesi të bëjë për vete një lloj qëndrimi karshi tekstit: ai do ta shkagojë, si interpretimin alegorik, ashtu edhe interpretimin “poetik”. Këto tri kërkesa nuk kanë vlerë të barabartë. E para dhe e treta përbëjnë vërtet gjininë. E dyta mund të mos përmbushet. Gjithsesi, shumica e shembujve i përmbushin të tri kushtet (…).

    Tani mund ta quajmë përkufizimin tonë si të qartë në mënyrë të mjaftueshme. Për ta përligjur plotësisht, le ta krahasojmë përsëri me disa përkufizime të tjera, kësaj here, përkufizime që të nxjerrin qartas në pah jo në çfarë shëmbëllen, por në çfarë ndahet prej tyre. Nga një pikëpamje sistematike mund të nisemi prej shumë kuptimeve të fjalës “fantastike”.

    Le të marrim së pari kuptimin që, paçka se i përmendur rrallë, të bie i pari nëmend (atë të fjalorit): në tekstet fantastike autori shtjellon ngjarje që nuk kanë gjasë të ndodhin në jetë po t’u përmbahemi dijeve të përbashkëta të çdo epoke, lidhur me atë çka munt a nuk mund të ngjasë. Kështu te “Petit Larousse”-i: “ku hyjnë qenie të mbinatyrshme: përralla fantastike”. Në fakt, mund të cilësohen si “të mbinatyrshme” ngjarjet. Mirëpo e mbinatyrshmja, duke qenë një kategori letrare, nuk është këtu shumë e spikatur. Nuk mund të konceptohet një gjini që do të rigruponte të gjitha veprat ku ndërhyn e mbinatyrshmja që, nga ky fakt, t’i duhej të përfshinte si Homer-in dhe Shakespeare-in, Cervantes-in dhe Goethe-en. Mbinatyrorja nuk i karakterizon veprat   nga fare pranë, shtrirja e saj është shumë më e madhe.

    Një pjesë tjetër, shumë më e përhapur mes teoricienëve, për të përcaktuar fantastiken, konsiston në vendosjen te lexuesi: jo lexuesin e vetëkuptueshëm në tekst, por lexuesin real. Si përfaqësues të kësaj prirjeje, do të marrim H. P. Lovecraft-in, edhe ky shkrimtar rrëfimesh fantastike e që i ka kushtuar mbinatyrores në letërsi një vepër teorike. Për Lovecraft-in kriteri i fantastikes nuk qëndron në vepër, por te përvoja e veçantë e lexuesit, dhe kjo përvojë duhet të jetë frika. “Atmosfera ëshë gjëja më me rëndësi, sepse kriteri përfundimtar i vërtetësisë së fantastikes nuk është struktura e intrigës, por krijimi i një mbrese specifike. Prandaj, ne duhet ta gjykojmë rrëfenjën fantastike jo dhe aq për synimet e autorit dhe mekanizmat e thurimës, por në funksion të dendurisë emocionale që shkakton… Një rrëfim është thjesht fantastik në qoftë se lexuesi përfton thellësisht një ndjenjë frike dhe tmerri, praninë e botëve dhe fuqive te pazakonshme”. Kësaj ndjesie frike a tronditjeje i referohen shpesh teoricienët e fantastikes, paçka se shpjegimi i dyfishtë, i mundshëm, mbetet për ta kusht i nevojshëm i gjinisë. Kështu Peter Penzoldt-i shkruan: “Me përjashtim të përrallave me zana, gjithë rrëfenjat e mbinatyrshme janë rrëfenja frike që na detyrojnë të pyesim veten nëse ajo çka e pandehim përfytyrim i kulluar nuk është, fundja, realist”. [P. Penzoldt: “The Supernatural in Fiction” (f.9). Londër, 1952]. Edhe Caillois-i jep si “gur prove të fantastikes” “përshtypjen e çuditërisë së pazgjidhshme” (R. Caillois. Në zemër të fantastikes, f. 30. Paris, 1965)… Të kërkosh ndjenjën e frikës te personazhet nuk të lejon më tepër ta përcaktosh gjininë. Së pari, përrallat me zana mund të jenë rrëfenja frike: kështu, përrallat e Perrault-së (krejt ndryshe nga çka thotë për to Penzoldt-i). Nga ana tjetër ekzistojnë disa tregime fantastike ku mungon çdo frikë: le të sjellim ndëmend tekste po aq të ndryshëm sa “Princesha Brambila” e Hofmann-it dhe “Vera” e Villiers de l’Isle-Adam-it. Frika lidhet shpesh me fantastiken, por ajo nuk përbën një kusht të nevojshëm për atë.

    Sado e çuditshme që të duket kjo, jemi përpjekur edhe të përcaktojmë kriterin e fantastikes te vetë autori i tregimit. Shembuj të këtillë gjejmë përsëri te Caillois-i që me siguri nuk ka frikë nga kundërshtitë…

    Edhe më pak vëmendje meritojnë të tjera rrekje përkufizimi, që shpeshherë zbatohen ndaj tekstesh që nuk janë aspak fantastikë. Kësisoj nuk është e mundur të përkufizohet fantastikja si e kundërta e riprodhimit besnik të realitetit të natyralizmit. Assiç bën Marcel Shneider-i te “Letërsia fantastike në Francë”: “Fantastikja shqyrton hapësirën e së brendshmes. Ajo është pjesërisht e lidhur me përfytyrimin, ankthin e të jetuarit dhe shpresën e shpëtimit” (f. 148-149).

    “Dorëshkrimi i gjetur në Saragozë na ka dhënë një shembull ngurrimi midis reales dhe (të themi) vagullores: i shtrohet pyetja vetes nëse ajo çka shihet nuk është mashtrim, apo gabim perceptimi. E thënë ndryshe, gabohet në shqyrtimin që u duhet bërë ngjarjeve të rrokshme. Ekziston   një tjetër lloj i fantastikes ku ngurrimi përcaktohet midis reales dhe përfytyrores. Nërastin e parë, dyshohej jo nëse kishin ndodhur ngjarjet, por nëse kuptueshmëria jonë për to paskesh qenë apo jo e saktë. Tek i dyti, duam të dimë nëse ajo çka pandehim se rrokim me anë të shqisave nuk është, në të vërtetë, ndonjë fryt i përfytyrimit…

    Ngjarje të çuditshme e të pakuptueshme ia behin në jetën e aktorit të gjorë Giglio Fava, gjatë karnavalit të Romës. Ai pandeh se bëhet princ, bie në dashuri me një princeshë  dhe u hyjnë kuturish të pabesueshme. Mirëpo, shumica e atyre që e rrethojnë e sigurojnë se nuk ka ngjarë asgjë e këtillë, porse ai, Giglio-ja është çmendur. Këtë gjë e thotë zoti Pasquale: “Zoti Giglio, unë e di se ç’ju ka ngjarë. Gjithë Roma e di. Ju u shtrënguat ta lini teatrin se u është çakërdisur truri…” (V.III.f.27). (… Kështu, Giglio-ja (dhe lexuesi i vetëkuptueshëm) mbetet i mbërthyer te dyshimi, duke mos e ditur nëse ajo çka e rrethon është apo jo fakt i përfytyrimit të vet.

    Kësaj mënyre veprimi thjeshtake e shumë të shpeshtë mund t’i kundërvëmë një tjetër që duket se është shumë më e rrallë, e ku çmenduria përdoret përsëri – por në një mënyrë të ndryshme – për të përftuar dykuptimësinë e nevojshme. Mendja na shkon te “Aurelia” e Nerval-it. Siç dihet, ky libër bën rrëfimin e vegimeve që ka patur një personazh gjatë një periudhe çmendurie. Rrëfimi kryhet në vetë të parë, por “un-i” mbulon, me ç’duket, dy njerëz të ndryshëm: personazhin që shquan botë të panjohura (ai jeton në të shkuarën), dhe rrëfimtarin që transkripton përshtypjet e të parit (dhe jeton për vete të tashmen). Në pamje të parë, këtu, fantastikja nuk ekziston: as për personazhin që nuk i quan vegimet eveta si të rrjedhura prej çmendurisë, por si një pamje më të kulluar të botës (ai ndodhet, pra, brenda mrekullores), as për rrëfimtarin që e di se ato e kanë burimin te çmenduria a ëndrra, jo te realiteti (sipas pikëpamjes së tij, tregimi lidhet thjesht me të çuditshmen). Mirëpo teksti nuk funksionon kësisoj. Nerval-i e rikrijon dykuptimësinë në një tjetër nivel, aty ku nuk e presim dhe “Aurelia” mbetet një rrëfenjë fantastike…

    Dykuptimësia qëndron edhe te përdorimi i dy mënyrash shkrimtarie që depërtojnë të gjithë tekstin. Nerval-i i përdor zakonisht së bashku. Ato quhen e pakryera dhe mënyrorja. Sa për kujtesë, kjo e fundit ka të bëjë me përdorimin e disa shprehjeve filluese që, pa ndryshuar kuptimin e fjalisë, tjetërsojnë lidhjen midis personit parashtrues dhe parashtrimit. Fjala vjen, dy fjalitë: “Jashtë po bie shi” dhe “Ndoshta jashtë po bie shi” i përmbahen të njëjtit fakt, por e dyta tregon për më tepër pasigurinë e personit, që flet lidhur me të vërtetën e fjalisë që ai parashtron. E pakryera ka një kuptim të ngjashëm: nëse them “E doja Aurelia-n”, unë nuk e saktësoj nëse e dua tani apo jo. Vijimësia ka të ngjarë, por si  rregull i përgjithshëm është pak e mundshme.

    Pra, gjithë teksti i “Aurelia-s” është i mbrujtur me këto dy procedime. Në mbështetje të pohimit tonë mund të përmendeshin faqe të tëra… Mirëpo rrëfimtari shkon edhe më larg: ai do të rimarrë haptaz tezën e personazhit, që çmenduria dhe ëndrra janë   vetëm një arsye sipërane, së cilës i përgjigjet fjalia e Edgar Poe-s: “Shkenca nuk na ka mësuar ende nëse çmenduria është apo nuk është e madhërishmja e zgjuarsisë” (Histori groteske e serioze, Paris, 1961, f.95). E më tej: “Me këtë mendim që kisha krijuar për ëndrrën e cila ihap njeriut një komunikim me botën e shpirtrave, unë shpresoja…” (f. 290). Por ja se si shprehet rrëfimtari: “Unë do të rrekem… të transkriptoj mbresat e një sëmundjeje të gjatë që u zhvillua e gjitha në misteret e mendjes sime. Dhe nuk e di përse e përdor këtë fjalën sëmundje, sepse për sa më takon mua, nuk jam ndjerë kurrë ndonjëherë më mirë. Herë-herë më dukej sikur fuqia dhe veprimtaria më qenë dyfishuar. Përfytyrimi më shkaktonte ëndje të pafundme” (f.251-252), Ose më tej akoma: “Sido që të jetë, unë besoj se përfytyrimi njerëzor nuk ka shpikur asgjë që të mos jetë e vërtetë, në këtë botë a në të tjerat (Jehonë, ndoshta, kjo e kësaj fjalie të Poe-së: “Mendja njerëzore nuk mund të përfytyrojë asgjë që nuk ka ekzistuar përnjimend” (Poems and Essays, f. 282) dhe unë nuk mund të dyshoja për atë që kisha parë aq qartësisht” (f. 276).

    Në këto pjesëza rrëfimtari duket se shpall haptas që ajo çka ka parë gjatë të ashtuquajturës çmenduri është veçse një pjesë e realitetit, se ai nuk ka qenë kurrë ndonjëherë i sëmurë. Mirëpo, nëse secili prej pasazheve fillon në të tashmen, fjalia e fundit është përsëri në të pakryerën. Ajo rifut dykuptimësinë në perceptimin e lexuesit. Shembulli i fundit gjendet në fjalitë përmbyllëse te “Aurelia”. “Unë nuk mund të gjykoja në mënyrë më të shëndoshë botën e iluzioneve ku kisha jetuar disa kohë. Gjithsesi, ndihem i lumtur për bindjet që kam fituar…” (f. 315). Fjalia e parë duket sikur e degdis gjithçka që paraprin në botën e çmendurisë. Epo atëherë, përse kjo lumturi e bindjeve të fituara?

    “Aurelia” përbën, pra, një shembull origjinal e të përkryer të dykuptimërisë fantastike. Kjo dykuptimëri vërtitet më së miri përreth çmendurisë. Por, ndërsa tek Hofmann-i donim të dinim nëse personazhi ishte apo jo i marrë, këtu e dimë që më parë se sjellja e tij quhet çmenduri. Mbetet për t’u marrë vesh (dhe në këtë pikë qëndron ngurrimi) nëse çmenduria nuk është në të vërtetë një arsye sipërane. Ngurrimi i përkiste pak më parë perceptimit, tanimë i përket ligjërimit. Me Hofmann-in ngurronim për emrin që do t’u jepnim disa ngjarjeve, me Nerval-in ngurrimi futet përsëri në brendësi të emrit: në kuptimin e tij.

    … Fantastikja, pra, siç e pamë, zgjat vetëm sa një ngurrim: ngurrimi i përbashkët i lexuesit dhe personazhit, që duhet të vendosin nëse ajo çka perceptojmë i përket apo jo “realitetit”, ashtu siç ekziston për opinionin e zakonshëm. Në fund të rrëfenjës lexuesi, nëmos personazhi, merr megjithatë një vendim. Aishprehet pro njërës zgjidhje a tjetrës e kësisoj del nga fantastikja. Nëse ai vendos që ligjësitë e realitetit mbeten të pacënuara dhe lejojnë të shpjegohen dukuritë e përshkruara, ne themi që vepra bën pjesë në një gjini tjetër: e çuditshmja. Nëse, përkundrazi, ai vendos se duhen pranuar ligjësi të reja të natyrës, me të cilat dukuria mund të shpjegohet, ne hyjmë në gjininë e mrekullores.

    Fantastikja çon, pra, një jetë gjithë rreziqe e mund të tretet në çdo çast. Ajo, më pak sesa gjini e mëvetësishme, duket se zë vend më së shumti në kufijtë e dy gjinive, mrekullores dhe çuditores.  …Përkufizimi klasik i së tashmes, bie fjala, na i përshkruan si një cak të kulluar midis të shkuarës dhe të ardhmes… /Exlibris.al/

    Përktheu Luan Canaj

    Lajmi Paraprak

    Ndre Mjeda – Përmbi za që lshon bylbyli, gjuha shqipe m’shungullon, përmbi er’ që jep zymbyli, pa da zemren ma ngushllon

    Lajmi i rradhës

    Zbulohen detaje nga një kabllogram gjerman për një vizitë në Kosovë në vitin 1991: Ja çfarë u tha Rugova tre diplomatëve europianë – pse dikush në Gjermani ‘nuk e pëlqente Surroin’

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë