Pendarovski pagoi çmimin e pakënaqësisë ndaj LSDM-së

    Fitorja e Siljanovska Davkovës në rrethin e parë nuk është befasi, pasi është pritur pothuajse nga të gjithë, por epërsia bindëse para Pendarovskit ka qenë e papritur edhe nga njohësit e fushës. Siljanovska-Davkova si kandidate e mbështetur nga VMRO-DPMNE fitoi mbi 363 mijë vota (40.08 për qind), dy herë më shumë se kandidati i LSDM-së Stevo Pendarovski i cili fitoi mbi 180 mijë vota (19.93 për qind), sipas rezultateve të Komisionit Shtetëror Zgjedhor.

    Në kampin politik shqiptar Bujar Osmani fitoi më së shumti vota si kandidat i Frontit Evropian si dhe BDI partia më e madhe shqiptare që ishte në koalicionin qeveritar me LSDM-në. Me 121 mijë vota, Osmani ka fituar 13 për qind dhe me një dallim deri në 40.000 vota me opozitën shqiptare.

    Marko Troshanovski, kryetar i Institutit për Demokraci “Societas Civilis”, vlerëson se fitorja bindëse e Siljanovska ndaj Pendarovskit është shumë më e lartë se sa pritej, por vlerëson se qytetarët në këto zgjedhje votuan për të ndëshkuar politikat e pushtetit aktual.

    Këtu, para së gjithash, ka pakënaqësi për nivelin e lartë të korrupsionit dhe krimit, për të cilin paralajmëron edhe faktori ndërkombëtar. Troshanovski numëron pse qytetarët e “dënuan” pushtetin në zgjedhjet e djeshme.

    “Premtimet në fushën e vazhdimit të punësimeve partiake, mosdënimi i zyrtarëve të dështuar në kryerjen e detyrës, skandalet pa zgjidhje, prokurimet publike jotransparente dhe së fundi Kodi Penal, i cili mundësoi amnistinë dhe uljen e dënimeve për zyrtarët e dënuar, pastaj problemi me pasaportat dhe pakënaqësia me propozimin francez të miratuar pa pjesëmarrjen e ekspertëve. Dështimet kanë ndodhur në disa nivele, por edhe më shumë sepse qytetarët kanë parë reagim të shpejtë për korrigjimin e këtyre kushteve”, shpjegon Troshanovski.

    Analisti politik Sefer Selimi tha për REL se fitoren bindëse të Siljanovskës e sheh më së shumti në faktin se një numër i madh i votave të LSDM-së kanë përfunduar në llogarinë e kandidatit të partisë ZNAM, Maksim Dimitrievski. “Jo se Siljanovska – Davkova nuk pritej që të ketë avantazh, por jo në atë masë. Përparësia e saj e madhe ndaj Pendarovskit gjendet në votat e Maksim Dimitrievskit, i cili dukshëm ka ndarë një pjesë të madhe të elektoratit të LSDM-së, që në njëfarë mënyre pasqyron dënimin ndaj LSDM-së nga votuesit e saj”, thotë Selimi.

    Rezultati i djeshëm i kandidatit të partive opozitare shqiptare, Arben Taravari, i cili fitoi mbi 83 mijë vota, sipas Selimit, është arritja e potencialit maksimal të opozitës.

    “Nga ana tjetër, në bllokun shqiptar ishte e pritshme dhe madje u tha në disa raste se do të kishte një dallim të tillë mes zotit Osmani dhe zotit Taravari. Mendimi im është se opozita me këto vota e ka arritur maksimumin e saj dhe nuk ka gjasa që të rritet në zgjedhjet parlamentare. Në anën tjetër pres që “Fronti Evropian” i udhëhequr nga BDI të mobilizohet edhe më shumë për ta thelluar këtë dallim mes tyre”, thotë Selimi.

    Sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale, dalja në votim ishte 49.95 për qind nga gjithsej 1.814.317 votues që kishin të drejtë vote. Këto zgjedhje presidenciale janë të shtatat me radhë në të cilat qytetarët zgjedhin drejtpërdrejt kreun e shtetit. Sipas sistemit zgjedhor, Presidenti i Republikës zgjidhet në zgjedhje të përgjithshme dhe të menjëhershme, me votim të fshehtë për një mandat prej 5 vjetësh, me të drejtë maksimale prej dy mandatesh.

    Lajmi Paraprak

    JETESË ME KREDI!

    Lajmi i rradhës

    Mbi 1000 euro arrijnë harxhimet mujore në RMV

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë