Piktura më e keqkuptuar e JMW Turnerit

    Matt Wilson / BBC
    Përkthimi: Telegrafi

    Lundrimi i fundit i Temererit [The Fighting Temeraire] i JMW Turnerit, u bë një simbol kombëtar që në shfaqjen e saj të parë në vitin 1839, dhe fama e saj ka mbijetuar deri në ditët e sotme. Dikur është votuar si piktura më e dashur për britanikët dhe aktualisht ndodhet në kartëmonedhën prej 20 paundëve. Por, në fakt, interpretimi i përhapur i mesazhit të kësaj pikture ikonike mund të jetë në kundërshtim me qëllimet e vërteta të Turnerit.

    “Temereri” i përmendur në titull i referohet një anijeje luftarake britanike me 98 topa, e cila paraqitet në sfondin e pikturës. Ajo ishte një heroinë në mbrojtjen e Britanisë kundër Francës, gjatë Luftërave Napoleonike, por tërhoqi vëmendjen e publikut në vitin 1838 kur u çmontua dhe pjesët e saj u shitën. Piktura e Turnerit paraqet këtë gladiator dikur të fuqishëm të deteve, teksa tërhiqet përgjatë lumit të Temzës nga një rimorkiator me avull – një shpikje më e re e asaj kohe.

    Një segment i shkurtër në filmin e Xhems Bondit të vitit 2012, Skajfoli [Skyfall], mbërthen perceptimin popullor për pikturën. Në skenë, Bondi (Daniel Craig) takohet me Q-në (Ben Whishaw), shefin e tij të ri të kërkimit dhe zhvillimit, në Galerinë Kombëtare të Londrës, dhe ata ulen përballë Lundrimit të fundit të Temererit. “Gjithmonë më bën të ndihem paksa i trishtuar”, thotë teknologu i ri Q, duke thumbuar qëllimshëm 007-shin si agjent i vjetër terreni. “Një anije madhështore luftarake që tërhiqet në mënyrë të turpshme për skrap”.

    Kjo pasqyron bindjen e përhapur se piktura ngjall një ndjenjë nostalgjie dhe lavdie të venitur kombëtare. Sipas këtij interpretimi, Temereri fantazmë është heroinë e pikturës, ndërsa rimorkiatori është “armik”. Në shekullin XIX, shkrimtari anglez William Makepeace Thackeray e quajti rimorkiatorin “një avullore e vogël, keqdashëse dhe djallëzore”, ndërsa romancieri amerikan Herman Melville e cilësoi si “një xhuxh avullore” në krahasim me “Titanin Temerer”.

    Një nga besimet më të zakonshme rreth Lundrimit të fundit të Temererit është se ngjall ndjenjën e lavdisë së shuar kombëtare

    Mund të kuptohet pse publiku i kohës së Turnerit mund të kishte simpati për Anijen e Lartmadhërisë së Tij/Saj [HMS] Temeraire që ishte përulur dhe ndihej e trishtuar për fatin e saj. Në vitin 1804, ajo kishte luajtur një rol vendimtar në bllokimin e porteve franceze dhe mbrojtjen e bregdetit britanik. Por, momenti i saj më i lavdishëm ndodhi pasditen e 21 tetorit 1805, në Oqeanin Atlantik, pranë bregdetit jugperëndimor të Spanjës.

    Në këtë çast vendimtar, Beteja e Trafalgarit – një betejë detare e përgjakshme mes Marinës Mbretërore Britanike dhe flotave të bashkuara të Spanjës dhe Francës – arriti kulmin. Anija kryesore e admirali Lord Nelson, Viktori [HMS Victory], kishte udhëhequr sulmin, por po bombardohej nga anija franceze Redubtibel [Redoubtable]. Atëherë, përmes tymit të topave, doli Temereri, ndjekur nga një flota britanike e etur për luftë. Temereri bombardoi Redubtibelin me artilerinë e saj dhe u përball me një breshëri të ashpër topash si kundërpërgjigje – një sulm që shpoi anijen dhe mbuloi kuvertën me gjak. Por, si një luftëtar i qëndrueshëm, Temereri e përballoi betejën. Ajo mbrojti me trimëri anijen flamurtare dhe luajti një rol vendimtar në fitoren përfundimtare të marinës britanike në Betejën e Trafalgarit.

    Turneri ishte 64 vjeç kur pikturoi Lundrimin e fundit të Temererit. Ai lindi në vitin 1775, në një lagje të varfër pranë Kovent Gardenit në Londër, por arriti të regjistrohej në Akademinë Mbretërore të Arteve në moshën 14-vjeçare. U bë piktor akademik në moshën e re 24-vjeçare dhe profesor i perspektivës kur ishte vetëm 32 vjeç. Megjithatë, edhe pse shoqërohej me njerëz të mëdhenj e të rëndësishëm, ai nuk pranoi kurrë të zbuste theksin e tij kokni [të shtresës së ulët londineze] apo të përmirësonte sjelljen. Ishte gjithashtu një sipërmarrës i jashtëzakonshëm – hapi galerinë e tij private, kërkonte mbështetjen e patronëve të pasur dhe ishte gjithmonë në kërkim të projekteve tërheqëse artistike dhe fitimprurëse të cilat mund të tërhiqnin një vëmendje të gjerë. Në një aspekt, Lundrimi i fundit i Temererit përmbush dëshirën e tij për popullaritet të gjerë duke shfrytëzuar ndjenjën e krenarisë kombëtare të publikut.

    Por, ka një mesazh edhe më të rëndësishëm që duhet nxjerrë nga kjo pikturë sesa patriotizmi dhe ndjeshmëria. Ka të bëjë me rimorkiatorin e shumëpërfolur: pika e vërtetë qendrore e veprës.

    Fuqia me avull ishte mrekullia mekanike e re e kohës së Turnerit dhe qëndrimi i tij ndaj kësaj teknologjie të re ishte shumë më kompleks sesa e perceptonin Thackeray, Melville apo Q. Në vepra të tjera të Turnerit, si Stuhi dëbore – anija me avull [Snow Storm – Steam-Boat, 1842] dhe Shi, avull dhe shpejtësi [Rain, Steam and Speed, 1844], shihet qartë magjepsja e tij me makineritë moderne dhe ndikimi i tyre transformues mbi përvojën individuale, mjedisin dhe shoqërinë në tërësi. Kjo qëndron në kontrast të fortë me rivalin e tij të madh, John Constable, prindërit e të cilit vinin nga elita dhe pikturat e të cilit në përgjithësi anashkalonin ndryshimet e mëdha që po transformonin ishujt britanikë në atë kohë.

    Në pikturën ikonike të Constableit të vitit 1821, Qerrja e sanës [The Hay Wain], një karrocë arkaike largohet butësisht nga shikuesi drejt një peizazhi pastoral anglez. Ndërsa te Lundrimi i fundit i Temererit i Turnerit, ne ndodhemi përballë një përplasjeje të pashmangshme me forcën e pandalshme të industrisë.

    Përderisa John Constable paraqiste fshatin britanik si të qetë dhe piktoresk, Turneri përqafoi nëpërmjet artit të tij ndryshimet që po përfshinin shoqërinë

    Kjo pasqyronte realitetin e kohës. Kur u pikturua Lundrimi i fundit i Temererit, Marina Mbretërore po përdorte gjithnjë e më shumë anije me avull për të tërhequr anijet më të mëdha. Po bëheshin tashmë hapat për të zëvendësuar flotën me vela me fregata të reja me avull. Por, fundi i Temererit nuk ishte thjesht një përmirësim i zakonshëm i armatimeve. Kjo përbënte një revolucion të veçantë në lundrim. Prej mijëra vjetësh, detarët e kishin mbështetur lundrimin në erë dhe në lopata. Tani, motorët me avull ua jepnin mundësinë të kapërcenin teket e erës, kanalet e cekëta dhe ritmet e baticave – në thelb, të tejkalonin vetë natyrën. E ardhmja do të nxitej nga avulli, por askush në vitet ‘30 të shekullit XIX nuk mund ta parashikonte saktësisht se si kjo do të ndikonte në të ardhmen e transportit, tregtisë dhe luftës detare. Ajo që Turner dinte me siguri ishte se, që nga Odiseja e Homerit, lundrimi kishte funksionuar si një simbol i thellë i udhëtimit të jetës në art dhe letërsi. Dhe, kështu, duke bashkuar në mënyrë të paharrueshme të vjetrën me të renë në pikturën e tij, ai na paraqet një metamorfozë të fuqishme – fillimin e një cikli të ri pas-industrial në historinë njerëzore.

    Turnerit ishte i vetëdijshëm për përgjegjësinë e artistëve në kohë ndryshimesh të pakthyeshme historike. Për të, mjeshtëria e vjetër e paraqitjes së anijeve prej druri, me velat, litarët dhe zbukurimet e tyre të gdhendura, po bëhej e vjetruar. Ai kuptoi se sfida për çdo artist (dhe për çdo anëtar të shoqërisë), në epokën moderne, ishte të zbulonte bukurinë dhe domethënien në të renë – dhe në objektet që më parë nuk kishin qenë pjesë e artit, si oxhakët prej hekuri, pistonat, valvulat dhe rrotat lundruese. Në Lundrimin e fundit të Temererit, ngjitja e tij drejt kësaj sfide është e përmbledhur në një simbol vërtet të paharrueshëm dhe pa kompromis.

    Turneri madje përshtati teknikën e tij pikturale për të shprehur transformimet teknologjike dhe shoqërore që po ndodhnin në botën përreth tij. Në Lundrimin e fundit të Temererit ai përdori ngjyra të porsashpikura, si e verdha limon [Lemon Yellow] dhe e kuqja e ndezur [Scarlet Lake]. Analiza e pigmenteve të përdorura në pikturë gjithashtu tregon se ai përfshiu përbërës nga kuzhina e tij për t’u dhënë ngjyrave efekte të veçanta – si dhjamë kafshësh, yndyrë gatimi apo edhe vaj sallate.

    Interesi i tij për teknologjinë e re dhe kërkimi i teknikave inovative për t’i përfaqësuar ato, ndikuan drejtpërdrejt te gjenerata e ardhshme e piktorëve avangardë. Claude Monet dhe Camille Pissarro u mahnitën nga arti i Turnerit. Një gravurë e pikturës së tij, Shi, avull dhe shpejtësi (e cila paraqet një tren që rrëshqet mbi urën e Midenhedit) u shfaq madje në Ekspozitën e Parë Impresioniste në Paris, në vitin 1874 – një ngjarje kyçe në historinë e artit modern.

    Lokomotiva [La Locomotive] e vitit 1873 e piktorit Félix Bracquemond, bazuar në veprën Shi, avull dhe shpejtësi të Turnerit, u shfaq në Paris më 1874

    Në vitin 2025 do të zhvillohen ekspozita të ndryshme për të shënuar 250-vjetorin e lindjes së Turner. Por, për të vlerësuar plotësisht këtë artist të jashtëzakonshëm, është e rëndësishme të kuptohet kuptimi i vërtetë i kryeveprës së tij, Lundrimi i fundit i Temererit.

    Shpesh ajo është interpretuar si një imazh melankolik, një vajtim i pikëlluar për lavditë e së kaluarës dhe si një mënyrë e humbur jetese. Por, ky interpretim e humb thelbin e veprës. Lundrimi i fundit i Temererit në të vërtetë flet për transformim dhe pashmangshmërinë e ndryshimit, jo për nostalgji. Mësimet më të rëndësishme që nxirren nga kjo vepër kanë të bëjnë me qëndrimin dhe këndvështrimin e Turnerit. Ajo mishëron refuzimin e tij për t’u trembur nga risia ose për t’u skllavëruar nga vlerat tradicionale artistike. Kërkimi i tij për të zbuluar bukurinë dhe madhështinë e përvojës moderne, dhe për të lënë të kaluarën pas, është shprehur në mënyrë madhështore në Lundrimin e fundit të Temererit. Dhe, këto cilësi janë, në të vërtetë, trashëgimia e tij më e qëndrueshme për artin modern.

    Lajmi Paraprak

    Serbia, “caku” kryesor i fushatës ruse për dezinformim në Ballkanin Perëndimor

    Lajmi i rradhës

    “Këto ditë, kam hasur situata mjerimi ekonomik dhe njerëzor” mesazhi i Gjergj Metës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë