Poezi nga Agha Shahid Ali (1949-2001)

    Perktheu nga anglishtja Gëzim Basha

    Poet Amerikan me origjinë nga Kashmiri. Në moshë fare të re emigroi në SHBA ku kreu studimet pasuniversitare për letërsi dhe shkrim kreativ, fillimisht në Universitetin e Pensilvanisë, dhe më pas në Universitetin e Arizonës. Agha Shahid Ali ju bashkua levizjes letrare Formalizmi i Ri, një prirje me mjaft ndikim në poezinë Amerikane të dy dekadave të fundit te shekullit të 20të. Rijuvenalizimi i teknikave formale te poezisë tradicionale Islame—veçanërisht Gazelit—përmes një adaptimi elegant në Anglisht, e bën atë një nga zërat më të përvetshëm të Formalizmit të Ri. Agha Shahid Ali, ngjashëm me Joseph Brodsky apo Mahmoud Darwish, mbetet poet i egzilit, por për të ekzili, më shumë se mërgim prej vendlindjes, është premisë dhe disponim për vetmi meditative. Ashtu si Emily Dickenson, Ali besonte se njeriu mund ta jetojë ekzilin edhe pa arratisje prej vendlindjes, edhe brenda shtëpisë prindërore, madje edhe brenda një dhome të saj.


    Unë Kilin e shoh në pasqyrë të makinës

    Kjo ëndër uji—Ç’mban në limann?
    Unë shoh Argjentinen dhe Paraguain
    Nën shtetrrethim xhami, ngjyrat e tyre,
    Rrjedhin si vaj. Nata në Uruguai

    Është kripë e zezë. Unë jam nisur për Jutah,
    Dhe tërë hemisferen e kam në sy—
    Kolumbia është alle, Brazili serë e kalter,
    Ca vende janë të shplara fare; Peru-

    -ja në të bardhë titaniumi. Si përherë oqeanet
    Kukamçefthin në pasqyra, kur brigjet e pjerrët
    Presin baticat, a kur portet e botës
    S’pranojnë më anije. Ja Sedona, Nogales

    Mbetën mbrapa. Njëherë unë hyra në pasqyrë—
    Prej andej bota m’u duk e paprekur, i ngjante
    Vetëm vetvetes. Kur dola ja grisa
    Lëkurën xhamit. Deti s’e mbante

    Më vulën e territ, anijet mbyteshin në bregun
    E një republike-plagë… s’po më lënë te shoh mirë
    Tanket në Santiago, ja nje kalë i bardhe
    Galopon, pa kalorës, i ndjekur nga ushtarë të pirë,

    Në xhipa; ata po shtijnë drejt hënës
    Teksa grah shkretetirës, ndiej vërshëllima plumbi,
    Një burrë po vrapon t’arrije urbanin e fundit. Pasagjerët
    Zgjaten peranash…por ai e humbi.

    Turravrap përsëri, gjysëmhena çeliku,
    Bien nga qielli. Këndej shkëmbenjtë,
    Humbin nën mjegull, bredhat janë tempuj,
    Era në Sedona ka gdhendur shumë shenjtë—

    Çdo hije, një ndjekës i tyre. Sirena
    Santiagon e zbrazi; ai burrë po shikon
    —nga një heshtje dritaresh—ca burra sylidhur
    Brenda furgonesh që feksin. Kali u tret

    Si në ëndër. Unë parakaloj figurina
    Skeletike, gdhendur 700 vjet para Krishtit.
    Kushdo që deshifron këto mure kanionesh
    Mbetet i braktisur, me historinë i vetëm,

    Pa liman për ëndrat. Dhe tani çfarë tjetër,
    Do t’mendojë kjo pasqyrë, përplot me ujë?
    Peruja pa shi, Brazili
    Pa pyje—këtu në Jutah, tani një kamë

    Rrezesh diellore, ndan verën mëdyshas
    Soltik—zemër kuarci je e një spirali.
    Ta kene ditur Anasazet më të errtën pergjigje,
    Që jep kontinenti në pasqyra kristali?

    Aty poshtë tani bie Soltik dimëror,
    Dy drita makine po shpojnë një dritare
    Dhe zbulojnë funerale në sytë e atij burrit.
    Në stadiumin plot me prozhektorë të Santiagos,

    Kjo është dita më e shkurter e vitit. Aty e çuan.
    Ata që presin të vdesin po shohin nga ai,
    Sytë e tij janë gurrë varri për tërë të zhdukurit.
    Ç’i mbetet pasqyrës të provojë më tani?

    Udhëtoj drejt veriut, i ndjekur nga ky vend,
    Me dysheme akulli, me qytetarë Lovesick
    Trualli—krejt xham—aty, i çdo qyteti,
    Keq është plasaritur, kërkojnë republikën

    Sërish t’jua kthejne si bizhu plot përrndritje
    Gërmojnë gjer në ag por zbulojnë veç kufoma.
    Ai burrë tek kjo ëndër kerkon eshtrat e veta.
    Ujrat u errën. Kontinenti më s’duket.


    Pasthënia e ujkut për përrallën e kësulkuqes

    Së pari, ma njihni një sens historie:
    gjithçka unë e bëra për brezat që vijnë,
    Për edukatoret e kopshteve
    Dhe moralin e përkorë:
    Vogëlushet nuk duhet ta lënë kurrë shtepinë
    Në kërkim lulesh të panjohura,
    As duhet të flasin me të panjohurit.

    Kuptomani, ju lutem, më mirë intrigën:
    A s’mundesha unë ta kapërdija
    Mu aty, në xhungel?
    Perse e pyeta ku rronte gjyshja?
    A thua se unë, banor i pyllit,
    S’e paskësha ditur ku binte kasollja
    e plakës që rronte aty fill
    e vetme, nën tre lisa!
    A s’mund ta përlaja vite më parë?!

    Ju mund të më thirrni, “i Madhi Ujk-Keqi”
    Tani për tani, i vetmi nam i imi.
    Por unë nuk kam qenë ngacmues femijësh
    Edhe pse, pajtohemi, ajo ish aq e bukur.

    Sa për gjuetarin:
    Vërtet flija unë kur ai me gersherë,
    Ma priste gëzofin e trashe e të zi,
    Dhe barkun me mbushte me kandra dhe gurë?
    Unë vrapova dhe u rrëzova
    Thjesht për t’i bërë fëmijët të qeshnin
    Me zhurmën e gurrëve që prej barkut më ranë.
    Me kandrat që u shperndanë…

    Unë shfaqa një sens perfekt te kohës
    Mu në atë pikë kur perralla
    Duhej me doemos të mbaronte.


    Madje dhe shiu

    E ç’mbetet nga një lidhje dashurie veç shiut?!
    Lloton e zisë kush blen, ka blerë madje dhe shiun.

    Lustra, fjalët dhe bota, “ a sjell ndërmend, ndokënd?”
    Kur kujtonim, poetët, gdhendin madje dhe shiun.

    Ne vdiqëm—ajo qe—Zoti na la në t’errët,
    Teksa terrin haronim, haruam madje dhe shiun.

    Thatësira e pat…Ku isha…Pijet prisnin në dhomë,
    Për perzjerje, e dashur, shtjer madje dhe shiun.

    Portokallin oval ti shtydhe për aromë,
    Nxir vermuth prej qitrosh, madje prej shiut.

    Si te deshi ty hasmi…Me dheun, ajrin dhe zjarrin,
    Të dilte jek e jek, mbajti madje dhe shiun.

    Zoti kërkon truall për një sallë te re dënimesh,
    Betohu mbi Bibel, Despot, betohu madje para shiut.

    Ç›mbeti te parathem përveç Fundit të Botes ?
    Nje shtyllë për sheshin e vetmuar, madje dhe shiun.

    Pas eshtrave, ca lule, ja c’gjetëm në urnë ;
    Lumin e humbur, shkrumbin e shkallëve, madje dhe shiun.

    Si u pezmua ajri, dheun kalli ne flakë,
    Shtëpine të ma djegë, zjarri thiri madje shiun.

    Malet desh t’i rrafshonte dhe dallgët t’i shtronte,
    Pezmin epik t’a zbuste, ju desh madje dhe shiu.

    Nju Jorku në ag me përket mua, vetem mua
    Për këtë pretendim kujtesa pruri madje shiun.

    U gjend thika që të vrau, të kujt janë ato gjurmë ?
    Duar kaq të vogla, Shahid, s’ka as shiu !


    Qerbelaja; Një Rrëfim nga Shtëpia e Zisë

    Në nje kohë e klimë më të largët, skena tragjike e vdekjes së Imam Hysenit do të zgjojë edhe simpatinë e lexuesit më të ftohtë.

    —Edward Gibbons—

    I.

    Jezu Krishti dhe dishepujt e tij ecnin permes fushës së Qerbelasë, kur befas hasen një tufë gazelesh që qanin të mbledhura kokë më kokë. Dishepujt panë të habitur nga Zoti i tyre.
    Ai u tha: “këtu, tek ky vend, një ditë do të vritet nipi i Profetit Muhamed (paqja qoftë mbi të.)” Dhe Jezusi qau. “Ti kisha kryet ujë dhe sytë e mi kroje të vajtoja të rënin,” tha me ngasherim.
    1400 vjet më vonë, sikur sapo ta kishin marë lajmin për atë që ra në Qerbela në vitin 680, besimtarët ende mbajnë zi për Hysenin, nipin e Profetit, djalin e Aliut (Atit të Baltës) dhe Fatimes, të vetmes pasardhëse të Profetit.
    Ashtu si Jezusi që shkoi në Jeruzalem të vdiste në kryq, edhe Hyseni shkoi në Qerbela të pranonte me pasion çfarë qe shkruar për të qysh në krye të herës.

    II.

    Vajtimi i Zejnepid në Damask

    Mbi binatë e Hysenit ç’natë paska rënë?

    O popull i Shamit, shikomëni mua, e vetmja mbesë e mbetur nga Profeti, e vetmja fëmijë prej fëmijës së tij!

    Mbi binatë e përgjakta të tim vëllai ra agu — sa shtrenjtë e paguam!

    Vajtoni tani, ju që nga qejfi s’bëtë kurrë holokaust, unë vet i pashë foshnjat e therrura, qanin për ujë.

    Dëgjomëni mua, kujtoni Hysenin, ç’dha në Qerbela, me zemër të prerë-vetë zemra e Profetit, kullonte gjak, i pavarrosur.

    Damask i shurdhër, në bims të Kalifit ata po tallen me gjak të Profetit. Unë mbeta jetime, e motra e Hysenit, rrobinjë tirani.

    O At i Baltës, klithi kur ra, falmë! Siria fitoi, fëmijët e tu mbetën jetimë. Lamtumirë!

    Pastaj mbështjellë me velin e fjalëve, na la përjetë.

    Parajsë pagojëse! Mbi tim vëlla ç’natë paska rënë?!

    U shurdhofshin odat qiellore dhe ëngjëjt nga klithma ime, klithmë e pa zë në pallat të Kalifit!

    Sirianë, dëgjomëni:

    Mbi shtëpitë e Hysenit ç’natë ka rënë

    unë rroj të rrefej hatanë e tim vëllai

    Ç’diell po feks mbi trupin e tij?

    Qaj, o botë, tim vëlla, qaje Hysenin.


    Prej Dritës

    Ne ag ti ikën. Lumi vesh lëkurën prej drite.
    Unë e rigjej dashurinë tek origjina e dritës.

    “kapërdij lamtumirat që s’do t’i them më.”
    Ti ma bën me dore, vrik, nga triçikël i dritës.

    U dogj libri im? Nisma hirin që të them:
    Feniksin ma dërguan në arkëmortin e dritës.

    Nga lotët e historisë mëso prej një fytyre
    prerë nga i gjakut buletin prej dritës.

    Mendim i përkohshëm. E po mirë, ja u zhduk.
    A do t’a bëjë Prometeu mëkatin mortal prej dritës?

    Ajo tha, “Emri im është heje akulli varur nga…”
    E kam lënë unë, diku, në margjinat e dritës?

    Kur unë dal i vetëm, si të mbaj vesh Zotin,
    S’paskam ç’perfitoj, absolutisht, prej dritës.

    Ju dorëzuam fantazisë, madje një xhind
    zhveshi nga gjithcka edhe Aladinin e dritës.

    A do ta shohim Manhatanin, nuse me diadema,
    Me turp t’ja kujtojmë dhëndrin, Bruklinin e ëmbël prej dritës?

    “Një mollëz, / harkun e vetullës, / Qepallën e zbehtë
    Dhe synë e zi që unë putha me gjithçka brenda dritës.

    O e huaj, kur lumi vaiset nga boshi,
    A se braktis, pash terrin tim, gjithçka të dritës. /ExLibris/

    Lajmi Paraprak

    Fara e zezë – Përdorimet dhe dozat e duhura

    Lajmi i rradhës

    Sot pritet aktgjykim i ri për Mijalkovin dhe Thaçin në rastin “Titanik 2”

    Lajme tjera

    SIPAS KUTIT

    Nga: Michael C. KeithPërktheu: Fadil Bajraj Ai i jepte gruas së tij të lexonte gjithçka që shkruante. Ajo…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë