Promovohet libri “Labirnti i së vërtetës” i Olivera Jovanovskës

    Librave letrarë të përkthyer nga maqedonishtja në shqip u shtua edhe ai i autores nga Manastiri, Olivera Jovanovska, e cila ka jetuar një kohë të gjatë në Australi dhe është kthyer në Maqedoninë e Veriut.

    Romani me titullin “Labirinti i së vërtetës” vjen në shqip, i përkthyer nga Lirim Shabani dhe i redaktuar nga Algerta Kambo.

    Bashkëjetesa dhe miqësia e mirë me shqiptarët, pa lënë anash edhe të tjerët, ka shtyrë autoren që, me vullnetin dhe nismën e saj dhe pas përkthimit të librit në anglisht, ta përkthejë edhe në shqip.

    Në lidhje me këtë krijim letrar foli shkrimtari nga Shkupi, Ahmet Selmani i cili merret edhe me përkthim dhe kritikë letrare. Në recensionin e tij me titull “Saga e njeriut dhe e jetës”, ai thekson se në libër flitet për një sagë familjare e cila ngërthen brenda vetes ngritje dhe rënie, tronditje dramatike, përjetime të vështira, peripeci të shumta, por edhe gjëra të bukura që ndodhin në jetë, kthesa të befasishme, ndërgjegjësime e konstatime empirike. Sipas tij, ky roman është i veçantë në raport me lexuesin në përgjithësi, për arsye se mund të lexohet me një frymë, madje nga të gjitha kategoritë e lexuesve, pavarësisht nga mosha që kanë.

    Përkthyesi Lirim Shabani theksoi se bëhet fjalë për përkthimin e parë të tij të një vepre letrare nga maqedonishtja në shqip. Ai shtoi se sfidë e përkthyesit në këto raste paraqet frazeologjia e ndryshme, e cila duhet përshtatur me kujdes. Ai gjithashtu tha se është munduar që librin ta sjellë sa më të qartë në shqip dhe sa më besnik ndaj origjinalit.

    Autorja e librit, Olivera Jovanovska deklaroi se përkrahjen më të madhe për ta përkthyer këtë libër edhe në shqip e ka pasur nga bashkëshorti i saj. Autorja bëri të ditur se ka mërguar në Australi qysh në moshën rinore, ndërkaq romani përfshin një periudhë thuajse pesëdhjetëvjeçare jete. Ajo tha se babai i saj e flet mjaft mirë gjuhën shqipe, por mërgimi e ka penguar që edhe ajo të mësojë flasë shqip. Duke jetuar në një rreth me popullsi që flasin ndryshe, autorja ka fituar bindjen se duhet të respektohen të gjithë. Jovanovska theksoi se bashkëjetesa me njerëz që nuk kanë pasur të njëjtën gjuhë e kulturë, ka ndikuar shumë te ajo dhe ka bërë që këtë vepër ta sjellë edhe në shqip.

    Lajmi Paraprak

    Sa janë aditivët të (pa)rrezikshëm?

    Lajmi i rradhës

    “Titanik2” drejt “fundosjes”, shpëton Mijallkov

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë