Xhemazije Rizvani
Publiciste
Sepse janë vënë para pasqyre dhe e kanë parë se në botën e algoritmit adoleshentët kanë krijuar një mikro kozmos ku i kanë përjashtuar të gjitha autoritetet: prindërit, mësonjësit, psikologët, policët.
Në atë univers as nuk nuk mund të pengosh, as të ndihmosh as të ëndërrosh të futesh. Kanë shpikur gjuhën e tyre dhe kjo nuk është diçka e re, pasi edhe në epokën paradigjitale ata krijonin lloj-lloj alfabeti dhe zhargonesh për të lartësuar këto mure ku do të ndalonin gjykimin dhe moralizimin e të rriturve që gjithçka e dinë më mirë, se e kanë provuar vetë më parë.
Sami Frashëri thotë: fëmijët tanë janë një kasolle mëtutje. Në atë kasolle kurrë nuk e dimë ç’ ndodhë?! Ashtu siç nuk dinin prindërit në serialin ” Adolesence” se ç’ ndodhë me fëmijën e tyre që rri ulur para kompjuterit në shtëpi,duke menduar se është i sigurt në dhomën e tij.
Urgjentisht, duhet të gjithë t’inënshtrohemi edukimit mediatik duke sfiduar të papriturat e epokës digjitale që po na e hanë kohën dhe kokën e më të dashurve tanë, fëmijëve. Seriali ” Adoleshencë” ngre disa pyetje thelbësore ? “A thua vallë mësojnë diçka në shkollë këta fëmijë?”
Është dialogu mes policëve që kujtojnë kohën kur ata kishin qenë nxënës dhe konstatojnë se aromë e njejtë bie, duke aluduar në faktin se asgjë nuk ka ndryshuar, asnjë reformë dhe ata janë në hulumtim e sipër të një problemi madhor që eklipson dijet që me një chat- bot në sekondë gjen çdo lloj përgjigje në çdo lloj lëmie.
“Vetëm për disa simbole e gjithë kjo?”
Këtu kemi të bëjmë me minimizimin e problemeve, ose ajo që ne nuk kemi mundësi të shohim me sytë e adoleshentit. Gjuha e shenjave që ata kishin shpikur, për policin ishin simbole të thjeshta, por për universin e tyre ishte gjuha bazë me të cilën funksiononin dhe pozicionin secilin. Kur djali i policit i cili ishte po ashtu nxënës në atë shkollë vendosi ta ndihmonte babain që kërkonte motivin e vrasjes duke ia dekoduar gjuhën e shenjave, ngeli i shtangur dhe i tmerruar duke e rishikuar edhe një herë marrëdhenien me birin e tij.
“A jam unë një prind i mirë?”
Këtë pyetje e bën babai në fund i cili është i bindur se djali i tij është i pafajshëm. Ai e konsideron aq të vogël djalin, sa kur i drejtohen pyetje për orientimin e tij seksual nga policët me arrogancë u kundërpërgjigjet: “ai është vetëm 13 vjeç”.
Pra, djali i tij i vogël e futi familjen në një sherr të madh. Ani pse kishte premtuar se nuk do ta rrihte kurrë, ose më saktë kishte premtuar se nuk do t’ua bënte fëmijëve të tij atë që atij vet ia kishte bërë babai i tij i dhunshëm. Çdo prind e ndjen angushtinë, tensionin dhe gjyqin që gjithnjë ia bëjnë vetes kur fëmijët e tyre bëjnë diçka që është e padëshiruar për ta, ose që i turpëron para shoqërisë.
Gibran e thotë më bukur: fëmijët tanë, vijnë përmes nesh në këtë jetë , por nuk vijnë për ne. Ata kanë fatin e tyre. Ne jemi harku ata shigjeta që lëshojmë, ndaj , të lutemi për fatin e tyre, të harkohen drejt dhe të godasin ku duan dhe jo ku ne duam.
*Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.