QYTETI I PAPËRFUNDUAR

    TË ËNDRROSH DHE TË BANOSH NË PRISHTINËN E ORHAN KURTOLLIT.

    Pikturat e Orhan Kurtollit ofrojnë një portë në një botë të zbukuruar me fantazi dhe bollëk. Të aromatizuara me një ndjeshmëri që është njëherësh surreale, absurde dhe e djallëzuar nga lojërat në të njëjtën kohë, pikturat e Kurtollit provokojnë një bollëk ndjesish të çuditshme dhe asociacione të reja që rrjedhin nga puset e gjera të mendjes së nënndërgjegjeshme.

    Punimet e artistit ballafaqohen me një sërë subjektesh, duke filluar nga skenat intime të kujtesës së fëmijërisë deri tek studimet e portreteve të figurave aktuale dhe të shpikura. Megjithatë, janë pikturat e tij të Prishtinës, qytetit në të cilin ka jetuar dhe punuar për pothuajse  shtatë dekada, ato që japin shprehjet më të forta të aftësisë së tij estetike.

    Mbrapa fasadës së formave materiale dhe infrastrukturës, interpretimet e Kurtollit për Prishtinën zbulojnë një shtresë tjetër të qytetit, e përbërë nga një rrjetë e pakuptueshme e dëshirës, kujtesës dhe ideologjisë. Këtu, ndeshemi me qytetin si diçka e ndryshueshme dhe e paplotë pasi del nga peripecitë e imagjinatës.

    I lindur në Prishtinë në vitin 1952, jeta dhe karriera artistike e Kurtollit janë dëshmi e dy shekuj trazirash dhe transformimesh në Kosovë dhe Evropën Juglindore. Derisa është angazhuar në një praktikë të arteve pamore që nga koha e tij në Universitetin e Prishtinës në fillim të viteve 1970, Kurtolli ka pak trajnime zyrtare në artet e bukura, pasi që në vend të kësaj ka mbaruar studimet mjekësore për ta siguruar punën si dentist.

    Për ironi, mungesa e ndonjë edukimi formal artistik veç sa e ka rritur cilësinë dalluese të punës së tij. I papërvojë me konventat e akademive serbe dhe sllovene që trajnuan shumë nga bashkëkohësit e tij më të njohur, çfarë e ka katalizuar zhvillimin e stilit të tij idiosinkratik dhe fokusit tematik është pikërisht statusi i tij prej amatori.

    Kryeqyteti dhe qyteti më i madh i Kosovës, Prishtina, ka shërbyer jo vetëm si mjedis për jetën e Kurtollit, por edhe si depo brenda së cilës realitetet më të gjera shoqërore dhe politike të kombit kondenzohen dhe lidhen natyrshëm. Siç sugjerojnë pikturat e tij, Prishtina ekziston si një mikrokozmos i distiluar i Kosovës si tërësi. Prandaj, studimet e tij të qytetit ofrojnë një mjet të favorshëm për t’i vlerësuar ndryshimet më të gjera kulturore dhe historike që e kanë shoqëruar Kosovën në ngritjen e saj të pasigurt drejt kombësisë.

    Kurtolli i përshkruan interpretimet e tij për Prishtinën si peizazhe të përbëra në mënyrë të barabartë nga burimet e materies dhe mendjes. Pikturat e tij tregojnë marrëdhënie të ndryshme të tensionit që formojnë qytetin, ku elementet e kontrastit dhe kontradiktës ofrojnë përbërësit e një serie episodesh goditëse dhe delikate në shpalosjen e skenës urbane të Prishtinës. Peizazhet e tij urbane gjithashtu i kushtojnë vëmendje elementeve më banale dhe kalimtare të qytetit në një mënyrë të barabartë me atë të shtrirë drejt tipareve të tij më spektakolare dhe më të qëndrueshme.

    Çka është më e dukshme në pamjen formale të këtyre peizazheve të qytetit është kompleksiteti i tyre vizual. Ndërtesat dhe njerëzit, midis objekteve të tjera natyrore dhe kulturore, janë të mbivendosura mbi njëra-tjetrën, duke e penguar shikuesin të vendoset mbi ndonjë element të veçantë brenda imazhit.

    Seksioni i pikturës “Pertej Titullit”, arkivi personal i Orhan Kurtollit.

    Këto piktura paraqesin një portret të pasur të Prishtinës në të gjithë hibriditetin e saj, duke ekspozuar kolazhe ku minaret osmane, shtëpitë familjare, apartamentet shumëkatëshe, objektet e trashëgimisë kulturore shqiptare, qentë e rrugës, pemët, fytyrat dhe forma e tjera surreale, të padeshifrueshme, që të gjitha konvergjojnë në një kontekst të përbashkët. Për Kurtollin, Prishtina është një qytet i përçarë midis dëshirës për ta ruajtur kujtesën dhe identitetin historik të vet dhe impulsit konkurrues për të përparuar drejt perspektivave të ardhshme simbolike dhe sociale.

    Mendimet e tij rrezatojnë me nostalgji për Prishtinën e rinisë së tij. “Pas luftës së fundit”, tha ai, “ishte e vështirë të pajtohen mënyrat e vjetra të të qenit me ato të realitetit të ri të pavarësisë. Aty ku ka pasur dhjetë shtëpi në një anë të rrugës me oborre të mëdha dhe të bukura, të gjitha janë shkatërruar për të ndërtuar komplekse shumëkatëshe të shëmtuara. Për mua, ky shkatërrim i qytetit ishte i paarsyeshëm. I fshiu edhe fragmentet më të vogla të komuniteteve që dikur ndodheshin këtu”.

    Pas Luftës së Kosovës, investitorët kërkuan padurueshëm t’i rrënojnë dhe rindërtojnë pjesët e rrënuara të qytetit që u shndërruan në rrëmujë si rezultat i ndërhyrjes ushtarake, dëbimit të detyruar dhe neglizhimit të planifikimit urban nën administratën komunale të ish-Jugosllavisë. Intensiteti i kësaj dëshire, shoqëruar me klimën e klientelizmit politik dhe ekonomik, u mundësoi investitorëve të tillë t’i anashkalonin lehtësisht kodet tashmë të pamjaftueshme arkitekturore që synonin t’i ruanin kufijtë e zonave dhe mbrojtjen e vendeve të trashëgimisë.

    Kundërshtimi ndaj ndërtimit të këtyre zhvillimeve të paligjshme të pasluftës u qortua ashpër nga palët e fuqishme të interesit. Edhe më tragjike, rezistenca e tillë rezultoi me vrasjen mafioze të arkitektit të shquar urban dhe më pas drejtorit komunal të urbanistikës Rexhep Luci.

    Pikturat e Kurtollit dëshmojnë për humbjen e integritetit komunal dhe të vetëdijes historike nga duart e këtyre ndërhyrjeve përfituese urbane. Kjo kritikë bëhet drejtpërdrejt e dukshme në veprën e tij përmes pamjes së zakonshme të ndritshme të apartamenteve shumëkatëshe që bien tinëzisht mbi shtëpitë tradicionale shqiptare, teksa presin me padurim ta marrin tokën e çmuar mbi të cilën janë ndërtuar.

    Seksioni i pikturës “Pertej Titullit”, arkivi personal i Orhan Kurtollit.

    Përshkrimet e tij për Prishtinën shprehin preokupim me një mënyrë banimi që nuk është thjesht fizik, por edhe ekzistencial në karakter. Në shumë prej imazheve të tij të qytetit, e gjejmë vetë artistin të pikturuar në skenë, duke vëzhguar stoikisht mjedisin në të cilin është i implikuar.

    Interesante se si prania e Kurtollit këtu është vetëm periferike, e vendosur në skaje, një fusnotë në krahasim me elementët e tjerë më të fokusuar. Gjersa ai është bashkëkrijuesi imagjinativ i Prishtinës, pozicioni i tij i vogël brenda kontekstit të peisazhit më të gjerë urban sinjalizon se i mungon autoriteti mbi krijimin e tij.

    Qyteti duket se shpaloset nga vetvetja, pa kontrollin përfundimtar të artistit që kryeson punën e tij. I ndarë mes nxitjeve konkurruese të vullnetit individual dhe kolektiv, mbetet vendosmërisht i papërfunduar.

    Imazhet e Kurtollit sugjerojnë se Prishtina nuk lind nga ndonjë burim i përveçëm. Përkundrazi, ekzistenca e saj manifestohet si një anije Tezeu, shpirti themelor i së cilës qëndron pavarësisht nga zëvendësimi i vazhdueshëm i pjesëve të saj individuale. Kësisoj, Kurtolli i reziston nocionit se identiteti i vërtetë i Prishtinës mund të gjurmohet në ndonjë burim të caktuar, në vend të kësaj duke treguar shfaqjen e saj përmes lidhjes komplekse, gjithnjë në ndryshim, të kujtimeve, dëshirave dhe reflektimeve spekulative.

    Të shpërndara në faqet e kodrave që rrethojnë Prishtinën, gjen kornizat prej argjile të shtëpive gjysmë të ndërtuara të ngrira mes përfundimit dhe rrënimit. Shpesh të ndërtuara nga familjet në pritje të të afërmve të ardhshëm apo për ta rezervuar tokën për ata që jetojnë në diasporë, këto struktura tregojnë dukshëm se qyteti po ndryshon dhe së shpejti do të banohet në mënyra të reja.

    Përderisa koha pashmangshmërisht do ta ndryshojë peizazhin urban të Prishtinës, Kurtolli mbetet me shpresë se brezat e rinj të kosovarëve do ta arrijnë një ekuilibër adekuat ndërmjet zbatimit të masave të nevojshme të zhvillimit urban duke i ruajtur elementet më të spikatura të trashëgimisë materiale dhe jomateriale të qytetit. “Të rinjtë e kanë mundësinë e veçantë ta formësojnë mënyrën se si po bëhen qyteti dhe vendi”, më tha ai.

    “Këta janë njerëz që janë rritur në kontekstin e pasluftës me kuptimin unik të humbjes së thellë dhe ndjenjës së mëvonshme të mundësisë që shfaqet kur jeta është ndërprerë nga një konflikt i rëndë”. Teksa Prishtina po shkon drejt horizontit të së ardhmes së saj të afërt, meditimet vizuale të Kurtollit na përkujtojnë se imagjinata do të shërbejë si një element përbërës themelor në transformimin e vazhdueshëm si të qytetit ashtu edhe të shoqërisë në të cilën është ngulitur.

    Imazhet e veprës artistike të Orhan Kurtollit të ekspozuara në këtë artikull së fundmi u ekspozuan në ekspozitën “Moshe: Një tregim në vazhdim”, një projekt kuratorial i organizuar nga Albert Heta, i cili është nxjerrë nga veprat e përzgjedhura të Orhan Kurtollit, si dhe nga arkivi personal i artistit. Kjo ekspozitë është prodhuar nga Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë dhe është mbajtur në ambientet e ekspozitës së institucionit Klubi i Boksit. Më shumë informacione lidhur me ekspozitën mund t’i gjeni këtu. Autori dëshiron ta falënderojë Drejtorin Artistik të Stacion, Albert Heta, për përpjekjet e tij në zhvillimin dhe kurimin e kësaj ekspozite, si dhe asistenten e programit Laureta Hajrullahu për organizimin e korrespondencës së vazhdueshme me artistin./Kosovo2.0/

    Lajmi Paraprak

    Gjermania po shkon në prag të një recesioni dimëror

    Lajmi i rradhës

    Vuçiq: Serbia është i vetmi shtet që nuk ka probleme me Maqedoninë e Veriut

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë